Ramush Haradinaj nuk e ka ndërmend ta lëshojë fronin në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Vetëm pak ditë më parë, u mbajt kuvendi zgjedhor i AAK-së, ku Ramush Haradinaj, u rizgjodh sërish lider i këtij subjekti politik.
Hardinaj u rizgjodh kryetar me 518 vota.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, njëherësh njohës i çështjeve politike, Enver Bytyçi në një prononcim komentoi rizgjedhjen e Haradinajt si kryetar i AAK-së dhe ndikimin e tij në skenën politike në Kosovë.
Sipas tij, një gjë e tillë pritej, pasi ndikimi i familjes Haradinaj është determinues në këtë parti, veçanërisht i Ramushit. Ai bëri disa krahasime edhe me partitë e tjera, ku veçojë LDK-në dhe LVV-në për disa arsye.

“Po! Ramush Haradinaj u rizgjodh kryetar i AAK-së në Kosovë. Nuk pritej ndryshe. As nuk do të bëhet ndryshe në të ardhmen. AAK është një parti klani, gati si një familje. Ndikimi i familjes Haradinaj është determinues. Sidomos i Ramush Haradinajt. Në fakt thuajse të gjitha partitë në Kosovë, përveçse LDK-së dhe Vetëvendosjes, janë parti klanesh, grupimesh, madje dhe zonash krahinore. PDK presopuzohet si parti me rrënjë të thellë në Drenicë. AAK në Fushë-Dukagjin, thellësisht në Deçan. Nisma e Fatmir Limajt në Malishevë, përkatësisht aty nga vijnë dhe liderët e këtyre partive. Sa i përket lëvizjes Guxo, është ende herët të thuhet nëse përfaqëson edhe ajo një zonë apo krahinë të Kosovës”, deklaroi profesori.
Krahas kësaj, profesori këtë gjendje të partive politike e sheh si një problem të madh për skenën politike në Kosovë.
Kjo pasi, për shkak se disa subjekte shfaqen si sekte dhe tentojnë krijimin e oligarkisë në vend, e tillë është AAK.
“Por ky nuk është problemi në Kosovë. Thellësisht unë shqetësohem për shkak se disa parti shfaqen si sekte, me ndikim në biznese, në sipërmarrje dhe përpiqen që të dominojnë përmes krijimit të një oligarkie. Këtu kam parasysh faktin se në Kosovë të gjithë i njohin sipërmarrësit e mëdhenj dhe e dimë se me cilën parti politike bashkëpunojnë. Duke filluar nga Behgjet Pacolli e deri te disa sipërmarrje të fuqishme që bashkëpunojnë me AAK-në. Po ashtu të gjithë e dinë se cila gazetë dhe cili TV mbështet njërën ose tjetrën parti politike. Pra partitë na shfaqen si konstrukte të një oligarkie. AAK është dukshëm një parti e tillë”, theksoi ai.
Në vazhdim, profesori përmendi disa të mira në kohën e qeverisjes së Haradinajt, por edhe disa të meta, ndër të cilat ishte edhe ndarja e fondeve për ndarjen e Kosovës, pikërisht nga ministria e tij.
‘Zoti Haradinaj nuk mësoi ose mësoi e heshti”
“Ndërtimi i partive politike bazuar në këtë strukturë krijon shanset që qeveritë që drejtojnë parti të tilla të mendojnë e të besojnë se edhe shteti funksionon si partitë. Ne duhet t’ia njohim zotit Haradinaj disa merita në periudhën kur ai qeverisi vendin para pak vitesh. Taksën për mallrat serbe që hynin në Kosovë. Ishte kjo taksë që bllokoi realizimin e projektit serb të ndarjes së Kosovës. Kur u hoq taksa, rifilloi projekti, derisa duhej heq presidenti Thaçi për ta ndërprerë këtë proces.
Haradinaj ishte kategorisht kundër shkëmbimit të territoreve. Por ai ose nuk u vu në dijeni ose heshti kur ministrja e tij e integrimit ndau fonde për të lobuar për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e vendit. Kjo ndodhi, sepse ndonëse ishte kundër, në praktikë nuk u mor me antidotin e ndarjes së Kosovës, pra me forcimin e institucioneve dhe qeverisjen e mirë. Kur një ministër ose ministre përdor fondet publike për një gjë që shkon në dëm të interesave të vendit, kryeministri duhet të dijë se çfarë po ndodh”, vlerësoi Bytyçi.
Më tej, ai potencoi se Haradinaj ka vepruar njëjtë si në krye të vendit si në krye të partisë, duke shpërblyer me poste me pozita shtetërore njerëzit e tij.
Sipas tij, lideri që është autoritar dhe i korruptuar në parti, ai lider politik do të jetë i tillë edhe në qeverisjen e vendit.
‘Zoti Haradinaj nuk mësoi ose mësoi e heshti, sepse ishte i zënë në drejtimin e qeverisë për aplikimin e të njëjtës skemë siç drejton edhe AAK-në. Përmes njerëzve të familjes, miqve dhe njerëzve, të cilët inkurajohen të shpërdorojnë pozitën shtetërore, pronat publike dhe paratë publike. Nëse nuk do të ndodhte kjo, buxheti i shtetit do të rritej që në periudhën e qeverisjes së tij. Pra, qeverisja dhe mënyra e drejtimit të partive politike janë reflekse të njëra-tjetrës, janë të ndërvarura. Një njeri, një lider që mësohet të jetë autoritar dhe i korruptuar në parti, ai lider politik do të jetë i tillë edhe në qeverisjen e vendit.
Edhe në Shqipëri ndodh rëndom që kandidatët për deputetë e për kryetar të bashkive të paguajnë para për këtë kandidim. Sa më e sigurt fitorja, aq më shumë para paguhen. Partitë e bazuara te struktura familjare, klanore etj, shet dhe blen mandate. Për pasojë në qeverisje ushtron detyrën përmes korrupsionit. Ky është problemi më i madh i partive të tilla, të cilat krijojnë struktura për gjobë-vënie dhe jo për qeverisje”, nënvizoi profesori.
“Kur u krijua AAK, ajo doli si rivale e PDK-së së Thaçit”
Ndër të tjera, Bytyçi beson se Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës do ta udhëheqin Dauti dhe Ramush deri në fund të jetës së tyre.
Kjo gjë, sipas profesorit nuk është e duhur, pasi partitë duhet të dalin nga hija e liderit absolut.
“Kur u krijua AAK, ajo doli si rivale e PDK-së së Thaçit. Mesa duket rivaliteti gjatë luftës çoi në krijimin e formacioneve politike po ashtu rivale. Në raste të tilla partitë lidhen pas liderit. Kjo ndodh edhe me partitë e mëdha. Shihni Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe rikthimin e Sali Berishës. Është pasqyrë e asaj se çfarë ndodh kur liderët janë të fuqishëm. Pavarësisht se ka shumë dallime midis zotit Berisha dhe zotit Haradinaj, mund të them se AAK do të jetë solide në përmasat që ka sot sa kohë qe do ta drejtojnë atë dy vëllezërit Haradinaj, Ramushi dhe Dauti. Më pas nuk besoj se do të mund të rezistojë. Dhe vëllezërit Haradinaj do ta drejtojnë AAK-në deri në fund të jetës së tyre.
A është kjo gjë e mirë? Sigurisht që jo. Sepse partitë duhet të dalin nga hija e liderit absolut. Të funksionojnë në mënyrë kolegjiale. Në këtë mënyrë aplikojnë më shumë demokraci, më shumë debat, më shumë kundërshti dhe për pasojë, nëse vijnë në pushtet, formësojnë një qeverisje transparente e pa implikime në korrupsion”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.