Mosliberalizimi i vizave për Kosovën, sot po vlerësohet si shkelje e vlerave të barazisë dhe drejtësisë mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.
Pritjet për liberalizim vizash thuaja e kanë një dekadë, por në një moment të caktuar, para disa vitesh, ky proces u quajt i mbyllur, sepse ishte marrë vendimi pozitiv, sipas atyre që po festonin.
Dy protagonistë të shënimit të festës u bën Bekim Çollaku ish-ministër i Integrimeve Evropiane kishte festuar me shampanjë së bashku me kabinetin e tij më 4 maj 2016.
Pas Çollakut, edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi kishte publikuar një foto për “liberalizimin e vizave”, në të cilën shihej edhe kryeministri i asokohshëm Isa Mustafa.
Por, liberalizimi i vizave nuk ka ndodhur ende, pavarësisht se dëshira nuk mungon, e madje konsiderohet si padrejtësi e madhe nga ana e Bashkimit Evropian, i cili po ia mohon të drejtën për lëvizje të lirë qytetarëve të Kosovës, duke i lënë të izoluar.
Ambasadorë të papërgatitur për diplomaci
Se kushtet nga ana e Kosovës janë përmbushur nuk e thonë vetëm politikanë e analistë të Kosovës por edhe ndërkombëtarë, mirëpo një gjë e tillë nuk dihet ende se kur mund të ndodhë.
Në anën tjetër, shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog thotë se BE-ja e ka kryer detyrën e saj dhe se është Qeveria e Kosovës ajo që duhet t’i bëjë detyrat e shtëpisë.
“Liberalizimi i vizave, kjo është diçka që unë personalisht e gjej të vështirë ta kuptoj pse nuk është bërë deri më tani por që nuk është çështje për institucionet e Bashkimit Evropian, institucionet e BE-së e kanë bërë pjesën e tyre të punës, por e kemi Komisionin Evropian, kemi një kundërshtim nga 2018 një numër i rezolutave të Parlamentit Evropian por që vendimmarrja është në shtetet anëtare, është Këshilli i BE-së që vendosë. Prapë po them, do të doja të shihja më tepër që Qeveria e Kosovës t’ju ofrohet shteteve anëtare, të punojë përmes ambasadave të tyre, ka shumë ambasada që Kosova ka në shtetet anëtare të BE-së”, është shprehur ai.
Sipas shefit të BE-së në Kosovë, Qeveria duhet t’i bëjë detyrat e saj të shtëpisë dhe t’i prezantojë para shteteve anëtare sukseset e arritura.
“Njërin nga ish-ambasadorët e Kosovës e pyeta se sa herë kishte vizituar Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe kishte folur me këto institucione që janë përgjegjëse për Shengenin dhe çështje të migrimit dhe ai tha asnjëherë. Asnjëherë nuk kishte marrën ndonjë udhëzim që të prezantojë shifra për shembull sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të ndërmarrë hapa aktivë dhe të flasë me njerëz që janë vendimmarrës… Prandaj do të doja të shihja pjesën përveç institucioneve të BE-së, të shihja edhe qeverinë të bëjë detyrat e saja të shtëpisë, t’i prezantojë sukseset në këtë fushë, dhe të punojë me shtetet anëtare ashtu që ta merr mbështetjen e duhur pranë Këshillit”, ka deklaruar Tomas Szunyog.
Por, a e ka kryer vërtetë BE-ja punën e saj dhe tani duhet vetëm Qeveria e Kosovës t’i bëjë detyrat, të cilat thuhet se janë kryer?
Batusha: Kosova i ka përmbushur kushtet për vizat
Lidhur me këtë, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosja, Agon Batusha, njëherësh anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane, thotë për gazetën “Bota sot” se Kosova i ka përmbushur kriteret nga Komisioni Evropian.
“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e paraqitura nga Komisioni Evropian. Ne kemi realizuar 30-50% më shumë kritere se shtetet fqinje, shtoja këtu edhe kërkesat shtesë që kanë ardhur nga shtetet individuale”, thotë ai.
Sipas Batushës, mosliberalizimi i vizave nga BE-ja është trajtim ndryshe i Kosovës dhe nuk përkon me vlerat e barazisë dhe të drejtësisë së BE-së.
“Fakti që ne ende nuk kemi liberalizim të vizave me BE-në mund të reflektohet si trajtim ndryshe i Kosovës në raport me shtetet fqinje dhe kjo nuk përkon me vlerat e barazisë dhe drejtësisë mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, deklaron Agon Batusha për “Bota sot”.
Qarri: Kosova nuk po e lufton krimin dhe korrupsionin
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, thotë për gazetën “Bota sot” se Kosova që nga nënshkrimi i MSA-së nuk mbahet mend për luftim të krimit dhe korrupsionit.
“Në fakt, me nënshkrimin e MSA-së, ashtu siç shprehet edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Kosova është zotuar për bashkërenditjen e aspekteve ekonomike dhe garantimin e funksionalizimit të sistemit të pavarur gjyqësor në vend, në mënyrë që të stimulojë tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë. Vet fakti se gjatë të kaluarës mbi dy dekadëshe të kryeprokurorëve të shtetit, që nga HiImi Zhitija, Ismet Kabashi, e Aleksandër Lumezi, institucioni që ata kanë drejtuar, bashkë me elitën e prokurorëve të kapur e të korruptuar nga krimo-politika në të gjitha nivelet, asnjëherë nuk mbahet mend, të kenë shënuar qoftë edhe një rast të vetëm të akuzimit, gjykimit as dënimit, të cilitdo zyrtar të lartë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dëshmon katërçipërisht se në çfarë niveli të mjerueshëm, është dhe mbetet sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor, të kthyera në vegla të nënshtruara të parapolitikës, nëntokës kriminale dhe mafio-oligarkisë së inkriminuar në Kosovë”, thotë ai.
Sipas Qarrit, sistemi i drejtësisë është i kalbur, derisa përmend reagimet e ambasadave së fundi për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.
“Madje megjithëse sundimi i ligjit është në thelbin e MSA-së, sistemi i kalbur aktual i drejtësisë, me katapultimin arbitrar të kryeprokurorit të "ri" të shtetit dëshmoi, jo vetëm se sa thellë është e kapur dhe e ndikuar "drejtësia“, nga krimo-politika, por kjo bëri që edhe ambasadat e huaja në vendin tonë, të ngriten të gjitha njëra pas tjetrës, kundër këtij vendimi të turpshëm dhe tërësisht të kundërligjshëm. Kjo aventurë e pistë filloi dhe u zhvillua me abuzime të rënda, nga vet Këshilli Prokurorial i Kosovës, që nga hapja e konkursit për kryeprokuror të shtetit, akt të cilin e kundërshtuan me të gjithë forcën, krejt ambasadat e huaja, që në vijimësi dhe pareshtur, kanë ndihmuar financiarisht, materialisht dhe praktikisht me para edhe ekspertët e tyre profesional e ligjor, ndërtimin e një sistemi të lirë e të pavarur, të drejtësisë së njëmendtë në Kosovë. Por, me aktin e papritur të KPK-së, duke imponuar për kryeprokuror njërin nga anëtarët më të përfolur të kastës së vjetër të prokurorëve të dështuar dhe nga më të përfolurit e klanit të moçëm të inkriminuar, si Blerim Isufi, Kosova dëshmoi edhe njëherë më tepër, se funksionimi normal i rendit e ligjit dhe reformimi i drejtësisë në vend, as që e ka ndërmend të arrihet, për kohë të shpejtë”, është shprehur analisti.
Problem, solidarizimi me krimin
Qarri i jep të drejtë shefit të BE-së se ajo e ka kryer punën e vet për vizat për Kosovën, ndërsa që tani duhet Kosova t’i kryejë detyrat e saj.
“Ndaj edhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Thomash Szunyog, me të drejtë ka thënë se BE e ka kryer punën e vet për liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërsa tani radhën e ka Qeveria e Kosovës që t’i kryejë si duhet, detyrat e saj, përndryshe mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë në vend, dëshmohet edhe me zvarritjen tash e mbi 6 vjet me radhë, të gjykimit të rastit të njohur si rasti "Toka" i cili është vetëm një nga rastet makabre, zvarritja pa fund dhe mos përfundimi i të cilit, pengon në mënyrë të drejtpërsëdrejt liberalizimin e vizave, për Kosovën nga BE”, vlerëson analisti për “Bota sot”.
Andaj, ai vlerëson se Kosova në vend se të ankohet për vizat, duhet të punojë, derisa shton se ministrja Haxhiu me vizitën në Hagë nuk jep porosi të mirë për BE-në dhe nuk po bën reformë në drejtësi, ashtu siç pritet.
“Kështu që Kosova në vend se të ankohet se kinse BE-ja po i bën padrejtësi për vizat, shefi i BE-së në Kosovë me të drejtë thotë se ajo e ka kryer punën e saj, ndaj para se ministrja Haxhiu të shëtisë nga Prishtina në Hagë e anasjelltas, për të vizituar të akuzuarit për krime dhe vrasje e keqtrajtime, duhet t`ia vë gishtin kokës dhe të mendojë mirë, se çfarë porosie të rëndë po i dërgon BE-së me aktin e saj të solidarizimit me personat e inkriminuar, si ministre e "drejtësisë", nga e cila pritet reforma në drejtësi, luftimi i krimit e korrupsionit dhe funksionalizimi i rendit dhe ligjit në vend, që me ngadalësinë dhe mënyrën kaotike se si po zhvillohen gjërat, lë shumë për të dëshiruar, për të mos thënë se po fut dyshime, për mosrealizimin e tij fare në këtë mandat”, ka deklaruar Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.