Ka kaluar më shumë se një dekadë nga fillimi i dialogut në Bruksel, Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të BE-së, që ishte projektuar të ishte teknik, por në fund rezultoi jo vetëm politik, por edhe si një mundësi për kërkesa të pafundme për serbët, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Për dallim nga politika që ndjek opozita, ajo e AAK-së, PDK-së, disa analistëve dhe figura kontradiktore, e të jo pak diplomatëve kanë filluar ta shquajnë, se pengesa e vetme reale e realizimit të marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi është vetë Serbia, e cila nuk është aspak e gatshme ta njohë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Së fundmi, profesori amerikan, Daniel Serwer, ka potencuar se “e vetmja pengesë për të arritur ...objektivin kryesor për dialogun e njohjes së ndërsjellë mes dy shteteve sovrane dhe të pavarura është refuzimi i Serbisë për të konsideruar po këtë propozim”.
“Amerikanët do ta gjejnë zgjidhjen”

E lidhur me këtë, analisti politik Rexhep Shahu, theksoi se opsion për Serbinë është vetmia, dhe jo dialogu, andaj ka edhe ngrirje të bisedimeve.
“Refuzimi i Serbisë për ta patur në dialog edhe çështjen e njohjes së ndërsjellë dhe këmbëngulja e shqiptarëve që dialogu të përfundojë në njohje reciproke ky është konflikti. Serbia e përjashton atë opsion, Kosova e ka të vetmin opsion. Kjo ka sjellë ngrirje të bisedimeve. Po në bisedime nuk do flitet për tregtinë e arrave e nuk do të mbyten më në cekëtina problemesh. Amerika bën presion, Europa zvarritet. Burrështetas urtak si Rugova në bisedime me Klintonin, Kosova nuk ka më”, thotë ai.
Tutje u shpreh se amerikanët do të gjejnë zgjidhje t’i vazhdojnë sanksionet, megjithatë sipas tij, Kosova nuk mund të kthehet më nën Serbi. “Autoritetet e Kosovës sot vajtojnë mungesën e vëmendjes dhe të fotografive në Shtëpinë e Bardhë. Unë besoj se pavarësisht fjalëve e presioneve diplomatike, amerikanët nëse vazhdojnë aksionin do ta gjejnë zgjidhjen. Kosova nuk kthehet më nën Serbi, Serbia nuk kthehet më në Kosovë pasi e ka dëbuar Amerika me luftë të armatosur, dhe ajo nuk ka luftuar që ta rikthejë sërish Serbinë në Kosovë apo Kosovën nën Serbi”, shtoi Shahu.
“Ballkani Perëndimor po rrezikohet nga Serbia”

Ndërsa, juristi Muhamet Kelmendi, potencoi se deklarata e Murphy që Serbia të largohet nga Rusia dhe t’i bashkohet shteteve demokratike ishte mjaftë e qartë, tani sipas tij, i mbetet serbëve të zgjedhin rrugën e tyre.
“Ballkani Perëndimor po rrezikohet nga Serbia. Gjatë vizitës së senatorëve amerikan në Beograd, në takim me terroristin Vuçiq, senatorët e qartësuan Serbinë se një rrugë është, ajo e bashkëngjitjes së sanksioneve të BE-së, të SHBA-ve, përkatësisht të botës liberale e demokratike kundër Rusisë. Senatori Chris Murphy thotë: "SHBA-të e kuptojnë lidhjen që ka Serbia me Rusinë, por se ka ardhur koha kur duhet ndërruar qëndrimin ndaj Rusisë, duke iu bashkuar shteteve demokratike". Kjo ishte një porosi e qartë për shtetin serb. Mbi këtë kriminelëve terroristë të Beogradit iu mbetet të zgjedhin rrugën e ardhme: Ose me Perëndimin dhe ose me Rusinë dhe shtetet autoritare si Kina”, është shprehur ai.
Ai shtoi se nga kjo u pa se miqtë e Beogradit janë Rusia dhe Kina, gjë që e dëshmon edhe marrja e armëve nga to.
Kelmendi theksoi tutje se loja e Beogradit tani po merr fund me qëndrimin e senatorëve të SHBA-ve, Berlinit dhe të Londrës.
“Në fakt, me këtë u vërtetuan qëndrimet e Kosovës lidhur me Serbinë. U pa se dylojshmëria e Beogradit është lojë, dhe se ata janë miq të sigurtë të Rusisë dhe të Kinës. Kjo, u pa me armët që mori Serbia nga Rusia dhe Kina. Dhe, në këtë vorbull të çuditë e dhëna, se si është e mundur që Serbia, mike e Rusisë dhe Kinës, të marrë aeroplan luftarak nga "Franca". Shpresohet se është e pavërtetë. Sepse, kjo e rrezikon gjendjen dhe e bënë shumë të nxehtë dhe luftarake në Ballkan. Por, me qëndrimin e senatorëve të SHBA-ve, të Berlinit dhe të Londrës, de-fakto po merrë fund loja e Beogradit. Ose me Perëndimin ose me Rusinë dhe Kinën. Kuptohet se me këtë qëndrim "Ballkani i hapur" ka marrë goditje, sepse doli qartë se është mekanizëm i dëmshëm për paqen. Prapa tij po fshihet terrorizmi nacionalfashist serb në Beograd”, shtoi ai.
Kelmendi potencoi se e çuditshme është se si nuk paditet Rama për politikën e jashtme që bënë, madje juristi, thotë se e gjithë epiqendra është te “Ballkani i hapur”.
Me Serbinë pa BE-në dhe SHBA-të nuk dialogohet
Ai thotë se duhet kërkuar po ashtu nga Beogradi qartësi për armatosjen e tyre, madje edhe për qëndrimet proruse.
“Dhe, nëse z.Rama e vazhdon rrugën e "Ballkanit të hapur", pavarësisht rreziqeve permanente që vijnë nga terroristët e Beogradit ndaj shqiptarëve dhe botës demokratike, i takon Kuvendit të Shqipërisë të merret me Edin dhe të kërkojë shkarkimin nga detyra e Kryeministrit. Është çudi pse nuk paditet Edi Rama në Gjykatën Kushtetuese për politikën e jashtme që po bënë. Epiqendra e shkeljes së Kushtetutës së Republikës është pikërisht "Ballkani i Hapur". Çështja tash nuk është se nuk dihen të këqijat e këtij mekanizmi. Këtë e theksuan mirë në Berlin. Vetë Kancelari bëri thirrje para z.Rama që të punohet në bazë të "Procesit të Berlinit". Këtu del qëndrimi i qartë kundër "Ballkanit të hapur". Por, edhe sikur mos të ishte kjo, armatosja e Serbisë, qëndrimet pro Rusisë dhe qëndrimet amerikane, lidhur me pozitën ndaj Rusisë, kërkohet qartësi nga Beogradi. Këtë nuk po e bëjnë terroristët e Beogradit. Ata po vazhdojnë me përkrahjen e Rusisë”, thekson Kelmendi.
Më tej thotë se përveç Serbisë asnjë shtet tjetër nuk dëshiron luftë, andaj edhe po armatoset, madje ideja luftës mbështetet në direktivat e politikës së Vulinit, Daçiqit dhe Vuçiqit.
“Pra, këto janë fakte që tregojnë se me Serbinë pa BE-në dhe SHBA-të nuk dialogohet. Serbia është bllokuese e dialogut dhe po armatoset me armë moderne kundër shqiptarëve, kroatëve, malazezëve, boshnjakëve etj. Armët moderne nuk janë për sorra. Kjo, për faktin se shtetin serb nuk ka kush e sulmon. Nuk ka shtet tjetër që donë luftë. Lufta si sinonim dhe bazë politike është direktivë e politikës së terroristëve, Vulin, Daçiq, Vuçiq e shumë të tjerëve si ata. Këtë situatë duhet ta kuptojnë të gjithë, si në Prishtinë e në Shkup, ashtu edhe në Podgoricë, në Zagreb e në Sarajevë. Këtë duhet ditur edhe patur të qartë edhe në Bruksel, në Uashington, në Londër, në Berlin, në Vjenë etj. Mjerë ata që nuk e kuptojnë”, përfundon Muhamet Kelmendi.