Isa Mustafa nuk i lë anash inatet politike/ Analistët kritikojnë ashpër deklaratat e tij ndaj Presidentes Osmani

Politika

Isa Mustafa nuk i lë anash inatet politike/ Analistët kritikojnë ashpër deklaratat e tij ndaj Presidentes Osmani

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 10 prill 2022 Në ora: 08:31
Isa Mustafa, Vjosa Osmani

Siç duket puna e presidentes së Kosovës nuk po i pëlqen ish shefit të saj.

Ish kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai ka hedhur akuza ndaj Osmanit, ka përmendur disa çështje që sipas tij, nuk i kanë interesuar presidentes.

“Nuk kam vërejtur se është preokupuar për probleme të brendshme. Më tepër është marrë me stigmatizimin e kundërshtarëve, me gjetjen e armiqve të Kosovës, sesa me hapjen e prosperitetit të Kosovës dhe me trajtimin e shumë problemeve të brendshme. Është ikja e njerëzve nga vendi, rritja e çmimeve, inflacioni, papunësia, gjendja sociale, problemi i veriut të vendit dhe me serbët atje, qëndrimi sundues i pozitës ndaj opozitës në Kuvend, çështje që nuk i kanë interesuar Presidentes. Pas agresionit rus në Ukrainë, Presidentja dhe Kryeministri merren çdo ditë me Ukrainën, por të dytë e dinë se askush nuk i pyet për këtë punë”, ka thënë Mustafa për mediat vendore.

Por, jo të gjithë mendojnë njësoj për Osmanin, sikurse Mustafa.

Njohësit e çështjeve politike, i kanë kujtuar Mustafës deklaratat që i kishte bërë gjatë kohës kur ishte kryeministër i Kosovës, gjatë kohës kur kishte ikje masive nga vendi.

Mehmeti: Isa është inatçor

Analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar se pse deklarimet e Mustafës për presidenten Osmani nuk duhet të merren seriozisht.

Image
Faton Mehmeti

“Isa është inatçor, tipi i njerëzve që të pandreqshëm e të cilët nuk arrijnë dot ta pranojnë gabimin, Isa e urren Vjosën, andaj s`mund të jetë kurrë objektiv, gjithnjë subjektiv, në këtë kuptim deklarimet e tija nuk janë reale dhe si të tilla nuk ia vlen të merren seriozisht”, ka thënë ai.

Po ashtu, Mehmeti ka rikujtuar edhe një deklaratë të Mustafës për ikjen e qytetarëve të Kosovës.

“Isa është ai që kur iknin qytetarët, në vend se të kuptojnë arsyen dhe tu bënte thirrje për qëndrim në vend, ia ironizonte se "po dalin jshtë me iphone në dorë", duke lenë të kuptohet se ata s`po iknin nga halli, por po shkonin për vizita turistike. Në këtë kuptim, kur e njohim Isën se kush është, nuk ia vlen me u marr me të”, ka thënë ai.

Më tej, Mehemti ka vënë në pah se Osmani ka mbështetjen e qytetarëve të Kosovës.

“Vjosa është presidentja që ka mbështetjen më të madhe që një politikan ka pasur në Kosovë, përpos Rugovës, qytetarët vlerësojnë më së miri, gjë të cilën Isa nuk e kupton dhe pranon asnjëherë, andaj është ku është i dështuar”, ka thënë Mehmeti për “Bota sot”.

Duhanaj: Mustafa ka të drejtë të ketë qëndrim politik

Në anën tjetër, analisti politik, Leon Duhanaj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka treguar se si duhet të trajtohet Mustafa.

“Kur flasim për z. Isa Mustafa, nuk mendoj se duhet ta trajtojmë si kryetar të LDK-së, por si një ish kryetar dhe se ndikimi i tij politik nuk është ai që bën dallimin politik në vend. Megjithatë, z. Mustafa ka të drejtë të ketë qëndrim politik siç ka çdo qytetar i lirë në Kosovë”, ka thënë ai.

Image
Leon Duhanaj

Po ashtu, ai ka kritikuar edhe Osmanin, duke thënë se është treguar e njëanshme.

“Në anën tjetër, kur flasim për Presidenten Osmani, nuk duhet shumë analizë që ta kuptuar se zonja Presidente, për një vit angazhim në postin e Presidentes së vendit nuk mund të gjejmë asnjë nismë e cila do të na mundësonte ta kuptojmë thelbin e autoritetit të saj kushtetues, e që është uniteti i kombit. Znj. Presidente, në asnjë moment nuk ka treguar afinitet bashkëpunues objektiv por, ka mbajtur anë dhe është shndërruar në shërbëtore të denjë të Kryeministrit Kurti”, ka thënë ai.

Në fund, është shprehur se Osmani e ka vazhduar aty ku e ka ndërprerë si ish nënkryetare e LDK-së.

“Për ketë dhe në ketë kontekst, konsideroj që Presidentja ndër tjera ka dështuar ta përmbush obligimin kryesor kushtetues të saj, e që është uniteti. Në vend të kësaj, ka vazhduar aty ku e ka ndërprerë si ish nënkryetare e LDK-së”, ka përfunduar Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat