Këto ditë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, njoftuan se në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomik për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat e publik dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro.
Pas këtij vendimi pati reagime të shumta në opinion. Ishte opozita ajo që e quajti këtë vendim si “popullist”.
Vlen të përmendet reagimi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili e ka konsideruar si të padrejtë vendimin e qeverisë së Kosovës për ndarjen e shumës prej 100 eurove për të gjithë punëtorët e sektorit publik dhe privat, shkruan "Bota sot".
Kreu i LDK-së tha se e kundërshton secilën politikë populliste, duke theksuar se në qeverisjen e tij nuk do të ketë masa të tilla.
"E kundërshtoj secilën politikë populliste. Edhe këtë të tanishmen dhe secilin propozim a masë të ngjashme të marrë deri më tani nga kushdo qoftë ai. Në qeverisjen time, masa të tilla të çastit e pa ndikim, s’do të kenë vend në asnjë vendim. Njerëzit në hall natyrisht se mirëpresin secilën ndihmë. Por duke i privuar ata nga projektet madhore e zhvillimore, në këmbim të lëmoshës së përkohshme, politikanët tregojnë jolidership. Mund dhe të merr kohë, por do ta kuptoni, se kjo lloj politike është tregtim i së ardhmes tuaj për një grusht mbështetje të përkohshme që s’zgjatë as edhe një muaj", përfundoi ai.
Mbështetja për qytetarët nuk erdhi në kohë zgjedhjesh
Njëjtë si Abdixhiku kanë reaguar edhe përfaqësues të tjerë të opozitës.
Mirëpo, këtyre reagimeve në një përgjigje për gazetën “Bota sot” u është kundërpërgjigjur Arlind Manxhuka, zëdhënës në Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas tij, ndihma e Kryeministrit për qytetarët po bëhet në kohën kur nuk ka zgjedhje.
“Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 milionë euro prej të cilave kanë përfituar rreth 800 mijë qytetarë apo praktikisht secila familje e vendit. Siç e ka theksuar edhe Kryeministri e gjithë kjo mbështetje bëhet në kohë kur nuk ka zgjedhje”, është shprehur ai.
Qarri: LDK dhe PDK me ide në ajër
Analisti politik Gani Qarri, çfarëdo që thuhet dhe shpiket nga partitë e inkriminuara opozitare të cilat gjatë qeverisjes së tyre dydekadëshe, i kanë shkaktuar dëmet më të pariparueshme shtetit të Kosovës, vetëm sa vazhdon ta rritë edhe më tej, dëshpërimin e thellë tek vendet që ndihmuan çlirimin.

“Në një vend ku edhe 23 vite pas çlirimit dhe mbi 14 sosh nga shpallja e pavarësisë, mjerisht kultura dhe politika nuk arrin ta tejkalojë nivelin e doktrinave të një hoxhe ordiner, aty, çfarëdo që thuhet dhe shpiket nga partitë e inkriminuara opozitare të cilat gjatë qeverisjes së tyre dydekadëshe, i kanë shkaktuar dëmet më të pariparueshme shtetit të Kosovës, vetëm sa vazhdon ta rritë edhe më tej, dëshpërimin e thellë tek vendet që ndihmuan çlirimin, pavarësimin dhe shtet ndërtimin e Kosovës, por nuk habit edhe shqiptarët të cilët janë mësuar me dokrra të tilla dhe duket se u pëlqen fort, ta kalojnë kohën nëpër kafe dhe të jetojnë me përralla mesjetare”, ka thënë ai.
Kështu, Qarri i konsideron si ide në ajër, deklaratat opozitare për “qeverisjet e tyre të ardhshme”.
“Prandaj projeksionet që ato kanë filluar ti ideojnë në ajër, për kinse "qeverisjen e tyre te ardhshme", siç është rasti i oazës së dëshirave të shprehura edhe nga LDK, apo ideja putiniste e PDK-së, për krijimin e "Qeverive nën hije" ngjashëm me qeveritë e "oblasteve" ruse në Donjetsk dhe Luhansk të Ukrainës, mund të realizohen vetëm nëse Edvin Kristaq Rama, pas dështimit të turpshëm të krijesave iluzive serbo-mëdha si,"mini shengeni" apo i ashtuquajturi "Ballkan i hapur" nga frustrimi i rëndë dhe shkatërrues që ka pësuar me pjerrjen e "Ballkanit të hapur", del me idenë e "Serbisë Ballkanike" në të cilën do të arrinte të fuste edhe Shqipërinë dhe Kosovën, për realizimin e "botës serbe" dhe krijimin përfundimtar, të Serbisë së Madhe!”, është shprehur ai.
Qarri: Opozita nuk është në gjendje të ndryshojë asgjë
Madje ai nuk ka hezituar që t`i përmend qeverisjet e kaluara të drejtuara nga partitë aktuale opozitare.
Sipas tij, opozita po e luan vetëm rolin e saj opozitar dhe se nuk është në gjendje të ndryshojë asgjë.
“Përndryshe kalkulimi adoleshent i partive të dështuara opozitare, që të ketë zgjedhje së shpejti, është vetëm një dëshirë oportuniste, përderisa në fakt opozita vetëm bënë, sikur po e luan rolin e saj opozitar, pa qenë në gjendje të ndryshojë asgjë, apo të arrijë çfarëdo qoftë, për rikthimin në pushtet, të cilin e ka përbuzur keq, duke e keqpërdorur atë, mbi dy dekada për ta zhvatur e plaçkitur dhe gjymtuar tërësisht me marrëveshje të rënda antiligjore dhe kundër kushtetuese si asociacioni një etnik serb, edhe shtetësinë e Kosovës, akte të cilat, nuk i ka harruar, kaq shpejtë populli ynë i shumëvuajtur prej bëmave të tyre inkriminuese”, ka nënvizuar Qarri.
Haziri: Opozita aktive, por jo aq konkrete me alternativa kundër Kurtit
Nga ana tjetër, analisti Nexhat Haziri ka thënë se tash po vërehet një opozitarizëm aktiv në raport me qeverinë e Kurti, gjë që e bën më të përgjegjshme qeverinë dhe demokracinë.

“Më në fund po shohim një opozitë më aktive ne raport me qeverinë dhe kjo e bënë më funksionale demokracinë ne vend dhe me të përgjegjshme qeverinë Kurti për aq sa e lejon këtë të fundit arroganca e numrave”, ka thënë Haziri.
Megjithatë, ai shton se opozita nuk është aq konkrete me alternativat e saja për të rritë shpresat tek qytetarët si oferte më e mirë se qeveria Kurti 2.
“Mirëpo përkundër një qeverisje pa vizion dhe pa program e plan konkret, me veprime e vendime aty për aty, opozita përveç mungesës së numrave, nuk është aq konkrete me alternativat e saja për të rritë shpresat tek qytetarët si oferte më e mirë se qeveria Kurti 2. Sa i përket mundësisë së shkuarjes ne zgjedhje, kjo është në dorën e kryeministrit Kurti, dhe në një situatë pa zgjedhje, ai do të provokoj që vendin ta dërgoj në zgjedhje të parakohshme”, është shprehur Haziri.
Ekipi qeverisës, “Guxo” dhe dialogu me Serbinë
Në fund, ai ka përmendur edhe tre faktorë që mund ta bindin kryeministrin Kurti për ta dërguar vendin në zgjedhje.
“Dhe sipas mendimit tim janë tre faktorë që mund ta bindin kryeministrin Kurti për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve: Mungesa e ekipit qeverisës, që edhe ashtu po dëshmohen si të paaftë, heqja qafe të listës Guxo, e cila është bërë barrë për partnerin e madh të koalicionit LVV dhe faktori i trete mosmarrja e përgjegjësisë në procesin e marrëveshjes finale me Serbinë”, ka përfunduar Haziri.