“Ballkani i hapur” është një nismë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në të cilin marrin pjesë vetëm Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja rrjedhimisht nuk janë pjesë e kësaj nisme.
E së fundi, “Ballkani i hapur” ishte temë e gjatë vizitës në Gjermani të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Ai në këtë vizitë u takua me kancelarin Olaf Schlolz me të cilin ndër tjera kanë biseduar edhe për “Ballkanin e hapur”.
Kancelari gjerman theksoi se dëshiron riaktualizimin e “Procesit të Berlinit”.
“Unë dëshiroj ta rigjallëroj procesin e Berlinit. E rëndësishme tani janë përparimet në ngritjen e një tregu të përbashkët rajonal. Krijimi dhe garantimi i katër lirive bazë: Qarkullimi i lirë i personave, mallrave e shërbimeve e kapitaleve ka rëndësi për gjithë rajonin… në mënyrë që prej kësaj të arrihet diçka që të çojë në një anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe një zhvillim paqësor për Ballkanin Perëndimor dhe të përfundojë në zhvillim ekonomik për Ballkanin Perëndimor”.
Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se i vetmi vend që nuk e donte Procesin e Berlinit ishte Serbia sepse mekanizmat e tij, Procesit të Berlinit, nuk lejonin dominimin e rajonit nga një vend i vetëm, përkatësisht shteti serb.
“Vizitat e liderëve politikë shqiptarë në Shqipëri e në Kosovë në Gjermani janë gjithnjë një ogur i mirë. Gjermania, Austria e ndonjë vend tjetër në kontinentin evropian e në NATO, janë të vetmet vende që marrëdhënien me shqiptarët, përkatësisht dy shtetet tona, nuk e kushtëzojnë me asgjë. Janë të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë. Por sa jemi ne të hapur e të sinqertë me Gjermaninë në raportet tona me të? Me duket se jemi pak ose aspak. Sot Edi Rama deklaroi se Procesi i Berlinit dështoi jo për fajin e Gjermanisë, por për shkak të refuzimit të tij në heshtje (pra sabotimit) që i bënë aktorët e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kush ishte ai vend që nuk e donte Procesin e Berlinit? Natyrisht që ky vend është Serbia. Pse Serbia nuk e donte Procesin e Berlinit. Sepse mekanizmat e tij nuk lejonin dominimin e rajonit nga një vend i vetëm, përkatësisht shteti serb. Sepse Beogradi donte një asosacion që i hapte rrugë krijimit të Jugosllavisë së Re, mohimit të shtetësisë së Kosovës, ndërtimit të një raporti hegjemon në Ballkan nga ana e Serbisë”, thotë ai.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/April/13/auto_auto_enver_bytyci16472755941649860696.jpg)
Sipas tij, procesi i Berlinit i dërgonte gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit europian. Duke shtuar se Edi Rama ka rënë në kulisa dhe intriga të presidentit serb, Vuçiq.
Madej, kancelari gjerman Scholz ia tha qartë dhe kthjellët Ramës “ne njohim vetëm Procesin e Berlinit”.
“Edi Rama e pranoi këtë fakt. Por nuk e tha në termat që po përdor unë. Ndërkaq është e ditur se Procesi i Berlinit u sabotua me urdhër të Vladimir Putin. Ai proces i çonte të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian. Putin ishte dhe është kundër këtij integrimi. Prandaj urdhëroi Aleksandër Vuçiq që ta sabotojë. Edi Rama iu bashkua presidentit të Serbisë në këto kulisa dhe intriga. Ai mund të dalë nesër e të thotë se “Nuk e dija se çfarë fshihej prapa ofertës së Serbisë për bashkëpunim me kryeministrin e Shqipërisë”! Por e vërteta është se këto plane e projekte ia kemi përsëritur me qindra e mijëra herë Edi Ramës. Unë them se kryeministri i Shqipërisë u ftua në Berlin për ta kthyer në rrugën e duhur, për ta devijuar Open Balkan. Madje ishte përllogaritur aq mirë kjo vizitë sa s’bëhet. Nuk mjaftonte vetëm Olaf Scholz, duhej që këto vërejtje t’i dëgjonte edhe nga presidenti Steinmeier. Dhe kështu ndodhi. Në pyetjen drejtuar kancelarit Scholz, nëse ai e njeh ose jo Open Ballkan, ai u përgjigj shkurt: “Ne njohim vetëm Procesin e Berlinit”! Më qartë dhe më kthjelltë nuk ka si thuhet kundërshtia për Open Ballkan-in. Asnjëherë zoti Scholz ose zoti Steinmeier nuk e përmendën Open Ballkanin e Edi Ramës dhe të Aleksandër Vuçiq”, nënvizon ai.
Profesori deklaron, se gjermanët të zhgënjyer me rengun e Edi Ramës në favor të Serbisë, duke thënë se ata janë kundër “Ballkanit të hapur” sepse ky proces përçan rajonin tonë.
“Kjo vizitë identifikoi problemin drejtpërdrejt. Gjermanët e thanë troç: Janë të zhgënjyer me rengun e Edi Ramës në favor të Serbisë për krijimin e një iniciative të dështuar që në ngjizje. Ata janë kundër Open Ballkan, sepse kjo lëvizje Rama-Vuciq e përçan rajonin, e bën të paqëndrueshëm stabilitetin dhe sigurinë e tij dhe sepse në Open Ballkan interferon Rusia me bizneset e saj, me prezencën e saj kudo, në medie, politikë etj. Me siguri që ngjarjet në Ukrainë e kanë nxitur Berlinin zyrtar të marrë një pozicion të prerë rreth kurtheve Beograd-Tiranë. Nuk e di si është ndjerë kryeministri Rama përballë kësaj situate. Por në kthimin e tij në Tiranë ai u përpoq ta justifikojë gjithçka e madje vazhdojë të propagandojë se „Open Balkan mbështetet nga Gjermania“! Kjo është e turpshme! Gjermania foli shumë qartë. Nuk e njeh, nuk e përkrah, madje e kundërshton iniciativën e Novi Sadit, të quajtur fillimisht minishengen. Ajo është lëvizje pro-serbe e përkrahur dhe e sponsorizuar nga Sorosi për interesa financiar”, shprehet tutje profesori.
Në fund shton, se Edi Rama nuk e di se çfarë janë interesat strategjike e gjeopolitike të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve, sipas tij, ai rend pas famës dhe interesave vetjake.
“Por duket se kryeministri i Shqipërisë ka një marrëdhënie emocionale me Open Balkan, pasiqë të tilla raporte ka ndërtuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq. Raportet emocionale nuk e lejojnë atë të shohë dëmet e mëdha që ia shkakton Shqipërisë e sidomos Kosovës me nismën e Open Balkan. Edi Rama nuk e di se çfarë janë interesat strategjike e gjeopolitike të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve. Ai rend pas famës dhe interesave vetjake. Para lëtyre interesave nuk vlen asgjë tjetër, as interesi kombëtar! Në këto kushte duhet që politika shqiptare të bashkohet e të bëhet barrikadë përballë politikës së një njeriu që mendon vetëm për karrierën e tij „historike e të lidhur me historinë“! Ose me interesat financiare private. Ka shumë mundësi që dy liderët autoritarë e të korruptuar të Ballkanit, përkatësisht Edi Rama dhe Aleksandër Vucçiq, të jenë në bashkëpunim kriminal me njëri-tjetrin, si pastrimi i parave, trafiqet etj. Nuk mund të shpjegohet ndryshe kjo kimi emocionale e kjo marrëdhënie vëllazërore midis të dyve, edhe pse Serbia kërcënon çdo ditë sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës!”, përfundon profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.