Eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka komentuar paralajmërimet e partive opozitare në Kosovë, për rrëzimin e Qeverisë Kurti 2.
Ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë se opozita do të vazhdojë përpjekjet për të minuar punën e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.
“Që nga krijimi i qeverisë Kurti, niveli i bashkëpunimit mes qeverisë dhe partive opozitare ishte minimal, në rastin më të mirë.
Për këtë arsye partitë opozitare do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të minuar qeverinë në çdo hap që munden”, është shprehur Ben-Meir.
Ai ia ka dhënë një këshillë kryeministrit Kurti se si duhet të veprojë, për të forcuar pozicionin e tij.
“Ndjej fort se kryeministri Kurti do të bëjë mirë nëse herë pas here konsultohet me liderët e partive opozitare, gjë që vetëm sa mund të forcojë pozicionin e tij dhe të përfitojë vendin”, ka thënë eksperti amerikan.
Se opozita po përgatitet për rrëzimin e Qeverisë, e ka konfirmuar shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi.
Ai ka paralajmëruar se në vjeshtën e vonshme pritet të ketë rënie të Qeverisë Kurti 2, shtuar se si shenjë e pakënaqësisë, tetë deputetë të koalicionit qeverisës pritet të kalojnë në LDK.
“Në vjeshtën e vonshme pritet të ketë rënie të Qeverisë Kurti 2”, ka deklaruar Gashi.
Por, për gazetën “Bota sot”, deputeti I Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi, ka thënë se deklarimet e Gashit nuk kanë bazë të fortë të realitetit të tanishëm, megjithëse nuk e përjashton mundësinë që të ndodhë një gjë e tillë.
“Deklarimet e opozitës për rrëzimin e qeverisë në vjeshtë janë pjesë e fjalorit opozitar bazuar edhe në praktikat e së kaluarës.
Çdo gjë është e mundur në politikë dhe në rrethana të komplikuara gjeopolitike, por nuk e besoj që deklarimet kanë bazë të fortë të realitetit të tanishëm”, ka deklaruar deputeti i VV-së./Botasot