Kuvendi i Malit të Zi gjatë ditën e premte ka zgjedhur Dritan Abazoviçin, kryeministër.
Abazoviç me 45 vota u zgjodh Dritan Abazoviq, ndërsa kundër ishin vetëm tre deputetët socialdemokratë, përcjell “Bota sot”.
Abazoviq deklaroi prioritetet normative dhe politike të pushtetit të ri ekzekutiv.
Ai ka thënë se qëllimi i Qeverisë është që sa më shpejt të ringjallet shteti i së drejtës, që nënkupton zgjedhjen e Këshillit Gjyqësor dhe akterëve të tjerë dhe për të cilin, siç tha, nevojitet një konsensus më i gjerë shoqëror.
Në lidhje me zgjedhjen e tij kanë reaguar liderët e Kosovës duke i uruar postin e ri Abazoviçit dhe shpresuar në bashkëpunimin e mëtejshëm mes shqiptarëve.
Profesori universitar, Enver Bytyçi për “Bota sot”, ka folur në lidhje me zgjedhjen e Abazoviçit, kryeministër në Malin e Zi.
Ai u shpreh se ardhja në pushtet e Abazoviçit është një akt politik që mund të sjellë përparim në forcimin dhe stabilitetin rajonal dhe të shtetësisë.
Bytyçi shton se qevera Abazoviç do të ndihmojë qeverinë edhe në anëtarësimin në BE.
“Zgjedhja e Dritan Abazoviç si kryeminister i Malit të Zi është një akt politik që krijon kushte për forcimin e stabilitetit rajonal dhe të shtetësisë së këtij vendi. Zoti Abazoviç erdhi në krye të ekzekutivit malazez pasi qeveria e mëparshme dështoi në reformat themelore të domosdoshme për integrimin europian. Dihet se Mali i Zi është në një fazë të rëndësishme të bisedimeve për pranim në BE. Por këto bisedime u bllokuan për shkak se qeveria nuk kishte aftësinë, vullnetin dhe votat specifike për të miratuar ligjet përkatëse.
Në këtë kuptim, besohet se qeveria e re do të kapërcejë këtë situatë, pasiqë ka edhe mbështetjen e opozitës, e cila e votoi atë. Qeveria e Abazoviç është qeveri e pakicës, por ka mbështetjen e së paku 45 deputetëve nga 81 sa ka parlamenti i Podgoricës. Pra ka mbështetjen e partisë së zotit Gjukanoviç, president i vendit”, u shpreh ai.
Pozita e kryeministrit për Dritan Abazoviç është një rastësi në domozdoshmërinë e largimit të pushtetit të partisë së Frontit Popullor pro-serbe e pro-ruse, thotë tutje profesori.
“Por ai është përfaqësues i një partie të vogël me katër deputetë, të partisë Ura. Mund ta krahasoj me rastin e zotit Haradinaj në Kosovë, kur ai u bë kryeministër edhe pse partia e tij kishte vetëm 7 përqind të votave në parlament. Kjo do të thotë se pozita e kryeministrit për Dritan Abazoviç është një rastësi në domosdoshmërinë e largimit të pushtetit të partisë së Frontit Popullor pro-serbe e pro-ruse. Është rastësi dhe zgjidhje kompromisi, pavarësisht se Abazoviç ka kryer akte politike të guximshme dhe përfaqëson një politikë të tipit të jugosllavizmit të dikurshëm në Mal të Zi. Pra ai është kryeministër i përkohshëm, derisa partia socialiste popullore e Milo Gjukanoviq ta shohë veten gati për zgjedhje të reja. Në këtë moment merr fund kjo detyrë e zotit Dritan”, tha profesori.
Urimet e Ramës, Krasniqit dhe Pacollit
Duke vazhduar tutje, profesori përmend urimet e Ramës, Krasniqit dhe Pacollit, duke i cilësuar “patriotë” të kulluar, në fakt për të fsheh prapësitë anti-kombëtare të tyre.
“Megjithatë ai u përshëndet dhe mori shumë urime nga politikanët shqiptarë. Urimet dhe mburrjet për tre kryeministra shqiptarë në Ballkanin Perendimor i nisën të majtët e rreshtuara në partitë shqiptare, Edi Rama, Memli Krasniqi, Behgjet Pacolli etj. Simbolika e tre kryeministrave u përdor qëllimisht që këta të hiqeshin “patriotë” të kulluar, në fakt për të fsheh prapësitë anti-kombëtare të tyre. Memli ndoshta nuk e meriton këtë konkluzion. Por dhe ai ishte shumë euforik. Për mua simbolika e numrave të kryeministrave shqiptarë përdoret si koperturë për të fsheh dështimet në progresin tonë në rrugën e mirëqenies dhe forcimit të shtetësisë”, theksoi ai.
Në bised e sipër, Bytyçi thotë se nuk duhet të përcaktoj standardin demokratik numri i kryeministrave mirëpo përkushtimi i tyre në ndërtimin e shtetit.
“Nuk është numri i kryeministrave ai që përcakton standardin demokratik, nivelin e zhvillimit, arsimimin, shndërrimet e reformat në të gjitha fushat. Nuk është kjo ajo që ndërton shtetin e së drejtës dhe nxit iniciativën e lirë e shanset e barabarta. Nuk është numri i kryeministrave shqiptarë ai që bën të mundur balancën e pushteteve në demokraci. Për të gjitha këto mjafton një kryeministër. Dhe nga ana tjetër mua më vjen keq se ne kemi diku te një kryeministër e gjysëm me përkushtim shqiptari në çështjet e zhvillimit e të progresit tonë”, potencon Bytyçi.
Rama shpreson në pranimin e “Ballkanit të Hapur”, nga Abazoviç
Nga ana tjetër profesori thotë që Rama po e përkrahë kryeministrin Abazoviç pasi po shpreson që i njejti do ta përkrahë “Ballkanin e Hapur”.
“Ndërkaq kam vënë re se me eufori për bashkëpunim u prit zgjedhja e Dritan Abazoviç si kryeministër i vendit fqinjë, Malit të Zi. Rama ishte entuziast, sepse ka vënë re të kryeministri i sapozgjedhur në Mal të Zi që ai së paku nuk e kundërshton Open Ballkan-in. Mesa duket shpreson se qeveria malazeze do t’i bashkëngjitet projektit serb të Jugosllavisë së Re. Në fakt ai e ka thënë në një rast se Minishengeni është një zgjidhje e mirë për rajonin”, thekson profesori.
Nuk besoj se Abazoviç do ta bëjë realitet ëndërrën e Ramës për të shkuar në klubin e Ballkanit të Hapur të Beogradit, shton Bytyçi.
“Por nuk besoj se Abazoviç do ta bëjë realitet ëndërrën e Ramës për të shkuar në klubin e Ballkanit të Hapur të Beogradit. Kjo për disa arsye. Ai e di se europianët dhe gjermanët janë kundër Open Balkan. Ndërkaq ai mbahet në këmbë me votat e Milo Gjukanoviq, presidentit të vendit. Por presidenti Gjukanoviç është kategorikisht kundër Open Balkan-it. Për kujtesë: Pesë presidentët e vendeve të Ballkanit Perendimor, përkatësisht ai i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës, janë kundër Open Balkan. Por janë pro dy kryeministra, ai i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë së Veriut së bashku me presidentin serb”, thotë ai.
Abazoviç nuk do ta përkrahë “Ballkanin e Hapur”
Bytyçi thotë që Abazoviç nuk do ta përkrahë “Ballkanin e Hapur”, pasi këtë do ta kishte më të lehtë përmes qeverisë së mëparshme ku ai ishte zv.kryeminsitër.
“Nëse Abazoviç ka ardhur në krye të ekzekutivit malazez për t’iu bashkuar Open Balkanit, atëherë këtë ai und ta realizonte me më pak problem përmes qeverisë së mëparshme, ku ai ishte zv. Kryeministër. Prandaj dhe nuk e besoj integrimin e tij në këtë iniciativë serbo-ruse. Kështu që atij i mbetet të bashkëpunojë me të dy shtetet fqinjë, Shqipërinë e Kosovën në mënyrë të sinqertë e të barabartë. Kjo është me rëndësi të madhe”, tha profesori.
Në fund, Bytyçi uron që të riaktivzohet Procesi i Berlinit pasi “Ballkani i Hapur” është iniciative të Ramës dhe Vuçiq dhe është në dëm të Kosovës.
“Të shohim se cfarë do të ndodhë. Megjithatë prirem ta shoh gotën gjysëm plot e jo gjysëm bosh. Pra që të besoj se Dritan Abazoviç do të ndërtojë ura bashkëpunimi dy palëshe dhe në kuadër të inciativave europiane siç është Procesi i Berlinit. Me shumë rëndësi është rikativizimi i këtij procesi të monitoruar nga europianët dhe gjermanët. Open Balkan është i pamonitoruar, prandaj e pëlqejnë dy liderët autoritarë, Rama dhe Vuçiq”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.