Sipas “Freedom House”, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj janë figura të lidhura me krimin e organizuar dhe korrupsionin në vend.
“Figura kryesore politike në Kosovë, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë lidhje me krim të organizuar e korrupsion të nivelit të lartë, që kanë rol të madh në politikë dhe ndikojnë në vendosjen e liderëve kyçë”, thuhet në raportin e “Freedom House”.
Por këtë konstatim të “Freedom House”, nuk e sheh si befasi analisti politik dhe njohësi i zhvillimeve politike, Nexhat Haziri.
“Raportit i Freedom House për vitin 2022 në të cilin Kosova përshkruhet si vend pjesërisht i lirë, ka një referencë të rëndë për ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe liderin e AAK-së Ramush Haradinaj, ku emrat e tyre lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar që ndikojnë në instalimin e udhëheqësve në pozita, është shumë real, dhe për ata që njohin zhvillimet politike në këto dy dekada e më shumë në Kosovë, nuk është asgjë për t’u habitur”, thotë Haziri për “Bota sot”.

“Se Thaçi dhe Haradinaj kanë qenë kokat e krimit e kemi thënë edhe më parë, por tani kur këto thuhen nga një organizatë ndërkombëtare prestigjioze siç është Freedom House, natyrisht se tek opinion paraqet një sensacion me të fuqishëm”, shton Haziri.
Sipas tij, Thaçi dhe Haradinaj kanë ende ndikim në rrjetin e krimit të organizuar.
“Edhe pse ish-presidenti Thaçi gjendet si i akuzuar në Gjykatën Speciale nën dyshimin për krime lufte, po ashtu edhe Haradinaj tani në opozitë, akoma kanë ndikim në rrjetin e krimit të organizuar, përmes grupeve të tyre mirë të organizuara dhe mirë të konstruktuara ne të gjitha institucionet e vendit, e në veçanti në ato të sigurisë përmes së cilave krijojnë një lloj sigurie për biznese dhe veprimtari të tjera përfituese për vete dhe rrjetet kriminale të cilat ata i përfaqësojnë apo edhe i udhëheqin”, deklaron Haziri, sipas të cilit, kështu Thaçi dhe Haradinaj e ruajnë ndikimin e tyre.
“Kështu akoma ruajnë ndikimin e tyre dhe i bënë të fuqishëm të luajnë rol të fuqishëm në politikë dhe kanë ndikuar në instalimin e liderëve kyç, dhe që po ashtu përmes këtij rrjeti kriminal kanë ndikuar edhe në rezultate të zgjedhjeve qofshin në nivel qendror po atë lokal”, thekson Haziri.
Më tej, analisti Haziri shprehet se raporti i “Freedom House”, padyshim ndikon negativisht edhe në imazhin e shtetit të Kosovës.
“Mendoj se ky raport ndikon negativisht në imazhin e vendit, por në njërën anë hap edhe një teren për institucionet e drejtësisë për të hapur hetime ndaj rrjetit kriminal që lidhet më këto dy figura politike dhe jo vetëm më këta, e që do të ishte një nismë e mirë për Kosovën në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, e që besoj se do të reflektonte edhe në agjendën e integrimeve evropiane, ku vendi i ynë ka qenë më së shumti i kritikuar në këtë fushë të sundimit të rendit dhe ligjit për mungesë rezultatesh”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.
Kujtojmë se Ramush Haradinaj lidhur me raportin e “Freedom House”, ka thënë se ish-kryeministër, por edhe tani ka punuar për sundimin e ligjit dhe demokracisë.
“Të dashur qytetarë, U përhap me bujë raporti i Freedom House për demokracinë në Kosovë. Në njërin prej paragrafëve përmendet edhe emri im.Dua të ju siguroj se edhe si Kryeministër por edhe tash, kam punuar dhe vazhdoj të punoj për sundimin e ligjit dhe demokracinë. Gjithashtu, do të jem në krye të detyrës, që kësaj Qeverie t'i bëjë opozitë duke i treguar popullit për gabimet e saj në qeverisje”, ka shkruar lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj në faqen e tij në Facebook.