Kosova tashmë e një kohë po vazhdon të jetë nën kërcënimin e veprimeve të Serbisë.
Ani pse kjo e fundit nuk e pranon të njëjtën, veprat po tregojnë të kundërtën e saj, përcjell “Bota sot”.
Tash e një kohë policia e Kosovës po sulmohet nga serbët, duke u kërcënuar jeta e tyre dhe puna që po e ushtrojnë.
Së fundmi një sulm ndaj policisë ndodhi në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.
Këtë e konfirmoi edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, duke shtuar që të lënduar nga ky sulm nuk kishte dhe se për veprimet e radhës janë duke u merr institucionet e vendit.
Mirëpo, Lista Serbe, në një takim me media, në mënyrë indirekte e ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmet, duke theksuar se nëse arrestohen të dyshuarit për krime, Kosova do të përballet me revoltën e serbëve, thirrje të hapura për dhunë të armatosur, më të egër shumë se sa sulmet.
“Nëse Prishtina fillon me lëvizje të njëanshme, Zoti na ruajt, duke arrestuar qytetarët tanë, atëherë ne do të detyrohemi të rezistojmë me të gjitha mjetet demokratike dhe jodemokratike, që përfshin mosbindje totale civile për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve tanë”, ka thënë në një takim me media, Rakiq, që një ditë më pas i detyruar e ka korrigjuar pak deklaratën.
Por, ata të cilët kanë zgjedhur heshtjen në këtë rast është opozita, në veçanti PDK-ja dhe AAK-ja, të cilat nuk reagojnë në lidhje me sulmet e bëra e aq më pak t’i reagojnë Listës Serbe për deklaratat që në vazhdimësi bëjnë thirrje për qytetarët e tyre për vetëpërmbajtje.
Kjo opozitë, e cila për qeverinë gjen çdo kritikë të njëjtat nuk po i gjen për Listën Serbe dhe kjo heshtje padyshim që ka arritur të sjellë debate.
Në lidhje me këtë temë kanë folur analistët politik për “Bota sot”, të cilët u shprehën se heshtja e tyre është e pritshme dhe se të njëjtit kanë lidhje të ngushtë me serbët në vazhdimësi.
Qarri: PDK-ja dhe AAK-ja, dora e zgjatur e Vuçiqit në Kosovë
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.
Ai u shpreh se mungon një sqarim për publik nëse kanë arritur institucionet e vendit të identifikojnë ndonjërin nga të dyshuarit për sulmet e njëpasnjëshme andaj edhe Lista Serbe po vazhdon me kërcënimet e saj.
“Përderisa autoritetet shtetërore të Kosovës, që nga tetori i vitit të kaluar, asnjëherë deri më tani, nuk kanë sqaruar për opinionin vendor, as atë të jashtëm, nëse kanë arrit të identifikonin qoftë edhe ndonjërin, nga të dyshuarit për sulmet e njëpasnjëshme të armatosura, që kohët e fundit janë shpeshtuar shumë, kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit, avazi i Listës serbe apo dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, vazhdon me kërcënime të reja.
Në fakt, kërcënimet e Listës serbe, që nga paralajmërimi për largim nga institucionet e Kosovës, kërcënimet për moslejimin e kalimit të policisë Speciale të Kosovës në veri, e deri te thirrjet për mosbindje qytetare nëse nga organet e ligjit dhe ato të mbrojtjes së rendit, arrestohen kriminelët serb më në zë, që tash e mbi një dekadë veprojnë lirshëm në veri, fatkeqësisht nuk janë të parat as të fundit, madje me heshtjen e saj, duket se ato po mbështeten edhe nga opozita e inkriminuar e cila Listën serbe e kishte partnere në rrëzimin e Qeverisë Kurti-1 dhe krijimin e qeverisë kundërkushtetuese të Hotit & Co, në koordinim me Listën serbe duke e bërë Goran Rakiqin edhe zëvendëskryeministër të parë”, u shpreh ai.
Tutje, analisti thotë që këto sulme po ndodhin çdoherë me urdhrin e Vuçiqit për të krijuar tensione të mëdha në Kosovë dhe për të nxjerr situatën nga kontrolli.
“Madje përderisa të martën e 26 prillit, u shënua edhe sulmi i gjashtë me radhë, brenda vetëm pak ditëve, apo thënë më troç, vetëm nga 13 prilli e këndej, ato jo vetëm se përsëriten e përditësohen, sa herë që u vije porosia nga Aleksandër Vuçiqi dhe Beogradi zyrtar, për të krijuar tensione dhe prishur situatën në Kosovë, por duke qenë se shteti ende nuk po arrin ta shtrijë ligjin sa dhe si duhet edhe në atë pjesë të vendit, kërcënimet e Listës serbe, tanimë janë kthyer në rutinë të zakonshme në Kosovë.
E megjithëse Policia e Kosovës, lidhur me këtë sulm, ka kryer të paktën një bastisje në Lagjen e Boshnjakëve në veri, por përveç deklarimit se nuk kishte asnjë të arrestuar, nuk ka dhënë asnjë prononcim, dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë dhe shkopi magjik i Aleksandër Vuçiqit, Lista serbe dhe zyra e ashtuquajtur "për Kosovën" në Serbi, me qëllim të nxjerrjes së situatës jashtë kontrollit, kanë kërcënuar njëzëri për "mosbindje civile", nëse ndodhë arrestimi i kriminelëve serb në veri nga Policia e Kosovës”, thekson Qarri.
Mirëpo sipas analistit këto sulme të vazhdueshme i kanë dënuar edhe policia e Kosovës mirëpo edhe krerët ndërkombëtarë, por që opozita normalisht po vazhdon të mbajë qëndrim neutral.
“Por megjithëse sulmet e bandave kriminale serbe kundër Policisë së shtetit, i kanë dënuar në mënyrën më të ashpër, krerët e institucioneve të Kosovës si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, si Misioni i NATO-s, KFOR-i, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zyra e BE-së, të cilat kritikohen në mënyrën më të ashpër, anë e mbanë vendit, habit shumë fakti se si vetëm opozita e inkriminuar, apo thënë më shkurt e shqip, vetëm PDK dhe AAK, në mënyrën më të paturpshme mbajtën qëndrim neutral dhe nuk u deklaruan kundër tyre”, thotë ai.
Opozita e inkriminuar e veçanërisht PDK dhe AAK, lënë të nënkuptohet publikisht se ato po solidarizohen në heshtje, edhe me sulmuesit kriminel serb, të Policisë së Kosovës në territorin e vendit tonë, shprehet analisti.
“Madje sikur mos të mjaftonin thirrjet publike të krerëve të PDK-së, drejtuar mërgimtarëve në diasporë, që të mos kontribuojnë në Fondin e Sigurisë, të themeluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në fillim marsin e këtij viti, për "forcimin e fushës së mbrojtjes dhe të sigurisë shtetërore" të vendit, avokatisë që i bëjnë korrupsionit e të krimit të organizuar dhe paralajmërimit të formimit të "qeverisë në hije", që të kujtojnë ngjasimin me qeveritë e republikave proruse të Donjetskit e Luhanskit në Ukrainë, me heshtjen edhe pas sulmit të fundit kundër policisë së Kosovës, dhe kërcënimit të listës serbe, për "mosbindje qytetare", nëse nga policia e shtetit arrestohen kriminelët, opozita e inkriminuar e veçanërisht PDK dhe AAK, lënë të nënkuptohet publikisht se ato po solidarizohen në heshtje, edhe me sulmuesit kriminel serb, të Policisë së Kosovës në territorin e vendit tonë, akt i cili vërtetë krijon dyshime të rënda dhe duhet të dënohet në mënyrën më të ashpër nga të gjithë qytetarët e vendit tonë”, foli Qarri për “Bota sot”.
Kelmendi: Republika e Kosovës po rrezikohet seriozisht nga grupet e ndryshme të organizuara serbe
Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që “Lista Serbe”, është e organizuar nga Serbia dhe udhëhiqet nga Vuçiqi gjithashtu e njëjta nuk vepron me mjete joligjore.
“Në kuadër të veprimeve kundër shtetit të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran ka disa mekanizma mirë dhe profesional që veprojnë. Mekanizmat e tillë janë kryesisht të organizuara nga subjektet e jashtme, përkatësisht nga shtetet që nuk e kanë pranuar shtetin e Kosovës ose që e duan shtetin tonë krejtësisht ndryshe. Këtej radhitet në vendin e parë “Lista serbe”, e cila është e organizuar nga Serbia dhe udhëhiqet nga Vuçiqi. Kjo listë nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vepron me mjete jo ligjore kundër Republikës. Ajo punon për ripushtim ose për ndarjen e copëtimin e Kosovës”, thotë profesori.
Ai përmend gjithashtu që “Lista Serbe” ka shumë vepra penale për të cilat mund të hetohet duke mos përjashtuar se e njëjta kërkon ta shkatërrojë shtetin e Kosovës.
“Kemi vepra penale të "Listës Serbe" të nduarnduarshme. Ata bllokuan veriun e Kosovës. Morën pjesë në veprimtari të ndryshme të ndaluara, sulmuan me armë zjarri policët e Republikës, bënë krime me Kriptovëährung". Marrin pjesë edhe në takimet në Beograd ku vendoset për luftë kundër Republikës. Shkojnë aq larg saqë kërkojnë shkatërrimin e shtetit dhe pushtimin nga Serbia. Korrupsioni në veri është në nivel të lartë. Atje bëhet kontrabandim i madh me mallra nga Serbia. Këto mallra shiten pastaj nga grupet e ndryshme. Në veri e më gjerë nuk respektohet asnjë ligj i Kosovës etj. Kundër këtyre veprave duhet hetim”, shprehet profesori.
Duke vazhduar më tej, ai thotë që kemi politikanë të vendit tonë që gjithashtu janë nën shërbim të Serbisë dhe për të njëjtit duhet një hetim i detajuar për të ndaluar rrezikun e mëtejshëm që mund të vjen.
“Kemi edhe politikanë të dyshimtë, nuk është e imja këtu të përmendi emra. Mirëpo, dua të them se ka të tillë që nga qeveritë e kaluara janë organizuar edhe në pushtet. Ata i gjen nëpër ministri, në mekanizmat gjoja analitike të dialogut me shtetin serb dhe edhe në grupet e sigurisë së shtetit. Mos të harrojmë informatën e Policisë së Kosovës gjatë kohës së bllokimit në veri të rrugës, se "bllokuesit kishin informata nga organet e policisë mbi punën e tyre". Kjo mjafton dhe tregon se edhe në polici, në gjykata, siç ishte pjesëmarrja e gjykatëses serbe në takimin e sigurisë së shtetit serb, nën udhëheqjen e Vuçiqit, ka subjekte fizike dhe juridike anti Republikës. Veprim këto të ndaluara me ligj. Kjo mjafton për të konstatuar rreziqet”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.