Ditë më parë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka takuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimi mes dy vendeve si në ekonomi, infrastrukturë, siguri e politikë të jashtme.
Ky takim nxiti reagime të shumta, pasi raportet Rama-Haradinaj kishin një kohë të gjatë që ishin tensionuar.
Madje, të dy ishin përplasur edhe në distancë, ku kishin lëshuar deklarata të ndryshme ndaj njëri-tjetrit.
Mirëpo, siç duket çdo gjë e kanë lënë pas dhe dy politikanët shqiptarë kanë vendosur të bëjnë ‘paqe’ mes vete.
Ishte Haradinaj, ai që deklaroi se tani gjërat kanë ndryshuar dhe se janë tejkaluar situatat që i ka pasur me Ramën në të kaluarën.
“Besoj se janë tejkaluar shumë situata që i kemi pasur në të kaluarën, tani jemi në një situatë krejt të re, është punë bashkëpunimi në interes të Shqipërisë, Kosovës. Këto ditë është një moment shumë i vështirë në Kosovë, rritja e çmimeve, probleme me energjinë, ishte e mirë kur Shqipëria na ndihmoi për Vitin e Ri, por kemi edhe momente të tjera. Ne nuk gazojmë të mbetemi peng i situatave në të kaluarën dhe të mos dimë të ecim përpara për interesin e vendit, për interesin e Kombit në këtë rast”, tha Haradinaj.
Njohësit e çështjeve politike, Dedë Preqi dhe Leon Duhanaj për gazetën “Bota sot” treguan pikëpamjet e tyre mbi takimin dhe raportet Haradinaj-Rama.
Preqi: Pajtimi mes Ramushit dhe Ramës
Fillimisht, opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për “Bota sot” thotë se zemërimi që vërehet ndërmjet shqiptarëve shndërrohet në urrejtje si në rastin e Ramush Haradinajt dhe të Edi Ramës.
“Mirë është që shqiptarët të mos mbajnë hasmëri me njëri-tjetrin, një dukuri negative dhe zemërim që vërehet shpeshherë ndër shqiptarë, në vend të marrëdhënieve reciproke dhe përafrimit e bashkimit në mes vete, ky reflektim shndërrohet në urrejtje të turpshme, siç ndodhi edhe në rastin e tillë në mes ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilët në një çast, nuk lënë gjë në këtë fytyrë të tokës pa ia thënë të gjitha të zezat njëri-tjetrit”, deklaroi ai.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/April/07/auto_850x636_850x636_850x636_Dede-Preqi1630933911163846335516430157891649353981.jpg)
Krahas kësaj, Preqi ‘pajtimin’ mes Haradinajt dhe Ramës më shumë e sheh si një lojë politike, se sa një gjest burrëror.
“Ndërkaq, ky veprim i së tanishmes në këtë rast pajtimi i Ramushit me Edi Ramën, sikur i kanë lënë konfliktet, sharjet dhe fyerjet në mes njëri-tjetrit, dhe se pajtimi i tyre do të hidhte dritë në të ardhmen, duke i harruar të gjitha ato shëmti që ia drejtuan njëri-tjetrit, a thua se u beson dikush aq lehtë këtyre lojërave të tilla, të cilët fare pak e disponojnë shpresën dhe forcën e thellësisë e të vëllazërisë në mes këtyre dy popujve, me një trung të përbashkët.
Për t’i besuar një veprimi të tillë, i cili në realitet do të ishte një gjest shumë burrëror dhe gjest fisnik ndër-vëllazëror, sikur ndodh pajtimi në mes të dy burrështetasve shqiptarë, por që ta pranojnë pa dilema turpin e tyre dhe t’u kërkojnë falje popullit shqiptarë, në një mënyrë apo tjetër, të mbyllin edhe një kapitull të tillë të urrejtjes dhe përçarjes në mes një populli të njëjtë”, theksoi opinionisti.
Gjithashtu, ai hodhi disa pikëpyetje se pse Haradinaj po takohet pikërisht në këto kohë me Ramën. Preqi përmendi mbështetjen që Rama po ia bën Serbisë përmes “Ballkanit të Hapur”, e që sipas tij këto janë rrethana që dëmtojnë shqiptarët.
“Nga ana tjetër, lind pyetja, pse Haradinaj, këto ditë do të takohet me Edi Ramën, përveç që kishin një acarim të marrëdhënieve në mes njëri-tjetrit, duke mos pasur kontakt një kohë të gjatë, tani do të takohen sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe me njeriun që i del në krah të Serbisë, duke e mbështetur edhe «Ballkanin e hapur», që është një plan dhe program i qartë i Vuçiqit, kundër shtetit të Kosovës, kur sot edhe Perëndimi e akuzon Serbinë, për mos vënien e sanksioneve ndaj Rusisë, e cila po shkakton një luftë të padrejtë me Ukrainën dhe po e masakron një popull të pafajshëm.
Të gjitha këto, janë rrethana dhe shpërthime të dhimbshme, që i dëmtojnë rrënjët e popullit shqiptarë, të cilat nuk mund të mos merren parasysh, nëse duhet ta masim dhe ta analizojmë motivin e arsyeshmërisë dhe esencën e saj, por edhe do të ishin shkaqe irelevante sikur të mos gjenin jehonë në mediumet dhe opinionet publike edhe nga ato të botës”, nënvizoi Preqi.
Edi Rama, nuk është protagonist i kompromiseve dhe i zgjidhjes së problemeve dhe fatit shqiptarë!
Në vazhdim, opinionisti thotë se në pajtimin vëllazëror mes Haradinajt dhe Ramës ka një ‘sherr’ të madh.
Madje, këtë e ndërlidhi me raportet e tensionuara të Haradinajt me Kurtin.
“Ndërsa në anën tjetër, pajtimi në mes Ramushit dhe Ramës, përveç se është gjest njerëzor dhe vëllazëror, por në këtë pajtim ka edhe një lloj «sherri» të thellë, që po përgatitet me një projekt dhe vizion të turbullt, edhe pse në fillim do duket i këndshëm, por që mund të shpërthejë më vonë, duke krijuar embrione të tjera egoiste dhe urrejtëse në mesin e popullit shqiptarë.
Ky vizion i turbullt dhe i pasigurt në vetëdijen e popullit shqiptarë, kryesisht edhe i nxitë dilemat dhe mbase ka zënë rrënjë, që kur Ramush Haradinaj, kohën e fundit është bërë protagonisti më i zëshëm dhe i disponueshëm kundër qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti, dhe është fare e qartë se autori anon nga ajo, që gjeneza e secilës duhet kërkuar diku në keqardhje, nga fakti se pushtetin Albin Kurti, nuk e mori me dhunë dhe me falsifikime të votave, por këtë pushtet ia dha vetë populli i Kosovës”, vlerësoi ai.
Më tej, Preqi foli për prapaskenat e këtij pajtimi dhe qëllimet që ty liderët shqiptarë kanë në prapavijë.
Ai nuk harroi ta përmend në këtë fakt edhe ndikimin e politikës serbe, përmes Listës Serbe.
“Dhe tani pajtimi i Ramushit me Edi Ramën, nuk do të thotë se në këtë pajtim nuk është edhe ndonjë marrëveshje e mundshme e shprehjes së lakmisë dhe interesave personale, që mund të shkaktojnë edhe ndonjë rrëmujë të papritur brenda gjirit të këtij populli, kur dihet se Edi Rama, nuk është protagonist i kompromiseve dhe i zgjidhjes së problemeve dhe fatit shqiptarë, ndërsa Ramushi, i cili e ka një bagazh të madh të vlerave të luftës, sikur ky njeri është i gatshëm sot të sakrifikojë çdo gjë për të arritur egon e tij në politikë.
Edi Rama, këtë pajtueshmëri do ta priste me dëshirë dhe në përputhje harmonike, kur provojmë të barazojmë, të sheshojmë të bëmat e tij dhe mbështetjen që po ia bënë Serbisë, pikërisht një plasaritje e tillë me Ramushin, nuk do t’i konvenonte, sepse një pjesë të lojës me Listën serbe, e gjejmë edhe te Ramushi, në një çast kohe të atillë kur asnjëherë nuk e pranon, dhe sikur akoma nuk po mundemi ta kuptojmë apo të marrim me mend fundin e këtyre lojërave me Serbinë, e cila edhe sot po i pretë momentet që të na përpijë”, shpjegoi opinionisti.
Në fund, ai përmendi edhe takimin e Ramës me Abdixhikun, ku sipas tij tani të gjithë liderët e Kosovës, në një mënyrë po bëhen ‘argatë’ të kryeministrit të Shqipërisë.
“Ndër të tjera si komponentë e këtyre rrethanave përmendet edhe takimi i freskët i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me Edi Ramën, sikur tani ka filluar në një mënyrë «razia» në mes lidershipit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, që në realitet do të ishte shumë e rëndësishme për popullin shqiptarë, sikur në këto takime të mos gatuhej edhe ndonjë kurth, që mund t’ia përgatisin njëri-tjetrit…
Të gjithë liderët e Kosovës, të cilët në një mënyrë po bëhen «argatë» të Edi Ramës, i cili është «argat» i Vuçiqit, mund të paramendojmë ose të kemi të paktën një vizion të qartë për konsideratën e shqiptarizmit tonë, në çfarë gjendje ndodhemi dhe si duhet të përballojë një lloj brumi të tillë, apo, a do të ishte i mundshëm zgjimi i shqiptarëve ndonjëherë dhe lindja e ndjenjës së dashurisë ndaj popullit dhe vendeve tona dhe në përputhje të plotë veprimi pa «hile» ashtu sikur do të na kishte pas lakmi dikush për të mirë”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.
Duhanaj: Kanë pasur keqkuptime
Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj mirëpret rregullimin e raporteve Haradinaj-Rama.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/April/07/auto_auto_auto_Leon-Duhanaj-850151838301015632585301649354040.jpg)
Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se është gjë e mirë që Haradinaj i është ofruar bashkëpunimit me Ramën, pasi keqkuptimet e tyre kanë ndikuar negativisht në raportet kombëtare.
“Kur flasim për raportet në mes liderëve shqiptarë gjithandej trojeve tona, duhet të ndjehemi të lumtur kur shohim gatishmëri për bashkëpunim. Natyrisht që çdoherë ka tema, të cilat mund të kenë mendime e qëndrime të ndryshme, megjithatë shqiptaria duhet të mbetet mbi të gjitha. Më vjen mirë që z.Haradinaj i është ofruar bashkëpunimit me z. Rama. Mendoj që kanë pasur keqkuptime, të cilat duke u bërë publike kanë ndikuar negativisht në klimën gjithëkombëtare”, thotë ai.
Duhanaj nuk e sheh si problem përkrahjen e “Ballkanit të Hapur” nga ana e kryeministrit shqiptar.
Madje, ai deklaroi se duhet të mbështeten nismat ndërkombëtare për integrimin përfundimtar në Evropë.
“Për sa i përket temës tjetër rreth Edi Ramës dhe "Ballkanit të hapur", unë kam mendim se pala shqiptare, nuk ka të drejtë ta akuzoj Edi Ramën për afrinë apo raportin e tij me Vuçiqin. Kjo për shumë arsye, por mbi të gjitha mendoj që asnjë shqetësim nuk ka që ne të mendojmë që dikush mund ta tradhtoj Kosovën, e aq me pak kur z. Rama është Kryeministër i një shteti tjetër.
Çështja e Ballkanit të Hapur, Mini Shengenit, Procesit të Berlinit, apo edhe Marrëveshjes së Ëashington, janë e njëjta gjë. Që të gjitha kanë qenë të bazuara në ide ndërkombëtare për një formë para integruese në rajon, si hap i rëndësishëm para integrimit përfundimtarë në Evropë”, vlerësoi analisti.
Ndër të tjera, ai kërkoi nga shqiptarët që në tema integruese e sidomos ato rajonale të operojnë me platformë të përbashkët.
“Shqiptarët, duhet që në tema integruese e sidomos ato rajonale të operojnë me platformë të përbashkët, vetëm kështu mund të bëhemi faktor determinues në rajon”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.