Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se do të ishte një lajm shumë i mirë për Kosovën nëse Qeveria Kurti do të merrte fund sa ma shpejt.
Sipas tij, Qeveria Kurti është duke qeverisur me arrogancë dhe padijeni.
“Mendoj që do të ishte lajm i mirë për Kosovën nëse kjo Qeveri merr fund sa ma shpejt. Do të ishte një lajm jashtëzakonisht i mirë për Kosovën nëse këta vendosin me i dhënë fund qeverisjes”, ka thënë Selmanaj.
Lidhur me këtë, analisti politik Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, thekson se Selmanaj ka krijuar averzion politik ndaj LVV-së, madje ai deklaron edhe akuza të tjera ndaj LVV-së, por që nuk përkojnë me realitetin.
“Fërkimet politike të deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj kanë një histori pak më të gjatë me LVV-në. Ai sikur ka krijuar averzion politik ndaj këtij subjekti politik, i cili qe një vit po udhëheqë me qeverinë. Prandaj, mua nuk më duket gjë e re nga Selmanaj kur deklaron se Qeveria Kurti sa më parë që merr fund do të ishte lajm i mirë për Kosovën. Ai lëshon edhe akuza të tjera se kjo qeveri po qeverisë me arrogancë dhe padijeni, që nuk përkon me të vërtetën. LDK-ja si subjekti më i madh politikë dikur në Kosovë të kohës së Ibrahim Rugovës, i ka pasur të gjitha atributet e një partie serioze të moderuar dhe pro perëndimore”, thotë ai.

Tutje shtoi se shumë anëtarë të LDK-së kanë tani pozita të larta, e që nuk kanë kontribuar asgjë për LDK-në.
Ai gjithashtu thekson se Selmanaj ka bërë deklarata të tilla edhe ndaj Osmanit.
“Pas vdekjes së presidentit Rugova dhe liderit historik të LDK-së, në këtë parti kanë aderuar njerëz që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për LDK-në. Krejt do të ishte në rregull që ata që aderojnë me qenë anëtar, por disa nga këta kanë marrë pozita të larta në parti dhe pastaj edhe në pushtet, e që nuk kanë treguar se janë në frymën rugoviste. Selmanaj kishte pasur disa fërkime edhe me Vjosa Osmanin deri sa ishte kjo në LDK. Deputeti Selmanaj, u dallua edhe për deklarata të pa matura politike lidhur me Vjosën dhe me LVV-në”, shtoi Mulliqi.
Përveç kësaj, Mulliqi gjithashtu e përmend edhe një deklaratë të Selmanajt rreth të pagjeturve, me ç’rast pas kësaj kishte marrë kritika, deklaratat e tilla të tij, sipas Mulliqit kanë “koherencë politike me deklarime e fundit të tij”.
“Sa ishte zëvendëskryeministër i Kosovës, ai ishte munduar të arsyetohet pas reagimeve dhe kritikave të shumta që ka marrë për një deklaratë të tij, për të pagjeturit në emisionin presing. Partia e Kurtit e pat interpretuar deklaratën e Driton Selmanajt si një sulm ndaj viktimave të luftës, të pagjeturve, Saranda Bogujevcit. Këto deklarime kanë koherencë politike me deklarimin e fundit të deputetit, lidhur me largimin e qeverisë Kurti, e cila pa dyshim po punon më mirë se qeveritë e deritashme dhe qeveria paraprake e Avdullah Hotit, ku Dritoni ishte zëvendëskryeministër i Kosovës”, theksoi Mulliqi.
Ai shtoi se Qeveria aktuale nuk po qeverisë sikur qeveritë e kaluara me korrupsion, por me duar të pastra.
Mulliqi një pjesë të deklaratë së Selmanajt e potencon se nuk është konstatim i saktë i tij, sepse qeveria është duke i zbatuar kërkesat e qytetarëve.
“Zaten edhe në këtë kontest duhet shikuar reagimet që po i bënë Selmanaj, se fortë iu ka dhimbsur me e lëshuar atë pozitë pushtetore që e kishte. Nëse kjo qeveri po qeverisë me arrogancë siç po thotë Selmanaj e nuk është ashtu, po qeverisë me duar të pastra, jo si qeveritë e kaluara që e mbytën vendin në korrupsion dhe në shumë dukuri tjera negative, duke ua bërë qytetarëve jetën gjithnjë e më të keqe. Sigurisht se kjo qeveri nuk e ka shkopin magjik që problemet e grumbulluara për 20 vite t’i zgjidhë brenda një kohe të shkurtër. Ai tutje thotë se “populli i Kosovës ka pasur nevojë që ta shoh Vetëvendosjen në pushtet dhe thotë se edhe populli është bindur se qeverisja e VV-së është e paaftë për t’iu dhënë zgjidhje problemeve”. Ky konstatim nuk është i saktë, i deputetit Selmanaj, sepse qeveria pikërisht është duke i zbatuar kërkesat e popullatës që nuk ka ndodhur shumë përpara”, përfundoi ai.