Ditë më parë analisti amerikan, David Philips befasoi me deklaratën e tij, duke thënë se rusët që punojnë në misionin e OKB-së janë sipunë të GRU-së.
Nisur nga ky fakt, Philips kërkoi që Kosova të i dëbojë këta spiunë rusë.
"Rusia gjithashtu duhet të jetë nën presion. Rusët që punojnë në misionin e OKB-së nuk janë diplomatë. Ata janë me GRU dhe duhet të trajtohen si spiunë. Qeveria e Kosovës duhet t'u heqë vizat dhe "diplomatëve" rusë t'u jepet 24 orë kohë për t'u larguar nga vendi. Informimi i Brukselit për këtë qëllim, nëse nuk autorizohet liberalizimi i vizave, do të rriste presionin ndaj BE-së, e cila dëshiron të shmangë mosmarrëveshjet që mund të përshkallëzojnë konfliktin”, ka theksuar më tej ai.
Profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” komentoi rrezikun që i kanoset Kosovës nga spiunët rusë të GRU-së.

Fillimisht, ai kërkoi që diplomatët rusë që dyshohen për lidhje me GRU të dëbohen sa më shpejtë prej Kosovës.
“Diplomatët rusë që janë spiunë të GRU-së mumd të dëbohen, edhe pse kanë ardhur nëpërmjet UNMIK-ut, me vendim të KS të OKB-së.
Dihet se diplomatët rusë kanë ardhur në bazë të Rezolutes 1244 të KS të OKB-së, nëpërmjet UNMIK-ut.
Por, kur dihen faktet se diplomatët rusë janë spiunë të GRU-së, vendimi për dëbimin e tyre merr karakter të drejtë diplomatik dhe është vështirë të kritikohet”, deklaroi ai.
Sipas tij, nëse Kosova ka prova të mjaftueshme për dëbimin e diplomatëve rusë, atëherë askush nuk mund ta kritikojë vendin tonë.
Po ashtu, kërkoi që të mbyllet edhe zyra ruse.
“Në KS ka mundësi nga Rusia e Kina dhe disa miq të tyre të kritikohet Kosova dhe edhe do ta bëjnë. Por, kur ka prova, si dhe pas kualifikimit të Rusisë në shtet autoritar, fiton qëndrimi i Kosovës në peshë. Natyrisht, se këtu duhen prova konkrete të spiunazhit nga Kosova në KS të OKB-së. Edhe zyra ruse mund të mbyllet, madje kjo shumë më lehtë, sepse nuk vjen me UNMIK në Kosovë..”, theksoi profesori.
Krahas kësaj, ai potencoi se dëbimi i spiunëve rusë që janë pjesë e UNMIK-ut do të merrte drejtim ndërkombëtar, ku edhe do ttë analizohej ky vendim në KS të OKB-së.
“Pra, çështja është te dëbimi i spiunëve rusë nën ombrellën e UNMIK-ut. Kjo merr konotacion ndërkombëtar në KS të OKB-së. Në këtë forumë ndërkombëtar do të analizohet vendimi i Kosovës. Atje kërkohet që Kosova të mbrojë me fakte dhe me dëshmi aktin e dëbimit të spiunëve rusë.
Ndërsa, për zyre ruse, Kosova nuk ka marrëdhënie me Rusinë, nuk ka ndonjë akt ndërkombëtar për ndërtimin e raporteve ndërshtererore. Si e tille është zyrë e një anëtari të përhershëm të KS të OKB-së, mbi këtë dhe mbi interesat gjeostrategjike ruse u hap zyra”, vlerësoi Kelmendi.
Më tej, profesori tha hetimi i spiunëve rusë është një çështje madhore dhe duhet të bëhet në koordinim me miqtë ndërkombetarë.
“Dihet se spiunët rusë nën ombrellën e UNMIK-ut mbështetet në Rezolutën 1244, këtej kërkohet që Kosova të veproj në këtë drejtim në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtar, sidomos me anglezët, gjermanët dhe me amerikanët.
Çështja është e madhe dhe natyrisht duhet bashkërenditje me miqtë ndërkombëtar.
Aktualisht edhe Bashkimi Evropian dhe SHBA-të veç kanë vepruar.
Me veprim të tillë mund të krijohen raporte tjera në UE dhe në KS të OKB-së. Nëse shkon në interes të shtetit të Kosoves edhe mund të dëbohen dhe të mbyllet zyra ruse”, shpjegoi ai.
Në fund, Kelmendi tha se dëbimi i spiunëve mund dhe duhet të dëbohen, pasi është në interes të Kosovës.
“Po e përsërisë:
Dëbimi i spiunëve duhet të bëhet. Kjo, për faktin se spiunët kudo dëbohen që vijnë si diplomat. Ndërsa, zyrja ruse duhet të mbyllet kur mbyllet ambasada e Rusisë në vendet e UE dhe në SHBA.
Kosova nuk ka pse ngutet, duhet të veproj në unison me miqtë ndërkombëtar.
Dhe, nëse shkon në interes, pse jo, mund edhe të veprojë. E tëra varet nga raportet e miqve të Kosovës me Rusinë.
Diplomatët spiunë mund dhe duhet të dëbohen, pasi është në interes të Kosovës”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.