Sanksione totale diplomatike, ekonomike, bankare kundër Serbisë?!

Politika

Sanksione totale diplomatike, ekonomike, bankare kundër Serbisë?!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 6 prill 2022 Në ora: 22:06
Parlamenti Evropian

Pushtimi rus në Ukrainë ka bërë që Rusia të sanksionohet nga shtetet perëndimore dhe SHBA-ja. Edhe Kosova e ka mbështetur një gjë të tillë, madje ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Por, shteti i cili nuk ka vendosur e as nuk i ka mbështetur sanksionet ndaj Rusisë është Serbia. Asaj i është bërë thirrje për një gjë të tillë nëse dëshiron të futet në BE, por që Serbia mundohet ‘ta mbajë mirë’ edhe me BE-në edhe me Rusinë.

Së fundi, Serbia mbajti zgjedhjet, e që edhe për 5 vitet e ardhshme mund të jetë president Aleksander Vuçiqi, të cilin diktatori rus e ka uruar për fitoren.

E reagimi i fundit ishte nga Parlamenti Evropian, ku grupimi i socialistëve dhe demokratëve kanë kërkuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të ketë një qëndrim të qartë sa i përket luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Serbia gjithashtu duhet të përafrohet me sanksionet e BE-së kundër Rusisë pas luftës së Putinit kundër Ukrainës, sa më shpejt të jetë e mundur. Përndryshe, kjo do të ketë pasoja për perspektivën e saj në BE”, thuhet në deklaratën e tyre.

Mehazi: Qe njëzet vjet Parlamenti Evropian as që i merrte parasysh vërejtjet e ankesat e elitës politike të Kosovës

Lidhur me këtë profesori Sulejman Mehazi thotë se Parlamenti Evropian nuk i ka marrë kurrë parasysh edhe vërejtjet e ankesat e elitës politike të Kosovës ndaj rrezikshmërisë së veprimeve serbe, proruse në Ballkan.

Image
Sulejman Mehazi

“Ishte dashur nisja e luftës nga Rusia në Ukrainë për tu vetëdijesuar një grup i socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Evropian, kundër qëndrimeve proruse të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit. Për çudi qe njëzet vjet radhazi Parlamenti Evropian as që i merrte parasysh vërejtjet e ankesat e elitës politike të Kosovës ndaj rrezikshmërisë së veprimeve serbe proruse në Ballkan, aq sa parlamentarët evropian nuk gjetën forcë t’ju japin qytetarëve të Kosovës edhe gjënë më të vogël, liberalizimin e vizave”, thotë ai.

Pesë shtetet që se kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë

Sipas tij, Kosova ka kohë që paralajmëronte se Serbia ushqehet me paratë e evropianëve, kurse shpirtërisht e ideologjikisht është me Rusinë.

“Elita politike e Kosovës qe sa kohë paralajmëronte se Serbia ushqehet me paratë e evropianëve, kurse shpirtërisht e ideologjikisht serbët janë me vëllezërit e gjakut rusët, mirëpo BE-ja e Parlamenti Evropian ishin të shurdhër ndaj vërejtjeve kosovare, kurse të dëgjueshëm ndaj serbëve. E tani kur BE-ja e sheh rrezikun e vetë nga Rusia e Serbia që flakën e luftës mund ta përhapë brenda Evropës në shtetet e Ballkanit Perëndimor, sidomos në Kosovë e Bosnjë-Hercegovinë reagojnë kundër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, që të merr anën e sanksioneve ndaj Rusisë”, shprehet profesori.

Si lloj sanksioni e sheh për Serbinë, që ky Parlament të kërkojë sa më shpejt që pesë shtetet që se kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë.

“Deputetët socialistë dhe demokratë të Parlamentit Evropian për të vepruar kundër Serbisë e Vuçiqit shumë më mirë do të ishte që të kërkojnë nga ky parlament që sa më shpejt pesë shtetet që se kanë njohur Kosovën ta njohin, jo të kërkojnë anën e Vuçiqit kundër Rusisë, po të kërkojnë sanksionet totale politike diplomatike, ekonomike, infrastrukturore, doganore, bankare kundër Serbisë dhe ta përkrahnin Kosovën në të gjitha instancat botërore: NATO, BE, INTERPOL e OKB”, përfundon ai.

Duhanaj: Serbia e di se largimi i ndikimit rus në Ballkan, nënkupton përfundimin e hegjemonisë agresive serbe

Edhe analisti Leon Duhanaj në një përgjigje për “Bota sot” thotë se për Perëndimin me rëndësi është ta integrojë një regjion dhe grup shtetesh, por mos të integroj probleme brenda vetes.

Image
Leon Duhanaj

“Kur flasim për raportet e Serbisë me botën perëndimore, ne si shqiptarë, duhet ta shohim këtë raport shumë më me gjakftohtësi dhe më objektivisht. Ne duhet të dimë se bota perëndimore Ballkanin Perëndimor e sheh si pjesë të saj dhe integrimi i tij në Europë, është proces kompleks por i rëndësishëm për ta dhe për ne. I rëndësishëm për ta është se Perëndimi synon ta integrojë një regjion dhe grup shtetesh, por mos të integroj probleme brenda vetës. Kërkesa, apo pritshmëria e qarqeve të Kosovës se Serbia do të duhej t'u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë, është goxha jorealiste. Kjo sepse duhet ditur se Serbia është shumë shumë e varur nga Rusia për t'mos thënë totalisht. Pos kësaj Serbia e di se largimi i ndikimit rus në Ballkan, nënkupton edhe përfundimin e hegjemonisë agresive serbe në regjion”, thotë ai.

Sipas tij, kjo luftë që po ndodh në Ukrainë ka bërë që Perëndimi ta ndryshojë qasjen karshi raporteve me Rusinë e në këtë rast Serbisë, i duhet të qëndroj në linjë me rusët ose t'ua kthej shpinën përfundimisht Rusisë.

“Megjithatë, tani pas kësaj lufte të përgjakshme në Ukrainë, Perëndimi do ta ndryshojë rrënjësisht qasjen karshi raporteve me Rusinë dhe në këtë kontekst, edhe Serbia do të detyrohet të merr qëndrim më të qartë. Pas këtyre zgjedhjeve në Serbi, e sidomos pas zgjedhjeve në Francë zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor do të intensifikohen dukshëm dhe, presioni ndaj Serbisë do të rritet në të gjitha drejtimet. Serbia do të përballet me situatën; të qëndrojë në linjë me rusët, një shtet i cili do të dalë i dërmuar ekonomikisht nga kjo luftë dhe i izoluar ndërkombëtarisht, që do të thotë se mbajtja e lidhjes me rusët do ta fundosë edhe Serbinë në të gjitha aspektet. Ose t'i kthej shpinën përfundimisht Rusisë dhe të zgjedhë rrugën e integrimit europian që unë mendoj që do ta bëjë. Për Kosovën dhe shqiptarët, kjo situatë është tejet e rëndësishme. Ta marrim seriozisht fatin e së ardhmes sonë si shtet në veçanti dhe si shqiptarë në përgjithësi”, deklaron analisti.

Mes Lindjes dhe Perëndimit

Ai në fund thekson se fati i jonë si komb është pashmangshmërisht i lidhur me Perëndimin.

“Ne nuk duhet të presin se bota perëndimore të na trajtoj si fëmijë të llastuar, por duhet ta shohim situatën shumë ma seriozisht. Fati i jonë si komb është pashmangshmërisht i lidhur me Perëndimin, por edhe ne duhet përfundimisht të fillojmë të sillemi si perëndimor e jo të mundohemi me mbajtur shpagat mes Lindjes dhe Perëndimit. Shqiptarët kanë përparësi në këtë drejtim, por nëse vërtetë duan ta marrin këtë rol, atëherë duhet dukshëm ta ndryshojnë qasje!”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat