Tensionet e krijuara nga Serbia dhe mekanizmat e saj ilegal në veri të Kosovës janë duke vazhduar. Serbia ende po këmbëngul, që ta pengojë zbatimin e marrëveshjes me Kosovën, të vitit 2011.
Një marrëveshje ndërkombëtare të arritur në Bruksel, po përpiqet ta pengojë zbatimin e saj, ndërsa vetë është e bërë që atëherë, brenda kufijve të vet.
Këto mosmarrëveshje krijuan një valë bisedimesh, që ende s’kanë përfunduar, për shkak të kundërshtimit të Serbisë. Më 18 gusht u mbajtën disa takime në Bruksel, përfshirë të kryeministrit të Republikës tonë Albin Kurti me presidentin e shtetit fqinjë Serbisë. Sipas kryeministrit të Kosovës, atje u diskutua vetëm korniza për një marrëveshje të përgjithshme, jo detajet.
Ndërkohë, për shkak se Serbia nuk u tërhoq, SHBA-ja dhe BE-ja filluan një valë të re bisedimesh. Gjatë dy ditëve, biseduan në Kosovë me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, e madje emisari amerikan, Gabriel Eskobar u takua edhe me krerët e opozitës, në kërkim të gjetjes së një marrëveshje. Ndërsa, dje Eskobar dhe Lajçak takuan përfaqësuesit e komunitetit serb në veri.
Dje dhe sot ata u takuan sërish me presidentin e Serbisë, por ende pa një marrëveshje, përkatësisht Serbia vazhdon të mohojë respektimin e saj.
Kurse, sa i përket procesit të dialogut, kryeministri Albin Kurti i ka ftuar krerët opozitarë për diskutim por që të njëjtin nuk kanë pranuar ftesën.
Analistët kanë vlerësuar se opozita duhet të jetë pjesë e procesit të dialogut sepse vetëm të bashkuar mund t’ia dalim.
Mulliqi: Bisedimet e Kosovës me Serbinë është duke i përfaqësuar mirë kryeministri, Albin Kurti
Analisti Skënder Mulliqi deklaron se pa Amerikë nuk ka mundësi për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duke pas parasysh që këtë herë BE-ja u tregua inerte duke ia mbajtur ison Serbisë.
Sipas tij, ardhja e Escobar dhe Lajçak në Kosovë, nënkupton për arritjen e një marrëveshje dhe për shtensionimin e situatës.
“Tashmë është e qartë se pa inkuadrimin e Amerikës, në bisedimet Kosovë –Serbi, nuk ka mundësi të arritjes së ndonjë marrëveshjeje përfundimtare midis këtyre dy shteteve. BE-ja u tregua inerte në këtë drejtim dhe bukur shumë ia mbajti ison Serbisë të Vuçiqit përmes dy përfaqësuesve të saj, Borell dhe Lajçak. Shpërthimi i luftës në Ukrainë me fajin e Rusisë agresore, sikur shpërfaqi nevojën më të madhe që rolin kryesor në bisedimet maratonike Kosovë –Serbi, ta ketë Amerika”, thotë ai.
Sipas tij, tensionet ulen me zhbërjen e strukturave kriminale paralele serbe.
"Sipas presidentes Osmani thuhet ndër të tjera se, "institucionet e Kosovës janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë dhe çdo vendim i tyre, reflekton frymën kushtetuese të vendit dhe vlerat demokratike”, thotë ai.
Më tej, thekson se vet takimin i Ecsobar me opozitën po nënkupton se në proces të dialogut po përfshihet edhe opozita.
“Modalitetet e zbatimit të marrëveshjes për reciprocitet në targa dhe dokumente të udhëtimit, si dhe pikëpamja për hollësitë e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi, kanë qenë pikat e diskutuara edhe në takimet ndërmjet të dërguarit special amerikan, Gabriel Escobar, dhe liderëve të partive opozitare. Eskobar edhe në këtë takim ka theksuar së Departamenti Amerikan i Shtetit mbështet reciprocitetin të bazuar në Kushtetutën dhe në ligjet e Kosovës. Kjo edhe më duket mua është përgjigja në pyetjen tuaj të parashtruar, së vetë fakti që Eskobar u takua edhe më opozitën, në një formë apo tjetër në bisedime po përfshihet edhe opozita, që është e favorshme për vendin. Edhe më parë e kam theksuar së opozita duhet ti lënë anash inatet dhe qëndrimet jo shumë konstruktive, kur bëhet fjalë për temat e interesit shtetëror dhe nacional, siç është tema e vazhdimit të bisedimeve me Serbinë, dhe arritja e ndonjë marrëveshje besojmë të mirë për Kosovën, në finalen e tyre”, shprehet tutje analisti.
Në fund, ai shton se bisedimet janë duke u përfaqësuar mirë nga Albin Kurti.
Tutje, deklaron se është Putini dhe Vuçiqi që po duan destabilizimin e Ballkanit.
“Dihet se bisedimet e Kosovës me Serbinë është duke i përfaqësuar mirë kryeministri, Albin Kurti. Opozita merrë pjesë në këto bisedime duke bërë bashkëpunim dhe duke kërkuar transparencë përmes Kuvendit të Kosovës, si institucioni më i lartë i shtetit. Deri më tash këto bisedime nuk shkuan në favor tonin, për fajin e udhëheqjeve të kaluar shtetërore. Tash na është ofruar një klimë shumë e mirë dhe e favorshme politike, sidomos pas invazionit të Rusisë në Ukrainën sovrane. Amerika dhe Evropa e kanë të qartë se për Serbinë nuk vlen metoda politike e shkopit dhe karrotës, por më shumë vlen metoda e shkopit, siç ka pasur sukses kjo metodë në kohën e regjimit të Millosheviçit. Edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuqiq, nuk është hiq më i mirë së Millosheviçi. Putini dhe Vuçiqi po kërkojnë luftë edhe në Ballkan, ku bota demokratike nuk do të lejojë më aventura të tilla pushtuese –ndryshime kufijsh, pse ashtu e kërkojnë idetë shoviniste ‘bota serbe’ dhe ‘bota ruse’, por përjashtim në këtë mesele nuk bën as ideja e Ballkani të hapur”, përmbylli Mulliqi për “Bota sot”.
Mehmeti, ngatërrimi nga Hashim Thaçi
Analisti Faton Mehmeti në një përgjigje për “Bota sot” thotë se për procesin e dialogut duhet krijuar një “Ekip të Unitetit”, si në kohën e Ibrahim Rugovës.
Sipas tij, mbrapshtinë këtij procesi ia ka dhënë Hashim Thaçi, i cili kokë më vete ka vazhduar të negociojë.
“E kam theksuar gjithnjë se për dialogun me Serbinë është dashur të krijohet Ekip i Unitetit, si në kohën e dr.Rugovës. Fatkeqësisht, mbrapshtinë ia ka dhënë Hashim Thaçi si negociatori i parim, kokë në vete ka vazhduar negociatat, ka injoruar opozitën. Edhe pasardhësit e Hashimit Thaçit në postin e kryeministrit vazhduan këtë rrugë jo të mirë, jemi ku jemi pa një ekip uniteti”, thotë ai.
Tutje, thotë se opozita nuk ka qenë e gatshme për ndonjë ndryshim të kursit për t’iu bashkuar Qeverisë në këtë proces.
“Përkundër që qeveria ka thirr opozitën në takime, kjo e fundit s’ka qenë aq e gatshme për një ndryshim të kursit për t'i bashkuar qeverisë në këtë proces. Z.Eskobar do e vlerësonte më shumë nëse pala shqiptare e Kosovës do të ishte më e bashkuar në këtë proces, vetëm të bashkuar mund të kemi sukses më të madh. Duhet krijuar Ekip Uniteti si në kohën e Rugovës, sa më shpejt aq më mirë”, përfundoi ai.