Ditë më parë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Haradinaj shkruan se e falënderoi Ramën për ndihmën e shtetit shqiptar gjatë krizës energjetike në Kosovë.
Ai shtoi se me Ramën ndër të tjera, bashkëbisedoi për projektin e hekurudhës Prishtinë – Durrës si dhe dhënien e dyshtetësisë për qytetarët e Kosovës.
Mirëpo ky “pajtim” mes dy liderëve po vjen mas shumë “përplasjeve” që kanë pasur mes veti dhe natyrisht që ngjalli reagime të mëdha tek opinoni publik.
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi.
Profesori u shpreh se Haradinaj bëri pajtimin e Ramën ani pse të dy kanë pasur probleme mes vete deri tek padia e këtij të fundit në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Akujt duket se u shkrinë. Ramush Haradinaj bëri pajtimin e tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, edhe pse ky i fundit e ka ofenduar dhe fyer rëndë e madje e paditi në gjykatën themelore të Prishtinës. Haradinaj akuzoi Ramën për komplot kundër pavarësisë së Kosovës dhe tani u bë bashkë me komplotuesin, batutaxhiun e Tiranës! Nëse Edi Rama do të kishte ndryshuar, d.m.th nëse ai do të kishte dhënë prova se është vënë në shërbim të forcimit të shtetit të Kosovës, pajtimi do të ishte për t’u përshëndetur. Por nuk është ky rasti, nuk ka ndodhur kjo gjë”, u shpreh ai.
Bytyçi më tej thotë se e gjith ky takim na bën të kuptojmë që është një plan I kurdisur nga opozita e Kosovës me mikun e mikun e madh të popullit serb dhe të presidentit të Serbisë, që fatkeqësisht kryen funksionet e kryeministrit të Shqipërisë.
“Edi Rama duke shfrytëzuar pozitën e tij si kryeministër i Shqipërisë, vazhdon të jetë mbështetësi kryesor i Serbisë në luftën që Beogradi ia bën Kosovës. Ky është paradoksi më i madh në historinë e shtetit shqiptar! Megjithatë Haradinaj e kapërdiu komplotin dhe iu bashkëngjit komplotistit Rama. Para tij ishin te Rama edhe liderët e tjerë opozitarë të Kosovës. Kjo bën që të duket si një planë i kurdisur e gjithë kjo dashni e madhe e opozitës të Kosovës për mikun e madh të popullit serb dhe të presidentit të Serbisë, që fatkeqësisht kryen funksionet e kryeministrit të Shqipërisë. Çfarë mund të ketë në këtë kurdisje”, thotë Bytyçi.
Takimet, bisedat, me Edi Ramën të Haradinajt e të tjerëve shoqërohen me intriga dhe kurthe
Nga ana tjetër profesori thekson që opozita për inati të Kurtit dhe Osmanit janë bërë bashkë kundër tyre dhe natyrisht këto takime janë të shoqëruar me kurthe dhe intriga.
“Edi Rama shfrytëzoi inatet politike opozitë-pozitë në Kosovë që ta joshë njërën palë (opozitën) t’i bashkohet atij në projektet serbe në Kosovë. Ne shqiptarët e kemi në traditë: Për inat të tjetrit i bashkohemi hasmit dhe djallit! Këtë gjë bënë Haradinaj, Abdixhiku e drejtuesit e PDK-së. Për inat të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit iu bashkuan intrigave të Edi Ramës. Askush të mos mendojë se këta politikanë në Kosovë mund ta kthejnë Ramën në rrugën e mbarë për ta ndihëmuar Kosovën në rrugëtimin e saj drejt shtetësisë. Harrojeni këtë.
Takimet, bisedat, me Edi Ramën të Haradinajt e të tjerëve shoqërohen me intriga, kurthe, përplasje me kundërshtarët. Rama i gënjen ata se “do t’i ndihëmojë të vijnë sa më shpejt në pushtet”! Ua mbush mendjen për këtë, sepse sajon lloj-lloj fantazish, deri atje sa t’u thotë se “Mua më kanë thënë në DASH ose në Bruksel njerëz të rëndësishëm se Albinin nuk e duan”! U thotë se “Aleksandër Vuçiq është ankuar për Albinin në Shtëpinë e Bardhë e te partnerët europianë, sidomos te Macron” dhe se këta i kanë premtuar se do ta eleminojnë zotin Kurti nga politika”, potencoi profesori.
Sipas Bytyçit opozita i beson çdo gjë që thotë Rama, duke besuar që ai përnjëmend do të bëjë gjithçka për Kosovën në të miren e saj.
“Ai e paraqet veten para Haradinajt si Zeusi, që “di gjithcka”, që “ka autoritet te ndërkombëtarët” etj. Madje u tregon barsoleta me biseda të ngrohta midis tij dhe liderëve të fuqishëm perendimorë. Dhe këta hapin sytë e thonë “Ky është aq i fuqishëm, sa nuk ka shansë ta përballë dikush”! Më pas arrijnë në përfundimin se “ia vlen të bashkëpunojmë me Edin”! Dhe Edi u hedh trotë e gomarit kur u thotë: “Mua më akuzojnë se punoj kundër Kosovës. Përralla! Unë jam fansi më i madh i Kosovës. A nuk e shpalla unë pavarësinë e Kosovës në Beograd”?! Dhe bashkëbiseduesit opozitarë të Kosovës hapin sytë e thonë me vete: “Po, kjo është e vërtetë. Me siguri që Edi Rama gjithcka e bën për të mirën tonë”, tha ai.
Profesori thekson edhe njëhere që Rama ka dëshiruar të ndajë Kosovën duke ia përmendur që ndarjen e cekur e ka parë edhe vet Haradinaj, andaj është e çuditshme si ai po bashkëpunon sërish me Ramën.
“Dhe Edi Rama “për të mirën” e Kosovës insistoi ta ndajë atë! “Për të mirën e Kosovës” shiku së bashku me Vuçiqin Open Balkan. “Për të mirën e Kosovës” e mbron Serbinë dhe Viciqin në këtë poeriudhë nga ndëshkimi europian për shkak të mos vënies së sanksioneve ndaj Rusisë! “Për të mirën e Kosovës” ka urdhëruar diplomacinë shqiptare të mos angazhohet për shtimin e njohjeve! Naivët vetëm besojnë, ata kurrë nuk dyshojnë. Po si mundet të besojë Ramush Haradinaj, kur vetë ka deklaruar se ka parë dokumente, me të cilat provohet që Edi Rama ka bërë gjithcka që Kosova të ndahet?! Këtë nuk e kuptoj”, shprehet Bytyçi.
Plani i opozitës për qeverinë Kurti
Bytyçi vë në pah se arsyja e cekur e Haradinajt e takimit të tyre nuk është shkaku kryesor që janë takuar.
“Unë nuk besoj se Edi Rama i ka thirr opozitarët e Kosovës të diskutojë me ta për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë. Nëse e ka hap këtë temë, i ka premtuar secilit se do të zgjdhte kandidaturën e preferuar të secilit. Por nuk do zgjidhen 3 ose 4 presidentë. Do zgjidhet vetëm një. Ndërkohë nuk besoj se Rama ka nevojë për mendjen e Ramushit se kush do jetë e duhet të jetë presidenti shqiptar. Ai si autokrat i dëshmuar e ka fiksuar në trurin e vet këtë zgjedhje. Zgjedhja e presidentit ishte një shpikje e Ramës për të mbuluar shkakun e vërtetë të këtyre takimeve”, shtoi profesori.
Në fund ai shton që plani i opozitës dhe Ramës është ta rrëzojnë qeverinë Kurti pasi I njejti nuk është dakord me idetë e tyre për ta fundosur Kosovë.
“Takimet lidhen me planet e përpjekjet për ta rrëzuar qeverinë e zotit Kurti. Këtë detyrë Ramës ia ka ngarkuar Aleksandër Vuçiq dhe këta opozitarë që edhe për vizitën e Gjuriqit në Shtëpinë e Bardhë fajësojnë qeverinë e presidenten e vendit, duket se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me kryeministrin e Shqipërisë dhe presidentin e Serbisë për ta rrëzuar qeverinë legjitime të Kosovës! Ramës i duhet largimi i qeverisë Kurti, sepse me Kurtin Vuçiqit i ka hasë sharra në gozhdë. I duhet se me Kurtin nuk po i ecë projekti për krijimin e Jugosllavisë së Re përmes Open Balkan! Kryeministri Rama i ka bërë shumë premtime Aleksandër Vuciq dhe për këtë arsye nuk fle, nuk rri, gjithmonë kur është fjala për ta shkatërruar shtetësinë e Kosovës”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.