Mesazhet e qarta të SHBA-së nga Kosova/ Ja pse Donfried me vete kishte edhe ushtarakun amerikan

Politika

Mesazhet e qarta të SHBA-së nga Kosova/ Ja pse Donfried me vete kishte edhe ushtarakun amerikan

Nga: P.R Më: 26 prill 2022 Në ora: 20:50
Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried së bashku me emisisarin Gabriel Escobari dhe Michael L. Howard, zëvendëskomandant i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara/ Prishtinë 25 prill 2022

Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried së bashku me emisarin Gabriel Escobar  takuan presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Ata poashtu kanë takuar edhe opozitën në Kosovë.

E përveç Escobarit, Donfried me vete e kishte edhe Michael L. Howard, zëvendëskomandant i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara.

Pas të gjitha takimeve, Donfried deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet të lëvizin sa i përket dialogut, pasi gjendja momentale i bën favor vetëm Serbisë.

"Ne i japim prioritet mbështetjes së procesit të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe t'i ndihmojmë Kosovës që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, duke pasur në qendër njohjen e ndërsjellë. Status quo-ja është paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor”, tha Donfried.

E për vizitën e delegacionit amerikan dhe mesazhet që përcollën tek Kurti e Osmani, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndoshta më shumë se evropianët, e kanë shtuar kujdesin dhe përpjekjen për Ballkanin pas sulmeve ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Lufta e Ukrainës nuk është vetëm shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit të një vendi të pavarur. Është gjithashtu kërcënim direkt për Perëndimin, për Evropën e Bashkuar, NATO-n dhe SHBA-të! Është kërcënim i drejtpërdrejtë për harmoninë e vlerave perëndimore. Është gjithashtu rrezik i veçantë për vendet e Ballkanit e sidomos të atyre të Ballkanit Perëndimor”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, Vuçiq po synon që t’i mashtrojë amerikanët.

“Qëndrimet pro-ruse të Serbisë ishin të paparashikuara. Mesa duket presidenti serb, Vuçiq, në përpjekje për t’i mashtruar amerikanët, ka dhënë sinjale të qarta e konkrete se “Nëse Amerika mbështet opsionet e Serbisë në Kosovë, ai do të shkëputej nga aleanca me Rusinë”! Por Vuçiq është mashtrues i klonuar nga rrena serbe e elaboruar tashmë nga Dobrica Qosiq. Mashtrimi e bën atë të ngjashëm dhe mik të Edi Ramës!”, thekson Bytyçi.

Ai shton se vizita e Karen Donfried, është dëshmi se SHBA angazhohet për ta ruajtur tërësinë territoriale të Kosovës dhe paqen në Ballkan.

Sipas Bytyçit, ky mesazh u përçua edhe me prezencën e zv. Komandantit të Komandës Evropiane të SHBA-ve, Michael Hoëard, i cili ishte bashkë me Karen Donfried dhe Gabriel Escobar.

“Delegacioni amerikan vizitoi Prishtinën dhe do të jetë në Beograd. Ndihmës-sekretarja amerikane, Karen Donfried, nuk e la të vetëm kësaj radhe Gabriel Escobar. Por kryesoi delegacionin, i cili u takua edhe me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti. Nuk e di se çfarë është biseduar në mes palëve. Por nga deklarimet mësohet se ka një angazhim shtesë të SHBA-ve për të ruajtur jo vetëm stabilitetin e paqen në rajon, por edhe sigurinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës. Këtë mesazh jep gjithashtu prezenca e zv. Komandantit të Komandës Evropiane të SHBA-ve, Michael Howard”, shprehet Bytyçi.

Bytyçi thotë se një mesazh tjetër që kjo vizitë e përçoi, është edhe ai që serbët dhe bota duhet të kuptojë se “Amerika është në Kosovë“.

“Është përmes NATO-s dhe si forcë e veçantë! Mos harrojmë se një kompani e NATO-s e ruajti paqen në Maqedoni. Milosheviçi nuk mundi të bëjë aventurë kundër shtetit maqedonas për shkak të disa dhjetëra ushtarëve amerikanë në këtë vend në vitet ’90 të shekullit të kaluar. Ndaj dhe Serbisë po i thuhet vazhdimisht se sa kohë në Kosovë ka trupa të NATO-s e të SHBA-ve nuk guxon të veprojë. Në fund të fundit këto trupa janë aty me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, të votuar edhe nga Rusia”, deklaron Bytyçi.

“Delegacioni do të udhëtojë për në Beograd. Por atje do të gjejë një atmosferë tjetër nga ajo në Prishtinë. Ndonëse presidenti Vuçiq do përpiqet t’i qetësojë diplomatët amerikanë, duke u thënë se “Serbia është e do jetë faktor stabiliteti në rajon”, nuk do të mund ta justifikojë sulmin e sotëm me armë kundër patrullës policore të Kosovës në Zubin Potok. Këto incidente, të cilat një “analist” pro-serb nga Franca i quante “luftë guerile”, nuk do të kalojnë pa u diskutuar në takimin e ndihmës sekretares amerikane me zotin Putin”, shton Bytyçi për “Bota sot”.

Ai thotë se vizitat në Kosovë e rajon nga delegacionet amerikane, kanë lidhje të drejtpërdrejtë me atë që po ndodh në Ukrainë.

“Para disa ditësh udhëtuan në Beograd e më pas në Prishtinë edhe disa kongresmenë dhe senatorë amerikanë. Brenda një jave shprehet me intensitet interesimi amerikan për stabilitet e paqe në rajonin tonë. Kjo ka lidhje të drejtpërdrejtë me atë që po ndodh në Ukrainë. Nuk është çështja thjesht për evitimin e Luftës së Tretë Botërore. Por për të mos i dhënë shkas Rusisë që të realizojë projektet e saj për destabilizimin e Ballkanit e prej këtu të gjithë kontinentit amerikan. Serbia shihet edhe si problemi dhe urë e krijimit të mundësive që Kremlini të destabilizojë Ballkanin. Ndaj dhe duan të shndërrojnë në një mur të kësaj mundësie”, thekson Bytyçi.

Sipas Bytyçit, një konflikt i ri në Kosovë është më i mundshëm dhe më i përshtatshëm për Serbinë.

“Kjo për shkak se Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por interesi më i madh serb e rus është shpërbërja e Bosnjë-Hercegovinës! Megjithatë destbilizimi i BH nis në Kosovë, nëse lejohet Serbia ta realizojë këtë projekt të mbështetur nga Moska. Si delegacioni i DASH, ashtu dhe ai i Kongresit Amerikan kishin dhe kanë këtë synim: Të paralizojnë përpjekjet serbe për destabilizim dhe të ndikojnë te liderët politikë të Kosovës që këta të mos tregohen të pamatur, që më pas Serbia të mund të krijonte alibi në destabilizimin e vendit, sidomos të veriut të Kosovës”.

Për fund, Bytyçi deklaron se Beogradi nuk do të heqë dorë nga provokimet.

“Vuçiq po përpiqet që t’u thotë europianëve sidomos, se mund t’i kundërvihet Rusisë, nëse përfiton veriun e Kosovës. Pra dëshiron që ta kushtëzojë qëndrimin serb ndaj Rusisë. Në të vërtetë edhe në këtë rast presidenti i Serbisë luan me Perëndimin. Ai nuk ka asnjë mundësi reale të shkëputet nga ndikimi rus për një sa kohë të jetë në pushtet. Do të duhen së paku dhe dy dekada që kjo të ndodhë, nëse Serbia demokratizohet. Megjithatë institucionet e liderët e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm”, përfundon për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat