Bajraj: Bandat kriminale të Dukagjinit e Drenicës, përgjegjëse për vrasjen e Ismet Rracit dhe të tjerëve, ja pse edhe LDK është “bashkëfajtore”

Politika

Bajraj: Bandat kriminale të Dukagjinit e Drenicës, përgjegjëse për vrasjen e Ismet Rracit dhe të tjerëve, ja pse edhe LDK është “bashkëfajtore”

Nga: M.L. Më: 25 prill 2022 Në ora: 21:09
Veprimtari Ismet Rraci dhe Presidenti Rugova

Dje (24 prill) janë bërë 21 vjet nga vrasja e veprimtarit të shquar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish kryetarit të Komunës së Klinës, Ismet Rraci.

Rraci u vra më 24 prill të vitit 2001 në hyrje të banesës së tij.

Image
Fatmir Bajraj

Analisti Fatmir Bajraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se Ismet Rraci u vra nga bandat kriminale që sundonin Kosovën me "ligje xhungle".

“Janë vra e ekzekutuar mbi 2 qind veprimtarë atdhetarë sikur ishte Ismet Rraci, dhe do vritëshin edhe 2 mijë tjerë, deri sa të arrihej pushteti e kapej shteti, nga SHIK-u dhe ish Shtabi i Rognerit, konvertuar n'parti politike pas çlirimit! Në mëngjesin e 24 prillit të vitit 2001, në hyrje të banesës së Tij, ekzekutohet mizorisht & barbarisht nga fallangat e krimit, Kryetari i Degës së LDKsë së Klinës dhe njëkohësisht, Kryetari i Komunës së Klinës, tribuni popullor, Ismet Rraci. U atentatua për vdekje nga bandat kriminale që sundonin Kosovën me "ligje xhungle" dhe të cilët synonin pushtetin absolut mbi Kosovën dhe shqiptarët, pavarësisht çmimit në njerëz dhe proceset delikate që po kalonte Kosova në një periudhë tranzitore në Kosovën e posa çliruar dhe me premisa të demokratizimit të vendit dhe shoqërisë. Ismet Rraci, ky fitues absolut i zgjedhjeve të para vendore të vitit 2000, në Kosovën e çliruar në Komunën e Klinës, pas fitores plebishitare si Kryetar i Komunës së Klinës, tani më ishte bërë cak "legjitim" i "Krahut të luftës" siç quhej asokohe PDK & AAK, për ta eliminuar fizikisht me qellim të shuarjes së konkurrencës dhe hapjes së rrugës për pushtetin e bandave kriminale, deri atëherë të instaluara në Kosovë përmes të vetëquajturës : QPK në krye me Hashim Thaçin”, ka thënë Bajraj për gazetën “Bota sot”.

Ai për vrasjen e veprimtarit Ismet Rraci i bënë përgjegjëse bandat kriminale të Dukagjinit e Drenicës.

Bandat kriminale të Dukagjinit e Drenicës, përgjegjëse për vrasjen e Ismet Rracit dhe jo vetëm !

Banda kriminale Drenicës, dhe ajo e Dukagjinit, pa përjashtuar këtu eksponentë të LPK-së së mbetur, konstruktuan, organizuan dhe orkestruan vrasjet politike në gjithë territorin e Kosovës, me theks të veçantë, goditjen e të gjithë kundershtarëve politik (sipas tyre-armiqtë) që ishin në LDK dhe ishin besnik të Presidentit Rugova dhe me besim dhe mbështetje plebishitare në popull.

Të tillët, "duhej" eliminuar, ndryshe s'fitohej pushteti !

Kështu ndodhi me Ismetin në Klinë, me Ukën në Suharekë, me Tahirin në Pejë, me Shabanin në Istog, me Ekrem Rexhen në Prizren, me Agim Veliun në Podujevë (tentim atentat), me Fetah Rudin në Malishevë (tentim atentati), Idriz Rreci në Skenderaj, e kështu me radhë, deri sa të merret pushteti dhe të ndalojnë vrasjet. Pushteti klandestin: ilegjitim dhe ilegal i instaluar përmes QPK-së në Kosovën e çliruar por jo të lirë, penetroj në të gjithë mekanizmat e rendit dhe sigurisë publike, përfshi këtu edhe Policinë e Kosovës, e cila në sinkron me Bandat e Dukagjinit, i ekzekutuan me përpikëri aksionet makabre të vrasjeve politike nga ana skuadrave ekzekutuese të cilët kishin lidhje dhe suportin e segmenteve të instrumentalizuara në Shërbimin Policor të Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Bajrajt, LDK, ngriti zërin e mekur herë pas-herë për viktimat, por që ky zë humbiste peshën dhe jehonën duke u tretur në një shoqëri të traumatizuar, në media të kapura dhe institucione servile, të ngathëta dhe pse jo edhe abuzive.

“LDK, me heshtjen, ose më mirë thënë; me mos reagimin e duhur dhe adekuat në kohë dhe me vend, sikur është bërë bashkëfajtore dhe përgjegjëse për mos-zbardhjen e vrasjeve të cilat mbajnë peng vendin dhe progresin në shoqëri.

Vrasësit dhe viktimat janë në dy tabore diametralisht të kundërta dhe qartësisht të ndara për akëcilin, në njërën anë LDK institucionaliste dhe në krahun tjetër "krahu i luftës", pra ma mirë thënë : Krahu i luftes për pushtet, pastaj edhe për bashkësinë ndërkombëtare e cila kishte misionet e rendit dhe sigurisë në Kosovë (UNMIK & EULEX), por e cila nuk ishte e interesuar të zbardhë vrasjet dhe ndëshkojë kriminelet me të vetmin qellim : "Ruajtjen e qetësisë publike"!”, ka nënvizuar ai.

Bajraj po ashtu ka potencuar se mosreagimi me kohë i Sistemit të Drejtësisë, i ka shërbyer krahut tjetër në zhdukjen e gjurmëve dhe provave të krimit, përfshi këtu edhe eliminimin e dëshmitarëve.

“Mos-zbardhja e vrasjeve, dhe mos ndëshkimi i kriminelëve, plagë që mban peng shoqërinë tonë dhe shtetin e Kosovës”, ka potencuar ai.

Kujtojmë se vrasja e Ismet Rracit hynë në mesin e vrasjeve politike të pasluftës të veprimtarëve dhe intelektualëve të shquar të LDK-së, të cilat nuk u zbardhën asnjëherë nga drejtësia vendore.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat