Kryeministri i Kosovës, Albin ka qëndruar për vizitë në Oslo të Norvegjisë. Ai ka pasur disa takime me zyrtarë të lartë shtetëror, dhe një takim kryesor me kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Store.
Sipas kryeministrisë së Norvegjisë, në njoftimin e saj publik për takimin, kryeministri i saj, z. Store ka thënë se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor s’mund të merret si i mirëqenë dhe se rajonit mund t’i kthehen flakët përsëri.
“Çështjet e pazgjidhura që datojnë nga vitet 1990 mund t’i vënë sërish flakën rajonit”, tha kryeministri Store
Reagimi i tij është në radhën e atyre që vazhdimisht janë thënë nga udhëheqës të lartë si të NATO-s, BE-së, dhe të ndonjë shteti tjetër perëndimor, sipas të cilëve, nga përshkallëzimi i konflikteve janë të kërcënuara Gjeorgjia, Moldavia dhe Ballkani Perëndimor.
Kryeministri norvegjez ishte edhe më i qartë, duke paralajmëruar rrezikun për luftë në rajon, duke mos e përjashtuar Kosovën, meqë atë mesazh po ia thoshte Kurtit, dhe duke iu referuar çështjeve të pazgjidhura, një aludim i qartë për Bosnjën dhe veriun e Kosovës.
Çfarë duhet të bëjë Kosova për të rritur sigurinë e saj, procesi për anëtarësim në NATO duket ende larg, FSK-ja ende nuk i ka rritur kapacitetet mjaftueshëm.
Lidhur me atë se a duhet të nënshkruajë ndonjë marrëveshje dypalëshe për mbrojtje (me SHBA), për “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.
“Janë arritur edhe pritjet për anëtarësim në NATO”
![Image](/media/botasot.info/images/2022/April/03/auto_850x636_islam-krasniqi16191857841649001064.jpg)
Analisti politik, Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se Ballkanin po e bënë të sigurt humbja e Rusisë, por edhe FSK-ja është e gatshme për çdo konflikt që mund të ndodhë.
Ai duke argumentuar më tej, thotë se ne e kemi edhe KFOR-in, i cili e garanton sigurinë e vendit, por edhe ia shuan Serbisë ëndrrën për çdo konflikt të ri.
“Dështimi i Rusisë në Ukrainë e bënë më të sigurt Ballkanin, sepse plani i Rusisë ka qenë pushtimi i Ukrainës për një kohë të shkurtër, dhe që i kishte premtuar edhe udhëheqësit serb të Bosnjës një përkrahje që të shkëput Republikën Serbe atje, e që do të ishte pritur edhe ndonjë konflikt i ri në Ballkan. FSK-ja është e gatshme për çdo eskalim të situatës apo ndonjë konflikt të ri, sepse ajo deri këtu ka ardhur në bashkëpunim me SHBA-të dhe NATO-n, duke i ndjekur trajnimet dhe instruksionet e tyre, e që kapacitetet për mbrojtjen e territorit janë arritur, e që jemi të hendikepuar në teknologjinë (armatim), e cila pritet që në një kohë të shkurtër të përmbushet me kapacitete aq sa na lejon SHBA-ja, por pa harruar se janë arritur edhe pritjet për anëtarësim në NATO. Po ashtu KFOR-i është në vendin tonë, i cili garanton sigurinë në vend dhe i cili është i obliguar për çdo eskalim të situatës të dal në ballë, gjë që Serbia akoma i vuan pasojat e bombardimeve të NATO-s, e që frika nga e kaluara ja vret ëndrrën e të ardhmes, saktësisht ja shuan dëshirën për Serbinë e madhe”, ka potencuar Krasniqi.
“Nuk ka nevojë fare për panik”
![Image](/media/botasot.info/images/2022/April/03/auto_auto_auto_auto_Blerim_Burjani1535830350154947625715740601361649001062.jpg)
Ndërsa, analisti Blerim Burjani, ka deklaruar se nuk do të ketë tjetër përshkallëzim që do të ndikonte në luftë.
Burjani thekson se, Kosova si garantues e ka KFOR-in, madje sipas tij, për luftë nuk e ka mendjen as Serbia.
“Nuk ka luftë në Ballkan, kjo është e qartë. Konflikti Rusi -Ukrainë është i lokalizuar në pikëpamje të krizave, nuk ka tjetër përshkallëzim që do të mund të fitohej përshtypja se lufta dhe konflikti do të zgjerohet. Pra, nuk do të ketë zgjerim, por do të ketë paqe të brishtë. Nuk duhet pas frikë, por menaxhim të konfliktit. Kosova ka e KFOR-in brenda si garantues, por as Serbisë nuk po i shkon mendja për me përshkallëzu konflikt, më duket e panevojshme që të flitet për konfliktin e pa qenë. Deri më tani nuk ka sinjale se do të ketë luftë më të gjerë në Evropë. Pra, nuk ka nevojë për panik fare. Konflikti Rusi-Ukrainë deri në qershor do të ndalet”, thotë ai për “Bota sot”.
Sidoqoftë autoritete ushtarake, madje shumë miqësore me shqiptarët, si gjenerali i shquar i NATO-s Vesli Klark, i cili i udhëhoqi bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, e ka përsëritur qëndrimin e tij, që NATO-ja duhet sa më parë ta bëjë Kosovën pjesë të sajë.
Po ashtu në samitin e NATO-s, presidenti kroat bëri thirrje që Kosova të anëtarësohet në Aleancë dhe të jetë pjesë e saj.
Ka edhe shumë zëra të tjerë, që vazhdojnë të bëjnë thirrje për përshpejtimin e procedurave, dhe tejkalimin e burokracisë për anëtarësimin e disa shteteve në BE dhe NATO, si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, dhe kërcënimit të vazhdueshëm për sulme bërthamore.