Kosova është vendi i parë ballkanik që ka për herë të dytë një grua në krye të shtetit. Kush është ylli politik Vjosa Osmani?
Është bërë një vit, që kur Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Republikës së Kosovës. E në njëvjetorin e saj, media e njohur zvicerane, Blick i ka kushtuar një shkrim të veçantë presidentes Osmani.
“Super juriste, nënë e binjakëve, dhe talente për gjuhët”. Me këto fjalë e përshkruan Vjosa Osmanin Blick në shkrimin e saj, të cilin ua sjellë të plotë në shqip gazeta “Bota sot”:
Nëse doni të dini se çfarë e shtyn Vjosa Osmanin që të punojë, mjafton të shkoni në profilin e saj në Tëitter. Në një video nga maji 2020, mund ta shihni Osmanin duke kënduar e lumtur me dy vajzat e saj, binjake.
“Vajzat e mia janë motivimi im i përditshëm dhe më bëjnë të besoj se një nënë e binjakëve mund të bëjë gjithçka”, shkruan 38-vjeçarja.
Dhe kjo është me të vërtetë gjithçka! Pothuajse një vit më vonë, Vjosa Osmani është në krye të Kosovës. Ajo ishte votuar të dielën e 4 prillit të vitit 2020 nga Kuvendi i Kosovës me sugjerim të partisë qeverisëse “Lëvizja Vetëvendosje!”, e kryeministrit Albin Kurti (46).
“Tani po hapim kapitullin tonë të parë të suksesit!”, deklaroi e sigurt Osmani në fjalimin e saj inaugurues.
Shef e Stafit të Presidentit si 27 vjeçare, PhD në SHBA
Doktoresha e drejtësisë është gruaja e dytë në krye të shtetit në historinë e re të vendit. Për shkak se ish-kreu i shtetit, Hashim Thaçi (52) dha dorëheqjen për shkak të një aktakuze nga Gjykata Speciale e Kosovës, Osmani e kishte mbajtur përkohësisht detyrën që nga nëntori.
Edhe si adoleshente ishte aktive në partinë liberal-konservatore, LDK. Pas studimeve për drejtësi në Prishtinë dhe Pitsburg (SHBA), Osmani filloi të punojë në vitin 2009 si shefe e kabinetit të presidentit të atëhershëm Fatmir Sejdiu (70). Në të njëjtin vit ajo filloi edhe doktoraturën në SHBA, të cilën e përfundoi në vitin 2014.
Por në vend që të ndiqte një karrierë në universitet, ajo vazhdoi të përfshihej politikisht. Ajo shërbeu tre mandate si deputete – dy herë nga të cilat ishte deputetja me më shumë vota.
Osmani nuk ka frikë
Shqiptarja nga Kosova konsiderohet të jetë jashtëzakonisht elokuente dhe e sigurt në vetvete.
“Edhe kritikat më të ashpra, i merr me qetësi”, analizon në Twitter eksperti i Ballkanit, Aleksandar Brezar.
Ajo ecën e sigurt edhe në skenën ndërkombëtare. Atë e ndihmon edhe talenti i saj për gjuhë: përveç shqipes dhe anglishtes, Osmani flet edhe serbisht, turqisht dhe spanjisht.
Ajo u përplas me të fortët e partisë së saj. Kundër vijës partiake, Osmani refuzoi ish-kryeministrin Hashim Thaçi për rolin e kreut të shtetit. Kur Thaçi megjithatë u zgjodh president në vitin 2016, Osmani foli për një “takim të turpit”. Më vonë ajo e akuzoi atë për negociata sekrete me Serbinë.
Shqiptarët e Zvicrës i sollën fitoren Osmanit
Pavarësisht konfliktit me partinë e saj LDK, Osmani u konsiderua kryeministre e mundshme në vitin 2019 dhe ishte nënkryetare e partisë në pushtet deri në qershorin e kaluar. Pastaj pati një mosmarrëveshje, Osmani u largua nga partia e saj - por mbeti kryetare e Kuvendit.
Së bashku me Albin Kurtin dhe partinë e tij të majtë reformuese "Lëvizja Vetëvendosje!" ajo kandidoi në zgjedhjet e 14 shkurtit. Edhe shqiptarët nga Zvicra e bënë fituese të qartë dyshen politike me 48 për qind të votave.
Tani Osmani dëshiron ta çojë Kosovën përpara.
“Para së gjithash, ne duam të vendosim korrupsionin nën kontroll dhe të krijojmë vende pune, veçanërisht për brezin e ri dhe për gratë”, tha Osmani në një intervistë për BLICK në mars në Bernë.
Osmani inkurajon femrat e Kosovës
Tema e zemrës së saj është avancimi i vajzave dhe grave, ku gjithmonë luan rol në punën politike të Osmanit. Ajo kishte një mesazh të veçantë edhe në fjalimin e saj inaugurues.
“Gratë e reja janë të vetmet që mund të vendosin se çfarë duan të jenë në jetë”.
Ato e meritonin të arrinin dëshirat dhe ëndrrat e tyre.
Presidentja e re e shtetit u bëri thirrje të rinjve të Kosovës: “Kështu që mos nguroni kurrë të bëni këto gjëra! Çdo gjë është e mundur" .
Një mesazh që me siguri do të përcjellë edhe për dy vajzat e saj./Bota sot