Kërcënimet nga Serbia nuk kanë të ndalur, së fundmi ajo që bëri të ketë edhe reagime të shumta ishte sulmi ndaj policisë së Kosovës.
Sulmi i fundit ishte dje në vendin e quajtur Sharpej në Jarinje. Në raportin e policisë thuhet se derisa njësia e policisë kufitare ka qenë duke vëzhguar, janë dëgjuar dy shpërthime.
“Në këtë rast nuk ka pasur të lënduar si dhe as dëme materiale. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë përkatëse policore”.
“Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit dhe është iniciuar rasti. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë.
Përveç këtyre sulmeve, Serbia vazhdimisht edhe po armatoset, me ç'rast sipas vëzhguesve të huaj, dërgesa, përkatësisht armatosja e këtillë e Serbisë është shenjë për luftë.
Madje sipas Janush Bugajskit ekspertit amerikan për Ballkanin, shihet si një hap i bërë nga Serbia, në përmbushje të miqësisë me Rusinë, dhe nevojës që Putini ta hap një front lufte përtej Ukrainës.
“Vuçiqi është udhëzuar nga mbrojtësi i tij Putini që ta destabilizojë Ballkanin”
Blerja e armëve sigurisht se do të vazhdojë derisa Perëndimi e toleron Serbinë, që të bashkëpunojë ngushtë me Putinin. Për ta ndryshuar kursin, Serbia, sipas ekspertit amerikan Alon Ben Mejr, profesor në Universitetin e Nju Jorkut, duhet t’i bëhet trysni Serbisë për shkak të refuzimit të saj, që t’i bashkohet Perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
“Pavarësisht se zyrtarisht kërkon anëtarësimin në BE, Presidenti i Serbisë Vuçiq refuzoi thirrjet nga BE-ja dhe SHBA-ja për t'iu bashkuar sanksioneve kundër #Rusisë. Ky është një moment kritik për #Serbinë. BE-ja dhe SHBA-ja duhet t'ia bëjnë të qartë Vuçiqit se forcimi i lidhjeve me Rusinë do të rrezikojë procesin e saj të integrimit”, thotë ai në tviter.
“Sulmet serbe në Veri ndaj policisë së Kosovës, e kanë kuptimin e luftës asgjë më shumë”
![Image](/media/botasot.info/images/2022/April/17/auto_mehazi1650216663.jpg)
Lidhur me këtë, analisti politik Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, deklaroi se qëllimi i Putinit dhe Vuçiqit është që luftën ta fillojnë në Kosovë, e më pas edhe në Bosnje.
Madje sipas Mehazit, qëllimi i gjithë kësaj është që vëmendjen e luftës ta zhvendosin nga Ukraina në Ballkanin Perëndimor.
Tutje u shpreh se NATO-ja, BE-ja dhe SHBA-ja duhet ta mbrojnë Kosovën, por nëse jo, kjo do të thotë që janë kundër Kosovës.
“Nuk ka diskutim se në Veri të Kosovës tandemi Vuçiq-Vulin provokuan Kosovën dhe kryeministrin Albin Kurti. Binomi i të zezës ruse-serbe, Putin dhe Vuçiq, si e qysh duan që luftën ta përhapin brenda Evropës në Ballkan, e zjarri i parë luftarak të fillojë në Kosovë e për të vazhduar më tej në Bosnjë-Hercegovinë. Sulmi ndaj policëve të Kosovës erdhi përtej kufirit dhe kjo tregon se Serbia në bashkëpunim me Rusinë duan që vëmendjen e luftës ta hedhin nga Ukraina në Ballkanin Perëndimor, pikërisht në Republikën e Kosovës, ku evropianët në vend që të sigurojnë paqen ata lanë mënjanë Kosovën për të manipuluar e nxitur trazira për një luftë të dytë serbe në Kosovë, pas asaj të 1999-ës. Nëse NATO-ja, BE-ja dhe SHBA-ja nuk përpiqen ta mbrojnë Kosovën nga hienat luftarake ruse-serbe,atëherë lirisht mund të themi se këto fuqi botërore jo që do jenë kundër Kosovës, por edhe kundër vetvetes, në Kosovë BE-ja e NATO-ja duhet të mbrojnë veten e jo Kosovën nga ndikimet ruse”, thotë ai.
Më tej potencoi se pasi që Kosova është e braktisur nga BE-ja, andaj edhe duan luftë Putin dhe Vuçiq në Kosovë, gjë që kishte deklaruar edhe Bugajski, pra duan luftë të re.
Ai u shpreh tutje se elita jonë politike është sulmuar nga sulmet serbe duke filluar nga Osmani, Kurti e tek shumë tjerë, por sipas Mehazit, kjo elitë mençurin e tyre duhet ta fajësojnë Serbinë para botës.
“Armatosja e Serbisë tregon hapur se Vuçiqi në bashkëpunim me kinezët komunistë e hitlerin e dytë rus, Putinin, përgatitet për luftë, e luftën më lehtë mund ta nis në Kosovën e braktisur nga BE-ja, e cila dhe më të thjeshtën nuk e bëri për Kosovën, liberalizimin e vizave për qytetarët e saj. Për përhapjen e luftës nga Ukraina në Kosovë paralajmëroi edhe zotëri JanushBugajski, që tha se: “Mundësi e mirë për NATO-n dhe Kosovën që të punojnë së bashku dhe të gjuajnë terroristët. Tandemi i krimeve të luftës Putin-Vuçiq dëshiron të provokojë një luftë tjetër”. Sulmet serbe në Veri ndaj policisë së Kosovës, e kanë kuptimin e luftës asgjë më shumë, këtu është sulmuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është sulmuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po dhe ministri i Mbrojtjes së Kosovës ArmendMehaj. Elitës politike të Kosovës si ka mbetur gjë përveç me mençuri politike e diplomatike të fajësojnë para botës Serbinë, por edhe tapërvetësojnë elitën politike evropiane, amerikane dhe të NATO-s në favor të Kosovës e në debakël, politik, diplomatik e luftarak të Serbisë ruse”, shtoi ai.
“Të shuhen grupet kriminale serbe”
![Image](/media/botasot.info/images/2022/April/17/auto_hidajet_ahmeti1650216714.jpg)
Analisti Hidajet Ahmeti, potencoi se duke e pasur parasysh që Serbia vazhdimisht po provokon, ndërkombëtarët duhet t’i ndihmojnë institucionet në Kosovë, dhe të “shtrijë sovranitetin në atë pjesë”.
“Serbia në vazhdimësi ka provokuar shtetin e Kosovës, pasi kërkon destabilitet në pjesën veriore për të përfituar nga rasti. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptoj qëllimin e saj dhe të ndihmoj institucionet e sigurisë së Kosovës për të intervenuar në atë pjesë. Grupet kriminale të dirigjuara nga shteti serb duhet të shuhen dhe në mënyrë graduale qeveria e Kosovës të shtrijë sovranitetin në atë pjesë”, thotë Ahmeti.