Mijëra shqiptarëve që jetojnë në Kosovën Lindore u është pamundësuar që të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit në Serbi.
Kjo për arsye se Serbia ua ka humbur të drejtën e shtetësisë mijëra shqiptarëve, me këtë edhe të drejtat e tyre të pronësisë, në shtëpi, toka etj.
Në këtë mënyrë Serbia po i vazhdon politikat diskriminuese, dhe vazhdon të jap shembuj, të qëllimeve të saja për zhdukjen e shqiptarëve, në çdo pjesë të Ballkanit, ku mund t’ia arrijë.
Kjo që po e bën Serbia quhet spastrim etnik sistematik shtetëror.
Në anën tjetër, bashkësia ndërkombëtare po hesht, të njëjtën gjë po e bëjnë edhe dy shtetet shqiptare, Kosova dhe Shqipëria.
Shqiptarët e Kosovës Lindore në vazhdimësi kanë kërkuar reciprocitet gjatë bisedimeve të Kosovës me Serbinë në Bruksel, mbrojtje dhe të drejta si për serbët në Kosovë. Politikat e deritashme qeveritare kanë dështuar plotësisht ta bëjnë këtë, dhe as nuk iu është mundësuar ndonjë lloj përfaqësimi, dhe as Kosova se ka marrë përsipër mbrojtjen e tyre.
As nuk kanë të drejta speciale në polici, në gjyqësi, në trashëgimi, në kulturë, e assesi në pushtet lokal, aq më pak vende të rezervuara në Kuvendin Qendror të Serbisë, siç i ka pakica prej 50 mijë serbësh në Kosovë.
Shqiptarët e atjeshëm askush nuk po i mbështetë si popullsi autoktone, e cila ka të drejtë të gëzojë të drejta speciale, sipas të drejtës ndërkombëtare, ndërsa në kundërshtim me këtë, atyre ju fshihet shtetësia nëse për 6 muaj, nuk qëndrojnë së paku për një kohë të caktuar në shtëpinë apo në banesën e tyre, apo nëse nuk gjenden aty, kur një komision papritmas shkon për verifikim në shtëpinë e tyre.
Krejtësisht në mënyrë të kundërt Kosova i lejon të jenë shtetas dhe pronar, edhe ata serb, që madje nuk kanë lindur këtu, por prindërit apo edhe gjyshërit e tyre mund të kenë jetuar një kohë në Kosovë, edhe pse mund të jenë pasardhës të kolonëve serbë, të sjellur nga Beogradi, shumica para Luftës së Dytë Botërore, por edhe pas saj.
Refik Hasani: 30% e shqiptarëve iu mohua e drejta e votës
Profesori nga Kosova Lindore, Refik Hasani, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se Serbia është duke ushtruar një spastrim shtetëror sistematik etnik përmes pasivizimit të adresave.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/April/03/auto_850x636_refik-hasani16183325791648975477.jpg)
Po ashtu, ai ka treguar se cilat vende ku banojnë shqiptarët po ndodhë mohimi i të drejtë së votës.
“Është e vërtet që Serbia tani më është duke ushtruar një spastrim shtetëror sistematik etnik nëpërmjet pasivizimit të adresave, veçmas në Medvegjë dhe Malësi të Bujanocit. Sipas asaj që po ndodhë në Komunë të Medvegjës kemi zvogëlim të të drejtës së votës së shqiptarëve, mund të jenë vetëm në Medvegjë dhe Bashkësinë lokale të Zarbicës e të Muhocit rreth 10 mijë vota më pak. Ky numër mendojmë është dyfishi i kësaj shifre. Për dy dekada Serbia në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ka fshirë nga regjistrat civil-ka pasivizuar afër 30% të kësaj krahine”, thotë ai.
Më tej, profesori ka treguar se cilat janë shkaqet që pse Serbia po e bën një gjë të tillë.
“Dhe si pasojë:
– Nëse nuk jemi shtetas të Serbisë, nuk mund të marrim asnjë dokument të gjendjes civile të identifikimit nga institucionet administrative,
– Sa më pak votues, po paraqiten në këtë dekadën e fundit, si në zgjedhje lokale e ato parlamentare, në ndarjen e buxhetit, etj.
– Nëse nuk jemi shtetas rezidentë, atëherë nuk do njihem zyrtarisht si shtetas i Republikës së Serbisë,
– Humbja e të drejtës, në përfaqësim e trashëgimi, nuk mund të kryejmë shitblerje në prona tona të luajtshme e të paluajtshme, nuk mund të kryejmë veprime tjera financiar, të kësaj natyre etj,
– Nëse rezultoni si një qytetar pa adresë fizike, sipas kësaj praktike nuk e kam rezidencën të rregullt në Republikën e Serbisë”, thotë ai.
Po ashtu, Hasani ka treguar se nga çfarë tjetër po rrezikohen shqiptarët e Kosovës Lindore prej shtetit serb.
“Këto janë shkelje, cenim, mohim i të drejtave elementare individuale dhe kolektive të neve shqiptarëve, kështu do të rrezikojmë të humbasim pronat tona, makinat, shtëpitë, tokat, përdorimin e llogarive bankare, sigurimet.
Kjo krahinë është rajoni më i pazhvilluar dhe më i diskriminuar në të gjitha fushat e jetës, jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Evropën”, thotë ai.
Sipas profesorit, ka një mënyrë që mund të ndalet ky spastrim shtetëror, që po bëhet nga Serbia.
“Ky diskriminim do të duhej të ndalej sa më parë vetëm e vetëm me ndihmën ndërkombëtare, që nga përfundimi i luftë së UÇPMB-ës dhe arritjes së Marrëveshjes së Konçulit kjo krahinë është lënë pas dorë,
-Mungon prezenca ndërkombëtare,
-Amnistia dhe çështjet që kanë të bëjnë me pushtetin lokal nuk kanë dhënë rezultate të duhura,
-Funksionimi i policisë multi-etnike nuk po shkon si duhet-shqiptarët nuk janë të përfshirë në përpjesëtim me popullatën në zinxhirin komandues të Policisë,
-Shqiptarët në këtë Krahinë nuk e kanë ende të zgjidhur shkollimin universitar (autori ka kërkuar themelimin e një Universiteti shtetëror në gjuhën shqipe),
-Nuk ka investime në infrastrukturë, ende shqiptarët nuk kanë përkujdesje themelore shëndetësore, kjo Krahinë me mbi 100 mijë banorë nuk e ka një spital regjional,
-Republika e Serbisë, ende edhe pas gati dy dekadave nuk kanë asnjë një ofertë serioze për kthimin e të zhvendosurve në trojet e tyre. Bile sillen sikur nuk ka pasur fare luftë të armatosur dhe zhvendosje të mbi 35 mijë banorëve që i kanë lëshuar trojet e tyre nga pushteti agresiv i Serbisë,
-Përdorimi i flamurit kombëtar shqiptarë dhe përdorimi i gjuhës shqipe nuk është rregulluar me ligj,
-Përfaqësimi proporcional mungon jo vetëm në nivelin qendror, por edhe në atë lokal,
-Nuk ka liri të lëvizjes së lirë në disa zona që janë shndërruar si poligone të ushtrisë së kombinuar serbe. Prandaj, është momenti i fundit ta kthejë vëmendjen bashkësia ndërkombëtare edhe në këtë krahinë, para se të dëbohet e pasivizohet shumica nga aparati shtetëror i Serbisë”, shpjegon ai.
Por, të gjitha këto shkelje të të drejtave të shqiptarëve, nuk e kanë penguar asnjëherë Edi Ramën, që ta lartësojë Serbinë dhe kryepushtetarin e saj autokrat, Vuçiqin. Madje ta mbrojë edhe kur doli kundër BE-së dhe SHBA-së, për vënien e sanksioneve Rusisë, për shkak të pushtimit të territoreve të Ukrainës, dhe krimeve të luftës që po kryen atje.
Tutje, profesori ka kërkuar nga qeveritë shqiptare që ta ndërrojnë diskursin politik.
“Por, edhe Tirana e Prishtina zyrtare do të duhej ndërruar qasjen politike të ndjekur si deri më tani në raport me Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën. Mesazhi është: Ndërkombëtarët ta kthejnë vëmendjen në Luginë, para se të dëbohemi e t’ju pasivizohet shtetësia shumicës së shqiptarëve”, thotë profesori Hasani.
Kritikohet bashkësia ndërkombëtare
![Image](/media/botasot.info/images/2022/April/03/auto_850x636_850x636_auto_auto_850x636_auto_mulliqi1601660442161798861116246991871629441232163372338416391370361648975479.jpg)
Ndërkaq, analisti politik, Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot” thotë se shqiptarët në Kosovën Lindore nuk i gëzojnë të drejtat e tyre.
“Në fillim të kësaj teme, dy fjalë për shtetësinë. Shtetësia është statusi që përcakton përkatësinë shtetërore të individëve. Nocioni i shtetësisë paraqet lidhjen juridike të qytetarit me shtetin. Diskriminimi i pushtetit serb ndaj shqiptarëve nuk është i tashëm, ajo ka qenë prezente gjithmonë në këtë shtet të pareformuar. Shqiptarët në këtë republikë nuk i gëzojnë të gjitha të drejtat, të cilat ju takojnë, në shkollim, në përdorim të dygjuhësisë, në përfaqësime në institucione të shtetit, dhe as në planin e të drejtës së shtetësisë. Kur jemi këtu të theksojmë se edhe në Maqedoni të Veriut gjendja e shqiptarëve nuk është ende e nivelit të dëshiruar”, thotë ai.
Po ashtu, ai thotë se Serbia asnjëherë nuk ka hequr dorë nga projekte diskriminuese të shqiptarëve.
“E përmenda këtë fakt me këtë rast, se kurrë Serbia, por edhe Maqedonia e veriut, nuk i kanë ndalur planet për diskriminim të shqiptarëve. Serbia po ua humb të drejtën e shtetësisë mijëra shqiptarëve, duke mos ua mundësuar atyre të drejtën ligjore dhe demokratike në zgjedhjet e radhës. Serbia e shovinistit Vuçiq shumë pa të drejtë po vë paralelizëm për mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, kur dihet se minoriteti serb jeton në një shtet tjetër sovran dhe të pavarur, në krahasim me shqiptarët, të cilët jetojnë brenda territorit të Serbisë”, thotë ai.
Më tej, ai cek se kërkesat e përfaqësuesve politik të shqiptarëve nuk janë marr seriozisht nga bashkësia ndërkombëtare.
“Shumë herë përfaqësuesit shqiptarë në Kosovën Lindore e kanë ngritur zërin para bashkësisë ndërkombëtare për padrejtësitë dhe diskriminimin, madje racial që po iu bëhet atyre në Serbi. Por, kurrë deri më sot nuk u morën seriozisht ankesat e tyre”, thotë ai.
Sipas tij, BE-ja është dashur që t`i bëjë trysni Serbisë për zgjedhjet e sotme. “Kësaj radhe BE-ja ishte dashur t`i bëjë trysni më shumë shtetit serb, që t’ua rikthejë shtetësinë atyre shqiptarëve që ua hoqi, dhe të marrin pjesë në zgjedhje të gjithë shqiptarët me të drejtë vote. Nëse minoriteti serb në Kosovë, i gëzon gati të drejtat e barabarta me shqiptarët shumicë në Kosovë, pse shqiptarët në Kosovën Lindore dhe kudo tjetër në Serbi mos ti gëzojnë as të drejtat elementare njerëzore të siguruara me shumë konventa ndërkombëtare?”, vlerëson ai.
Serbia qëllimisht e la në varfëri Kosovën Lindore
Mulliqi ka hedhur kritika ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, pasi që nuk kanë bërë sa duhet për shqiptarët.
“Duhet pranuar faktin, se edhe dy shtetet shqiptare në Ballkan, Kosova dhe Shqipëria deri më tash nuk i kanë ndihmuar sa duhet çështjes së pazgjidhur të shqiptarëve në Serbi. Pushtetet në Prishtinë dhe në Tiranë duhet më shumë ta ngrehin zërin para faktorit ndërkombëtar. Kosova ka bërë lëvizje të vogla në këtë drejtim, që nuk janë hiq të mjaftueshme, ndërsa pushteti në Tiranë, pothuaj i ka qitur krejt në harresë, e që nuk justifikohet. Madje, dihet se Rama edhe e përkrahu idenë e “Ballkanit të hapur”, ide kjo shumë e papjekur, kur nuk ekzistojnë kushtet për një gjë të tillë. Dhe, për faktet madhore se Serbia, nuk e ka pranuar Pavarësinë e Kosovës, nuk ka bërë kurrë një kërkim falje për gjenocid ndaj shqiptarëve, dhe po i diskriminon shqiptarët në Luginë, politikisht dhe ekonomikisht. Dihet se ky rajon me shumicë shqiptare ka mbetur i pa zhvilluar ekonomikisht dhe i varfër”, deklaroi Mulliqi.
Në fund, ai ka treguar se çfarë po bën Serbia dhe se çfarë duhet të bëjë Kosova lidhur me këtë çështje.
“Madje, ky shtet po tregohet se është nxitës i luftës së re në Ballkan së bashku me Rusinë e Putinit. Invazioni i Rusisë në Ukrainë sikur po i jep krahë pushtetit shovinist të Vuçiqit për ta kërcënuar Kosovën me luftë, por paralelisht me këtë po e rritë edhe diskriminimin e shqiptarëve në Serbi, me humbjen e të drejtës për pjesëmarrje në zgjedhje. Kosova vazhdimin e bisedimeve duhet ndër të tjera ta kushtëzojë edhe me çështjen dhe diskriminimin e padurueshëm që po ju bëhet shqiptarëve në Kosovën Lindore. Ka ardhur koha e unitetit të të gjithë spektrit politik shqiptarë, të pushteteve në Shqipëri dhe në Kosovë, që t’i mbrojnë të drejtat legjitime të shqiptarëve në të gjitha trojet etnike. Hegjemonisë serbo-ruse duhet që përfundimisht t’u ndalet turri…!”, përfundoi Mulliqi për “Bota sot”.
Ndryshe, në këto zgjedhje që po mbahen sot, po garojnë dy liste shqiptare. “Koalicioni i shqiptarëve të luginës” e cila po përfaqësohet nga Shaip Kamberi dhe “Alternativa Demokratike shqiptare” që për lider ka Shqipërim Arifin.
Fatkeqësisht këta kandidat dhe subjektet e kanë të pamundur, të realizojnë premtime, as ato minimale, si për më shumë punësim, më shumë të drejta, apo për dhënien fund të pasivizimit të adresave!