Pushtimi rus i Ukrainës, po e çon botën drejt një përplasje më të madhe. Qytetërimi Perëndimor, do të vazhdojë ta ndihmojë Ukrainën kundër pushtimit nga Rusia, e cila ka shkelur të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, dhe po vazhdon të kryejë krime lufte.
Perëndimi aktualisht është duke vazhduar me sanksione të fuqishme ekonomike, financiare, bankare etj., dhe me dërgimin e ndihmës ushtarake për ukrainasit, si dhe ndihma ekonomike e financiare për të mbijetuar shteti ukrainas.
Bashkimi Evropian ia ka vendosur edhe shkallën e gjashtë të sanksioneve Rusisë, me përjashtim të Hungarisë dhe Bullgarisë, ndërkohë që i vetmi vend në Europë, është Serbia, e cila me këmbëngulje po refuzon vendosjen e sanksioneve.
Madje, ajo së fundi ka bërë një marrëveshje të re për furnizim me gazin rus.
Në krye të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë dhe ndihmës dallohet SHBA, pastaj BE-ja dhe Britania e Madhe, por edhe shtetet neutrale si Austria dhe Zvicra i kanë vendosur sanksione, por edhe Japonia dhe shtete të tjera, që mbështesin kulturën perëndimore, si Australia, Japonia etj.
Së fundmi Bashkimi Evropian ka ndaluar edhe importin e naftës duke i dhënë edhe një goditje të radhës Rusisë.
Serbia edhe pse nuk po i vë sanksione Rusisë, Perëndimi duket se nuk po i bën presion të mjaftueshëm.
Për të mos mjaftuar që nuk po i vënë sanksione, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi, i cili ka bërë një telefonatë diktatorit rus, Vladimir Putin, me të cilin janë marrë vesh për furnizimin e pandërprerë me gaz dhe se çmimi i gazit për Serbinë do të jetë shumë herë më i ulët sesa për të tjerët në Evropë.
Në lidhje me atë se a po vazhdon të bëj presionin e duhur Perëndimi karshi Serbisë, kanë folur analistët politikë.
Ahmeti: Perëndimi po përdor standarde të dyfishta, pasi po ledhaton Serbinë kurse nuk po privilegjon shtetin e Kosovës që është në një vijë me ta
Në lidhje me këtë temë në një bisedë me “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti.
Ai u shpreh se Perëndimi duhet të vazhdoj të I bëj presion Serbisë pasi e njëjta po vazhdon logjikën e njëjtë në raport me Rusinë.
Sipas tij, Perëndimi duhet të jetë më vigjilente, konstruktiv dhe objektiv në gjykime.
“Perëndimi duhet të shkoj presionin ndaj Serbisë, pasi Serbia po vazhdon logjiken e njëjtë në raport me Rusinë. Perëndimi e njeh shumë mirë logjiken e funksionimit të zyrtarëve të lartë të shtetit serb dhe në bazë të këtij realiteti. Perëndimi duhet të jetë më vigjilente, konstruktiv dhe objektiv në gjykime”, u shpreh ai.
Në bisedë e sipër, analisti thotë se Perëndimi po ledhaton Serbisë ndërsa nga ana tjetër po i mohon Kosovës për të u anëtarësuar në mekanizmat ndërkombëtar.
“Perëndimi po përdor standarde të dyfishta, pasi po ledhaton ata të cilët po veprojnë me logjikën e njëjtë ruse, kurse nuk po privilegjon shtetin e Kosovës që është në një vijë me ta. Mendoj se në këtë rast, Perëndimi është dashur me i dhënë mundësi shtetit të Kosovës për lehtësim të rrugës për anëtarësim në shumë mekanizma ndërkombëtar, por një gjë të tillë nuk po e bën. Mbetët që në një të ardhme të afërt, Perëndimi të ndryshoj kursin e veprimit në raport me ata të cilën përkrahin politikat agresore ruse”, foli Ahmeti për “Bota sot”.
Mehmeti: Serbia gjithnjë ka qenë e përkëdhelur dhe si e tillë e ka shfrytëzuar rastin të mbajë një dorë në “bakllava” dhe tjetrën në “revani”
Analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se Serbia gjithmonë ka qenë në anën e Rusisë dhe se Perëndimi duhet t’i vë Serbisë ultimatum për ta detyruar atë të merr vendim pro sanksioneve.
“Serbia gjithnjë ka qenë e përkëdhelur dhe si e tillë e ka shfrytëzuar rastin të mbajë një dorë në “bakllava” dhe tjetrën në “revani”. Perëndimi duhet t’i vë Serbisë ultimatum, për ta detyruar atë të merr vendimin e vështirë, por të detyruar për ta shkëputur nga Rusia dhe ndikimi i saj”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, ai shton se Serbia po e përdor dobësinë dhe mungesën e vendosmërisë së Perëndimit për të përfituar nga të dyja anët.
“Serbia po e përdor dobësinë dhe mungesën e vendosmërisë së Perëndimit për të përfituar nga të dyja anët. Kjo gjë duhet të marrë fund”, nënvizoi Mehmeti për “Bota sot”.
Duhanaj: Serbia mbetet shtet destruktiv
Ndërsa analisti tjetër politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, thotë që Serbia është shtet i papërgjegjshëm dhe i konvenon gjendja në status quo në të gjitha segmentet.
“Serbia është shtet i papërgjegjshëm dhe destruktiv karshi politikave gjeopolitike perëndimore dhe këtë e dinë të gjithë. Serbia po ashtu është shtet i papërgjegjshëm dhe destruktiv në raport me politikat regjionale, përkatësisht bashkëpunimin fqinjësorë. Serbisë i konvenon gjendja në status quo, në të gjitha segmentet, pasi që është e vetmja mënyrë që ta mbajë gjallë pretendimin e saj, të luaj rolin e të painkuadruarit, apo të pa pozicionuarit qartë. Serbia është i vetmi vend në Europë, i cili nuk iu është bashkangjitur sanksioneve perëndimore kundrejt Rusisë, Serbia, përkatësisht presidenti i saj, Vuçiqi”, thekson analisti.
Mendoj se kësaj qasje duhet t'i vie fundi dhe se komuniteti ndërkombëtarë, përkatësisht vendet e QUINT-it, thotë tutje analisti politik.
“Serbia nga njëra anë shfrytëzon partneritetin me rus dhe kinez, dhe nga ana tjetër shfrytëzon përpjekjet e perëndimit për ta joshur më shumë. Mendoj se kësaj qasje duhet t'i vie fundi dhe se komuniteti ndërkombëtarë, përkatësisht vendet e QUINT-it, duhet të vejnë para zgjedhjes definitive, ndryshe nuk do të ketë progres i gjithë regjioni! Serbisë duhet t’i bëhet e qartë se nuk mundet të bëj shagatën në mes perëndimit dhe lindjes dhe se pozicionimi lindor nënkupton izolim masiv”, potencon ai.
Sipas analistit bota perëndimore duhet ta ndërrojë formën e të shprehurit karshi Serbisë dhe të i përcaktohet një rrugë.
“Kjo sepse Serbia është e bindur se çfarëdo që do të ndodhë, në procesin integrues europian, do të pranohet njëjtë me vendet e rajonit. Pra, bota perëndimore, përkatësisht QUINT-i duhet ta ndërrojë formën e të shprehurit karshi Serbisë. Në vend të ofertave dhe përkëdheljes, duhet ta përdorin gjuhen e kërcënimit dhe detyrimit të pozicionimit të qartë. Vetëm atëherë, Serbia do të përcaktohet për njërën rrugë, pasi që gjuhen e dialogut dhe bashkëpunimit nuk e njeh, e njeh vetëm gjuhen e konfliktit dhe të kërcënimit”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.