Ditë më parë është nënshkruar marrëveshja e pajtueshmërisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë.
Takimet janë zhvilluar Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve, i cili ka nisur më 2011.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për këtë dialog, Mirosllav Lajçak, kishte zhvilluar fillimisht takime bilaterale me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është shef i delegacionit të Kosovës për dialog, e më pas edhe me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.
Disa detaje të marrëveshjes
Në marrëveshjen e nënshkruar përmendet që Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) do të lëshojë licencë për kompaninë serbe, “Drustvo Elektrosever D.O.O.” dhe do të sigurojë se puna e kompanisë do të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës.
Gjithashtu thuhet që brenda shtatë ditëve të lëshimit të licencës, Elektrosever do t’i ofrojë Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike - KEDS dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë - KOSTT të dhënat më të fundit për konsumatorët, nën ndërmjetësim të BE-në.
“Pas 10 ditëve të lëshimit të licencës për furnizim, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in, në mënyrë që të operojë në tregun e Kosovës për energji”, thuhet në një prej pikave të udhërrëfyesit.
Mirëpo, menjëherë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje reagimet ishin të shumta, duke filluar nga opozita e cila pretendonte që kjo nuk është meritë e qeverisë Kurti.
Madje, sipas opozitës Qeveria, e cila ishte në opozitë në kohën kur u arrit marrëveshja për energjinë, e kishte kundështuar me tone të ashpra derisa tani të njëjten po e pranon si të mirëqenë.
Nga kjo, kanë lindur edhe pyetjet e dyshimet se Qeveria aktuale mund të bëjë lëshime edhe sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Mehmeti: Marrëveshja për energjinë ka qenë e detyruar dhe si e tillë nuk ka pasur alternativë tjetër

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Faton Mehmeti.
Ai u shpreh se qeveria Kurti ka qenë e detyruar të bëjë një marrëveshje të tillë pasi nuk ka pasur zgjidhje tjetër.
“Marrëveshja për energjinë ka qenë e detyruar dhe si e tillë s`ka pasur alternativë tjetër. Qeveria do të detyrohet të bëjë edhe kompromise tjera , pavarësisht se nuk është faji i saj për marrëveshjet e dëmshme që janë bërë në të kaluarën. Ndonëse qeveria nuk është e interesuar për këto marrëveshje, gjendet përballë një realiteti që nuk mund ta ndryshojë”, shprehet ai.
Megjithatë, analisti nuk beson që Qeveria Kurti mund të bëjë ndonjë kompromis në dëm të vendit dhe se kjo marrëveshje e energjisë ishte një kompromis i paevitueshëm.
“Shpresoj se nuk do të bëjnë marrëveshje të dëmshme, apo së paku mos të pranohen ato që janë, të ndryshohen për të qenë të favorshme. Operatori i vetëm në Veri është kompromis, me rëndësi që ky operator të jetë në shërbim të obligimeve që ka dhe jo të rreshtohet në radhët e një pale”, tha Mehmeti për “Bota sot”.
Ahmeti: Thelbi i marrëveshjes së energjisë duhet vlerësuar

Ndërsa, analisti tjetër politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Qeveria nuk duhet të pranojë asnjë kompromis në dialog nëse është në dëm të Kosovës.
Sipas tij marrëveshja për energji, duhet vlerësuar si hap pozitiv për vendin tonë.
“Çdo kompromis në dialog, i cili është jashtë konturave kushtetuese duhet të jetë papranueshme dhe të kritikohet në vazhdimësi. Roli i opozitës në dialog duhet të jetë konstruktiv, pasi është një çështje e ndjeshme dhe e një rëndësie të veçantë për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Mendoj se thelbi i marrëveshjes së energjisë duhet vlerësuar, pasi faturimi i energjisë në këtë pjesë të Kosovës nuk ka funksionuar dhe ka qenë një barrë shtesë për qytetarët e Republikës duke u ngarkuar me diçka që nuk është shpenzuar nga ta”, thekson ai.
Ndër të tjera, analisti shton që opozita në vazhdimësi po kritikon pozitën pa argumente pasi marrëveshjet në dialog janë çështje konsensusi në mes palëve.
“Operatori i Serbisë në këtë pjesë duhet të veproj brenda kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së shtetit të Kosovës, pasi çdo verison tjetër është i papranueshëm. Opozitarët duhet të shikojnë ndjeshmërinë e rastit e jo të shohin çdoherë mundësinë për një kritikë destruktive, e cila nuk i ndihmon Kosovës në rrugën euro-atlantike, por edhe në stabilitetin e brendshëm. Marrëveshjet në dialog janë çështje konsensusi në mes palëve, por ekipi negociator duhet të jetë vigjilentë në çështjet që potencialisht dëmtojnë substancën e Republikës”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.