Në Serbi më 3 prill u mbajtën zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Këto janë zgjedhjet e para që në Kosovë nuk u mbajtën dhe zgjedhësit serbë nga Kosova kanë shkuar me autobusë në Serbi.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga organizatat joqeveritare në Serbi, IPSOS/CeSid, kandidati i Partisë Përparimtare Serbe dhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka fituar 59.8 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale, përcjell “Bota sot”.
Presidenti aktual i Serbisë dhe lideri i Partisë Përparimtare Serbe, Aleksandër Vuçiqi e shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të mbajtura më 3 prill.
Mirëpo, ajo se çfarë mori vëmendjen kësaj radhe, ishte festa e serbëve në veri të Kosovës.
Një festë e bashkangjitur me breshëri kallashnikovi, duke qëlluar me armë në ajër.
Pa reaguar nuk mbeti Policia e Kosovës, e cila ka iniciuar lidhje me rastin, mirëpo që ende nuk ka të arrestuar nga ky rast.
Vlen të përmendet nëse e njëjta do të kishte ndodhur nga qytetarët e Kosovës, a do të lejoheshin?
Mehazi: Qeveria e Kosovës krismat e serbëve me kallashnikov duhet dënuar me burgosje
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/April/06/auto_850x636_auto_auto_auto_auto_mehazi155760066715591588281559203938155991416116347241091649269811.jpg)
Profesori e quan përkrahje të agresionit rus në Ukrainë kjo mënyrë e të festuarit nga serbët e Vuçiqit.
“Fitorja e Vuçiqit që u festua me armë e kallashnikovë nga serbët e Kosovës e më gjerë, e ka kuptimin, e përkrahjes së agresionit rus në Ukrainë, përveç kësaj krismat e armëve simbolizojnë se serbët e Vuçiqit s'janë për paqe, por për përhapjen e luftës ruse mu në zemrën e Ballkanit, Kosovë.
Festa dhe gëzimet e serbëve me krisma të kallashnikovëve krahasohet me këngën e "famshme" nacionaliste të këngëtarit serb, Bregoviqit, "Kallashnikov" kënduar me rastin e festës së birrës në Korçë”, u shpreh ai.
Më tej, ai përmend këngëtarin serb, Bregoviq, i cili ditën e birrës e ka festuar me “kallashnikov”.
“Në Korçë këngëtari nacionalist serb Bregoviq, festonte ditën e birrës me ,"Kallashnikovin" e tij të njohur artistik kundër shqiptarëve e popujve tjerë kroat, boshnjak e malaziaz, kurse gjatë fitores së Vuçiqit si President i Serbisë e partisë së tij në parlament, qytetarët serb të Kosovës festuan me krismat e kallashnikovëve, që nënkupton, se, Veriun e Kosovës e kanë serbët e bëjnë, luajnë e veprojnë si duan vetë e jo si do e kërkon qeveria e Kosovës”, thotë Mehazi.
Profesori tutje thekson që nëse e njëjta festë do të ishte bërë nga qytetarët e Kosovës, atëherë Serbia do ta merrte si kërcënim për ata.
“Sikur gjatë fitores së Albin Kurtit, simpatizantët e LVV-së të kishin festuar me kallashnikovë, qeveria e Serbisë do të ishte çuar në këmbë duke propaganduar diplomacitë evropiane e botërore se krismat e kallashnikovëve të shqiptarëve të Kurtit bëhen kundër qytetareve serb në Kosovë, po që kërcënojnë edhe Serbinë”, shton profesori.
Ndër të tjera profesori kërkon nga qeveria e Kosovës të dënoj me burgosje të gjithë ata që bënë këto veprime provokuese.
“Prandaj, qeveria e Kosovës, krismat e serbëve me kallashnikov duhet dënuar me burgosje, njëkohësisht duhet alarmuar edhe diplomacitë e huaja për veprimet provokuese e luftënxitëse të Serbisë në Kosovë”.
"Kallashnikovi, artistik i Bregoviqit në Korçë, nxiti dhe inspiroi serbët e Kosovës që të festojnë fitoren e Vuçiqit me kallashnikov”, foli Mehazi për “Bota sot”.
Krasniqi: Veprimi i serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës tregon pasigurinë e komunitetit shqiptar për të jetuar në atë pjesë
![Image](/media/botasot.info/images/2022/April/06/auto_auto_850x636_islam-krasniqi161918578416397255091649269809.jpg)
Ndërsa, analisti politik, Islam Krasniqi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që ky veprim i serbëve tregon që të njëjtit kanë pasiguri për të jetuar në atë pjesë.
“Veprimi i serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës tregon pasigurinë e komunitetit shqiptar për të jetuar në atë pjesë. Turmat e popullit shumë lehtë mund të dalin nga kontrolli, mirëpo e mira e gjithë kësaj është se qytetarët tanë janë vetëdijesuar dhe festën më armë nuk po e praktikojnë, po ashtu edhe Republika e Kosovës është shembull në Ballkanin Perëndimor për mbajtjen e zgjedhjeve”, thotë ai.
Në fund, analisti shton që një festë e tillë nuk do të lejohej asnjëherë nga shqiptarët.
“Nuk do të lejonin një festë të tillë për qytetarët shqiptarë, por në atë pjesë nuk mund të ndërhyjë Policia e Kosovës sepse do të eskalonte situata dhe s’do të dilnim mirë edhe para bashkësisë ndërkombëtare, kur i dimë edhe mesazhet e tyre që i patën lidhur me zgjedhjet që si lejuam në vendin tonë”, përfundoi Krasniqi për “Bota sot”.