Kosova dhe Serbia janë pajtuar, që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, pas arritjes së marrëveshjes, ka thënë se ajo do të mundësojë që qytetarët e Kosovës dhe Serbisë të lëvizin me letërnjoftimet përkatëse.
Por, puna për lirinë e lëvizjes ende "nuk ka përfunduar", pasi Kosova dhe Serbia nuk kanë gjetur ende zgjidhje për çështjen e targave të veturave.
Sipas vendimit të mëhershëm të Qeverisë së Kosovës, vendimi i reciprocitetit për targat do të hyjë në fuqi me 1 shtator.
Lidhur me situatën e krijuar pas arritjes së marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe paralajmërimin e Qeverisë për reciprocitet lidhur me targat, është deklaruar Drizan Shala, ekspert i çështjeve të sigurisë.
Ai për gazetën “Bota sot”, parashikon lëvizje të reja të serbëve lokalë në mes të datës 31 gusht - 1 shtator.
Sipas tij, serbët mund të shpallin Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.
“Në lidhje më situatën në veri tani me kemi një situatë të re, e cila domosdo do të prodhojë lëvizje nga "serbët" lokalë, duke i dhënë alibi qeverisë dhe presidentit serb.
Në mes datës 31 gusht/ 1 shtator do të kemi lëvizje të proklamuara nga këto struktura lokale, të orkestruara nga Beogradit që të veprojnë në interes të tyre, duke bllokuar dhe shpallur Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, dhe ku me pastaj do të kemi një situatë të re dhe faktike, me të cilën duhet gjetur rruga e re dalëse, duke mos lejuar cenimin e sigurisë nacionale të vendit”, ka thënë eksperti Shala për “Bota sot”.
Se Kosova dhe Serbia zgjidhën vetëm gjysmën e problemit, së fundmi e ka thënë për “Bota sot” edhe eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer.
“Nuk më duket sikur e kanë zgjidhur problemin e targave, por po ua bëj këtë pyetje njerëzve të duhur. Nëse ata kanë rënë dakord të njohin dokumentet e njëri-tjetrit, por të mos lejojnë njerëzit të kalojnë kufirin me targat e tyre, kjo zgjidh gjysmën e një problemi të vogël pas shumë zhurmash dhe fryrjesh”, ka theksuar Serwer.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha të dielën se është i përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen e ndërsjellë me Serbinë, ndërsa paralajmëroi vendosjen e reciprocitetit të plotë nëse nuk arrihet një marrëveshje e tillë./Botasot