Sulmet e armatosura ndaj Policisë së Kosovës: A duhet FSK-ja ta shkelë veriun që ta shpartalloj ‘pseudo-kryengritjen’ serbe!?

Politika

Sulmet e armatosura ndaj Policisë së Kosovës: A duhet FSK-ja ta shkelë veriun që ta shpartalloj ‘pseudo-kryengritjen’ serbe!?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 1 maj 2022 Në ora: 15:11
FSK

Policia e Republikës së Kosovës, ditët e fundit është sulmuar disa herë në veri të vendit. Këto sulme, atje vijnë nga grupe të caktuara serbe, të cilët duan ta destabilizojnë vendin.

Përgjegjësinë për këto sulme thuajse drejtpërdrejt e ka marrë Lista serbe, e cila në një konferencë me gazetarë, kërcënoi institucionet se nëse i arreston dhjetëra kriminelë serbë, do të ballafaqohen me ‘mosbindje qytetare’, dhe se do të përdorin ‘të gjitha mjetet jodemokratike’. Kjo thirrje nënkupton hapur përdorimin e armëve, dhe sigurisht mbështetjen e Serbisë, e cila të shtunën bëri edhe një shfaqje të forcave të saj të armatosura.

Por, pas këtyre sulmeve të vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës në veri, a duhet të vendoset FSK-ja në jëtë pjesë me vendim unilateral apo si, nëse eskalon situata dhe Policia mund të jetë e pafuqishme ndaj sulmeve serbe!?

Bajqinovci: FSK-ja nuk duhet të vendoset në veri

Image
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, thotë se nuk duhet që FSK-ja të vendoset në veri.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka forcuar me trupa shtesë Policinë kufitare.

“Unë nuk mendoj që duhet të vendoset FSK-ja në veri, sepse Qeveria e Kosovës ka bërë punë duke forcuar me trupa shtesë Policinë kufitare. Tashmë është vendosur një objekt ku Policia kufitare është shumë prezente në afërsi të pikave kufitare”, thotë Bajqinovci për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, tashmë rrugët anësore janë mbyllur në veri për të ndaluar kontrabandën.

“Nuk besoj se do të ketë eskalim edhe pse sulmet janë me armë kundër policisë dhe janë sulme me elemente terroriste. Nuk do të ketë eskalim si dhe prezenca e njësive speciale tashmë ka filluar të bëhet normalitet”, thotë deputeti.

Ai pohon se, shtrirja e autoritetit të Republikës së Kosovës në veri të shtetit tonë po e pengon Serbinë, sepse ajo po e humb ndikimin.

“Këtë ndikim Serbia e ka shtrirë përmes strukturave paralele kriminale të cilat terrorizojnë popullatën në veri. Nëse eskalon aty e kemi KFOR-in dhe Policinë, e cila do të jetë aty për sigurinë e qytetarëve dhe pikave kufitare”, përfundon deputeti Mefail Bajqnovci.

“FSK-ja nuk duhet shkelur partneritetin e saj të krijuar me NATO-n”

Image
Eksperti i sigurisë Drizan Shala

Kurse eksperti i sigurisë Drizan Shala, pohon se, sulmet që janë duke ndodhur po e dëshmojnë edhe njëherë që urdhërdhënësit janë në Beograd dhe qëllimi primar i tyre është kundër rendit kushtetues dhe shtrirjes së autoritetit të Republikës së Kosovës në veri të vendit.

“Institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës janë duke iu qasur në dy nivele këtij problemi në veri të vendit, ku në njërën anë është duke vazhduar mbledhja e informacioneve për autorët e sulmeve, ndërsa në anën tjetër duke ofruar siguri të përgjithshme për të gjithë qytetarët e saj”, thotë Shala për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, sa i përket sigurisë, mekanizimi ndërkombëtar është duke harmonizuar veprimet në teren me institucionet e vendit për të ofruar mundësi dhe qasje edhe në informacionet e mbledhura nga ana e KFOR-it, të cilët janë duke patrulluar në veri të vendit.

“FSK-ja nuk duhet të involvohet në këtë mjedis të sigurisë duke mos shkelur partneritetin e saj të krijuar me NATO-n në përgjithësi në njërën anë dhe me SHBA-në në anën tjetër. Sepse State Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-ve ka dhënë mesazhin që FSK-ja duhet ta përmbyllë planin e saj gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe kështu të arrijë kapacitetet e plota operacionale bazuar në standardet e NATO-s”, potencon Drizan Shala.

Ramadan Qehaja: Ekziston një dokument që FSK-ja mos të depërtojë në veri

Image
Eksperti ushtarak dhe i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja

Ndërsa, eksperti ushtarak dhe i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, për gazetën “Bota sot”, ditë më parë ka thënë se, FSK-ja e ka një pengesë që mos të lëvizë në pjesën veriore të Kosovës.

“Ekziston një dokument, i cili flet që FSK-ja nuk do të depërtojë në veri të vendit tonë”, shprehet ai.

Qehaja thotë se, duke pasur parasysh situatën e krijuar në luftën e Ukrainës nga Rusia, mandej tentativat e destabilizimit të vazhdueshëm të Serbisë dhe Rusisë në territorin e Ballkanit Perëndimor, aq më parë që këtu ekziston një njësitë në Nish, i forcave informative ruse, të cilat këtu veprojnë me të madhe, duhet që të jemi këmbëngulës në atë që tërë territorin e Kosovës, mund ta kontrolloj ushtria jonë, në çdo kohë dhe në çdo hapësirë.

“Dhe duke ditur situatën e krijuar, duke pasur përvojë nga lufta e fundit në Kosovë, por më vonë, tash gjatë destabilizimit që po e përjetojmë gati çdo ditë nga Serbia, ne duhet të fillojmë që të mendojmë dhe të mbështetemi në forcat tona vetanake, nuk jemi për atë që nuk kemi besim ndaj KFOR-it këtu, por, sado-kudo ne vet duhet të bëjmë analiza se ku jemi, çfarë forca kemi, çfarë armatimi dhe çfarë gatishmërie vepruese kemi. Përveç FSK-së, duhet të shohim edhe gatishmërinë e njësiteve për luftime civile, për mbrojtje civile që të shohim çfarë aktiviteti ka AKI-ja jonë, aq më parë që ajo duhet në këtë situatë të jetë e tëra gati në terën për t’ia mundësuar udhëheqësisë tonë një analizë të mirëfilltë të situatës politike, por edhe asaj të sigurisë, sepse për atë edhe ekziston. Dhe së fundi tërë këtë situatë, e cila u krijua ditëve të fundit në planin e sigurisë dhe destabilizmit që po e përjetojmë atje, ne duhet ta shfrytëzojmë këtë në planin diplomatik-politik si shtet, dhe kujtoj që në këtë drejtim ka hapësirë për t’u bërë më tepër, sepse ngadalë po veprojmë, ngadalë po shpjegojmë dhe ngadalë po mbërrijnë informacionet e sakta atje ku duhet të mbërrijmë”, përfundon eksperti ushtarak dhe i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat