“Zhurmë e madhe”, zbulohet pse Kurti po qëndron në Greqi - opozitës i përmendet Thaçi dhe Grabovci

Politika

“Zhurmë e madhe”, zbulohet pse Kurti po qëndron në Greqi - opozitës i përmendet Thaçi dhe Grabovci

Nga: A.ZH Më: 13 korrik 2022 Në ora: 21:12
Albin Kurti

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike Enver Bytyçi, ka komentuar akuzat e partive opozitare në Kosovë, në drejtim të kryeministrit Albin Kurti, për vizitën e tij të fundit në Greqi.

Opozita ka kritikuar kryeministrin se po qëndron gjatë jashtë vendit dhe se shpenzimet për udhëtimet e tij po bëhen po buxheti i shtetit.

Por, sipas profesorit Bytyçi, kritikat e opozitës bazohen vetëm në çështje sipërfaqësore, pasi mungojnë skandalet në Qeverinë Kurti.

Image
Enver Bytyçi

“Partitë opozitare dhe shoqëria civile në Kosovë vazhdimisht janë në kritikë dhe mos-pajtim me kryeministrin e presidenten edhe për çështje të diplomacisë dhe politikës së jashtme. Kritikat e tyre bazohen në disa çështje sipërfaqësore, dhe adresohen te shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit, duke numëruar edhe qindarkat. Mua më vjen shumë mirë që i bëhet opozitë qeverisë për çështje kaq të parëndësishme. Kjo do të thotë se mungojnë skandalet dhe shkeljet e rënda në qeverisjen e sotme në Prishtinë. Ky është një tregues shumë domethënës edhe i funksionimit të demokracisë në Kosovë. Por është pasqyrë e faktit se e gjithë goditja bëhet te centët e shpenzuara ose të debati se pagoi mysafiri apo nikoqiri bëhet se institucionet e Kosovës nuk prodhojnë shkelje të rënda korruptive”, është shprehur ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Analisti më tej ka numëruar skandalet e ish-qeveritarëve, duke pyetur se si do të vepronte opozita e sotme po të ndodhin këto gjëra tani.

“Çfarë kishte me thënë opozita, nëse do të zbulohej në qeveri një Adem Grabovc në telefon, duke dhënë urdhra për njerëzit injorantë që duhej të zinin vend në borde, duke komanduar e emëruar prokurorë, gjykatës e drejtorë? Çfarë do të thoshte opozita dhe shoqëria civile, nëse dikush në qeverinë dhe institucionet e sotme të Kosovës do të shfrytëzonte pushtetin për të tjetërsuar pronat e vendit, për të blerë me 5 euro arin e për ta shitur me 7 mijë euro?! Çfarë do të kishte ndodh me zyrtarët e administratës dhe politikës së sotme në pushtet, nëse dikush prej tyre do të kish studiuar nga do të ndërtohej një autostradë dhe pas kësaj të shkonte të blinte tokën shumë lirë dhe t'ia shiste shtetit për nevoja publike sa frëngu pulën?!”, ka pyetur Enver Bytyçi.

Sipas tij, opozita nuk e din shkakun pse Kurti po qëndron në Greqi. Ai i ka propozuar atyre që të dërgojnë paparacë e të dëshmojnë se Kurti po bëka plazh në hotelet luksoze greke.

“Ok! Sinqerisht që jam i lumtur që bëhet kaq shumë zhurmë, nëse Albin Kurti qëndroi tri, katër apo shtatë ditë në Greqi. Kritika pa fund! Por pa e ditur mirë shkakun pse ai ka qëndruar kaq gjatë aty! Nëse do të duan të bëjnë opozitë, le të dërgonin paparacët e tyre e ta dëshmonin se Kurti po bën plazh në hotelet luksoze të këtij vendi. Por jo! Pse ti po rri kaq gjatë në Greqi? Pse ndejte kaq gjatë në SHBA?! Do të ishte mirë që punët një kryeministër t'i kryente me sekonda, minuta ose orë. Por, ja që ky Kurti na qenka aq i paaftë, sa i duhen ditë e javë për të realizuar detyrat që i ka vënë vetes”, është shprehur më tej Bytyçi.

Duke folur për arsyen e vizitës së Kurtit në Greqi, profesori ka theksuar se ajo mund të ketë lidhje me interesin e Kosovës dhe forcimin e lidhjeve midis dy vendeve si dhe kapërcimin e ngërçit të mosnjohjes.

“Askush nuk bën përpjekje të qartësojë se pse Albin Kurti qëndron kaq kohë të gjatë në Greqi? A mos ka diçka që shkon në interes të Kosovës?! Joooo! Kjo pyetje nuk vjen në shprehje, sepse opozitës nuk i leverdis rezultati, mbahet te forma! Përmbajtja e dëshpëron atë. Po sikur kjo ndejë të ketë lidhje me forcimin e lidhjeve midis dy vendeve dhe kapërcimin e ngërçit të mosnjohjes?! Nëse ndodh nesër kjo, çfarë do të thonë këta që numërojnë qindarkat e shpenzuara?!”, ka potencuar analisti për “Bota sot”.

Teksa ka përmendur edhe zhurmën për shpenzimet e udhëtimit të presidentes Vjosa Osmani në Tiranë, Bytyçi thotë se njëjtë nuk u veprua edhe me darkat luksoze të ish-presidentit Hashim Thaçi, në Evropë.

“Unë nisem edhe nga një kriter tjetër që nuk pajtohem me zhurmën e madhe, jo me kritikën që i bëhet Kurtit, Osmanit e të tjerëve për shpenzimet e udhëtimit! Osmanit ia numëruan 1000 euro që kishte shpenzuar para disa muajsh në vizitën e saj në Tiranë me gjithë ekipin. Ama Thaçi shpenzonte dhjetëra mijë euro për verën më të shtrenjtë në darkat e drekat luksoze në Evropë dhe askush nga këta që flasin sot nuk e hapte gojën!”, ka thënë më tej ai.

Profesori shkon edhe më tej, duke kërkuar të bëhet krahasim mes udhëtimit të Albin Kurtit dhe Edi Ramës.

“Kosova dhe analistët e saj kanë të drejtë të bëjnë edhe një krahasim tjetër. Të shohin faktin se Edi Rama hyn një herë në 6 muaj në zyrën e kryeministrit dhe ta krahasojnë këtë me Albin Kurtin. Të shohin faktin se Edi Rama gjysmën e kohës rri në ajër me avion personal dhe shpenzimet e taksapaguesve shqiptarë, ndërkohë që kryeministri e presidentja e Kosovës ka rrezik të udhëtojnë në economik klas. Të shohin se të gjitha këto që bën Edi Rama në Shqipëri nuk përbëjnë skandale, sepse ka të tjera skandale që i mbulojnë këto më të voglat! E në fund ata do të luten që në Kosovë ka një qeveri, një kryeministër, një presidente, deputetë e institucione kaq të përgjegjshme!”, ka thënë ai.

Ai në fund uron që Kosova të mos i ketë më problemet që kishte me qeverisjen e Thaçit dhe skandalet që sipas tij, i ka qeveria në Tiranë.

“Pavarësisht kësaj çfarë thashë, uroj me gjithë zemër që debati të mbahet në këtë stad. Që do të thotë që Kosova kurrë mos i pastë më problemet e mëdha që kishte me qeverisjen e Hashim Thaçit dhe aq më pak t'i ketë skandalet e qeverisë së Shqipërisë! Do më binte infarkt në zemër nëse në Kosovë shkojnë miliona euro në llogaritë e njerëzve të vdekur prej vitesh, duke falsifikuar firmën e të vdekurit. Po kështu nëse do të shkonin miliona të tjera te pensionistë 95 vjeçarë ose të një grua që mbledh kanaqe! Të gjitha këto ndodhin në Shqipëri!”.

Ai ka akuzuar opozitën e Kosovës, për bashkëpunim me qeverinë Rama kundër Qeverisë Kurti.

“Megjithatë opozita e Kosovës bashkëpunon ngushtë me qeverinë e skandaleve në Shqipëri dhe lufton si "luan" kundër centëve që harxhon kryeministri ose presidentja në udhëtime shumë të suksesshme. Kjo opozitë në Kosovë më kujton opozitën e Edi Ramës më 2007, kur për ta zbehë vizitën historike të George Bushit në Shqipëri, prodhoi skandalin e "vjedhjes së orës"!”, ka shtuar Enver Bytyçi.

Nga Zyra e kryeministrit Kurti, sot kanë thënë se shpenzimet për udhëtimin dhe akomodimin e tij, po i mbulon organizatori i konferencave të rëndësishme, atë të “The Economist” dhe Simpoziumit Symi./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat