Pranimi në NATO dhe pavarësia e Kosovës ishin produkt i vizitës së presidentit George W. Bush në Tiranë!

Politika

Pranimi në NATO dhe pavarësia e Kosovës ishin produkt i vizitës së presidentit George W. Bush në Tiranë!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 9 qershor 2022 Në ora: 10:59
Pamje nga vizita e Presidentit George W. Bush në Shqipëri

Nesër mbushen 15 vjet nga dita kur presidenti i 43-të i SHBA-ve, George Walker Bush, vizitoi Shqipërinë. Ishte presidenti i parë amerikan që shkeli në tokën shqiptare. Atë 10 qershor të vitit 2007 shqiptarët e përjetojnë edhe sot me emocion si një ngjarje të jashtëzakonshme. Madje u duket sikur një meteor prej diamanti, i cili u shkëput nga galaktika dhe ra mbi tokën e shqiptarëve, për t'i lumturuar ata!

Dinastia Bush është e njohur në SHBA. I pari politikan i kësaj dinastie i përket fundit të shekulli XIX, kur katragjyshi i George W. Bush, i cili quhej Samuel P. Bush (1463-1948) u bë këshilltar i presidentit të 31-të të SHBA-ve, Hoover. Më pas tradita ka vazhduar me ngjitjen në detyrën e senatorëve, derisa George H.W. Bush, fillimisht u bë senator dhe drejtor i CIA-s e më pas edhe presidenti i 41-të i SHBA-ve. Ky president amerikan ishte i pari nga të gjithë presidentët amerikanë që priti në zyrën ovale të tij një kryetar shteti të Shqipërisë, presidentin Sali Berisha. (1992) Dhe më pas erdhi presidenti i parë në historinë e SHBA-ve që do të vizitonte Shqipërinë.

Atë ditë të 7 qershorit 2007 shumë televizione prestigjioze të botës si CNN, BBC Euronews e të tjera e transmetuan drejtpërdrejt vizitën e zotit Bush në vendin tonë. Ishte një ditë e jashtëzakonshme. Qindra-miliona njerëz në botë po shihnin live takimet dhe fjalimet e George W. Bush në Tiranë dhe në Fushë-Krujë. Shqipëria kapi kuotën më të lartë në histori në arritjen e imazhit dhe prestigjit të saj. Askush nuk mund ta kontestonte këtë fakt.

Inskenimi i shpërthimit në Gërdec

Gjigandët mediatikë të Europës, Amerikës e më gjerë transmetuan drejtpërdrejtë deklaratën surprizuese të presidentit Bush, kur ai i thoshte kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, se "Unë e di se çfarë prisni ju për Kosovën. Po! Kosova duhet të jetë dhe është e pavarur"!

Image
Dita e shpalljes së pavarësisë, 17 shkurt 2008

Kjo deklaratë vinte vetëm dy ditë pasi presidenti amerikan kishte kundërshtuar, në samitin e G-7-ës plus Rusia, zhvilluar në Gjermani, propozimin që të shtyheshin dhe për gjashtë muaj të tjerë bisedimet për statusin e Kosovës. Ai e vulosi këtë status ende pa nis punën grupi i negociatorëve, tashmë pa Martti Ahtisaarin në krye të tij. U bë kjo në atë samit, sepse kështu donin Rusia dhe Franca.

Por vizita e George W. Bush në Tiranë nuk certifikoi vetëm pavarësinë e Kosovës. Ajo u bë pikënisja kryesore e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Armiqtë e Shqipërisë dhe kundërshtarët e pranimit të saj në NATO u përpoqën që ta sabotojnë marrjen e ftesës 10 muaj më vonë për t'u bërë pjesë e aleancës, kur inskenuan shpërthimin në Gërdec. Jo rastësisht u zgjodh demontimi i armëve për të bllokuar integrimin e Shqipërisë në NATO. Sepse ky proces do të prishte imazhin e ushtrisë dhe të sigurisë së Shqipërisë! Pas kësaj pati zëra kundër ftesës për pranim në Aleancën Atlantike. Por presidenti amerikan, i mrekulluar nga vizita dhe pritja që iu bë në Shqipëri, sigurisht dhe i informuar hollësisht për rrethanat e atij akti terrorist, vendosi veton. Tha "Po! Shqipëria do të bëhet pjesë e NATO-s"!

Këtë vendosmëri të tij ata që ngrohën duart në zjarrin e Gërdecit sot e interpretojnë si të vetmen arsye pse vendi ynë u bë anëtare e NATO-s. Në fakt e vërteta ishte dhe mbetet ndryshe. Përkushtimi i institucioneve të shtetit shqiptar për të kap trenin e NATO-s në kohë e pa u vonuar ishte maksimalisht i vlerësuar gjatë vizitës së presidentit George W. Bush. Madje ai bëri edhe një takim me stafin e ministrisë së Mbrojtjes, të cilën e drejtonte Gazmend Oketa. Dhe aty u informua hollësisht për përgatitjet e vendit në pjesën fundore të rrugës së tij për t'u bërë anëtare e NATO-s. Dhe aty zoti Bush pa se sa e përkushtuar ishte qeveria shqiptare në këtë rrugëtim. Ndërkohë që ai ishte informuar hollësisht nga kryeministri Berisha dhe presidenti Moisiu në pritjen e tij në Pallatin e Brigadave.

Falsifikatorët

Megjithatë intrigat e sojit mafioz të sigurimit të shtetit shqiptar do të vazhdonin. Kur vizita po merrte një kahje të jashtëzakonshme për imazhin e Shqipërisë, një medie shqiptare sajoi lajmin se "Në Fushë Krujë presidentit Bush iu vodh ora gjatë takimit me banorët e kësaj qyteze të vogël"! Ky lajm u përhap me regji në mediet ndëerkombëtare. Pati efektin e lajmit të gënjeshtërt mafioz të Griselës "shtatzëne" e "të dhunuar nga njerëzit e Sali Berishës"! Por Grisela e kryebashkiakut mafioz të Kavajës, mikut të kryeministrit Rama, rezultoi me jastëk, njësoj si Marigoja në komedinë "14 vjeç dhëndër"!

Kësisoj mafiozët që sot i kemi në pushtet, ia arritën ta eklipsojnë deri diku suksesin e vizitës së presidentit George W. Bush me lajmin për vjedhjen e orës së tij. Përveç kësaj i dhanë një nam të keq emrit dhe integritetit të shqiptarëve, duke i paraqit si hajdutë, deri dhe të orës së presidentit amerikan. Duke i shpallë ata si njerëz që "vjedhin mikun në shtëpinë e tyre"! Kaq shumë ligësi e poshtërsi kishte në atë lajm të rremë e të falsifikuar qëllimisht për të denigruar aktorët e kësaj vizite dhe shqiptarët në përgjithësi. Dhe mos e harrojmë kurrë faktin se autorë e regjisorë të kësaj vepre makabre ishin këta që sot e qeverisin me të njëjtat intriga Shqipërinë. Ata që errësuan lajmin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga presidenti Bush në Shqipëri më 10 qershor 2007, po këta sot duan ta zhbëjnë këtë pavarësi me lidhjet mafioze me regjimin e Beogradit!

Megjithatë vizita e presidentit të 43-të të SHBA-ve në Shqipëri e 10 qershorit 2007 është dhe do të mbetet histori. Në atë akt historik të papërsëritshëm deri më sot aktor kryesor ishte dhe do të mbetet gjithashtu kryeministri i kohës i Shqipërisë, miku i familjes Bush, Sali Berisha. Falsifikatorët e deformatorët e asaj vizite mund të lënë leshtë duke paguar miliona për ta denigruar figurën e ish-kryeministrit dhe ish-presidentit shqiptar, zotit Berisha, por ata nuk mund ta ndryshojnë historinë. Historia dhe e shkuara as nuk ndryshohen, as nuk blihen me para!

Image
Ish kryeministri Sali Berisha dhe ish Presidenti George W. Bush

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat