“Ballkani i hapur” drejt fundit/ Bytyçi: Festa e verës në Beograd, provokim i skenarizuar i Ramës e Vuçiqit kundër Kosovës

Politika

“Ballkani i hapur” drejt fundit/ Bytyçi: Festa e verës në Beograd, provokim i skenarizuar i Ramës e Vuçiqit kundër Kosovës

Nga: M.L. Më: 2 shtator 2022 Në ora: 19:43
Takimi në Beograd

Samiti “Ballkani i hapur” ka vijuar punimet e tij në Beograd pa praninë e Kosovës. Kjo natyrisht se nuk është diçka e jashtëzakonshme, kur dihet se Kosova këtë nismë e ka mohuar qysh në fillim të krijimit.

Por, fakti që ndodhi në të njëjtën ditë kur Kosova dhe Serbia filluan zbatimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë të qytetarëve e bënë këtë ngjarje të konsiderohet edhe si provokuese kundër shtetit tonë.

Edhe më provokuese u bë situata kur, në kuadër të “Ballkanit të hapur” në Beograd u mbajt edhe Festival i ushqimit dhe verës. Aty mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili u pa tejet i lumtur përkrah presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Për profesorin Enver Bytyçi ky veprim është provokim i skenarizuar mirë nga mendjet e çuditshme të Ramës dhe të Vuçiq.

Image
Profesor Enver Bytyçi

"Beograd bëjnë festë. Është festa e verës së open-ballkansve. Por ashtu si vetë Open Balkans edhe festa e verës nuk është e plotë. Përkundrazi është provokim i skenarizuar mirë nga mendjet e çuditshme të Ramës dhe të Vuçiq. U zgjodh vera si simbol i festës së kësaj nisme serbe me qëllim që të provokohet Kosova.

Dihet tashmë se Kosova është bërthama e prodhimit të rrushit dhe të verës në Ballkan. Ajo bashkë me Maqedoninë janë dy vendet që kanë traditë dhe sukses në kohët e sotme sa i përket këtij prodhimi. Prandaj dhe organizatorët e festave të tilla anti-shqiptare zgjodhën verën si simbol të bashkimit. Thjesht për ta joshur Kosovën, ose për ta provokuar atë”, ka thënë Bytyçi.

Sipas tij, e gjithë parada e manifestimeve të këtyre dy ditëve në Beograd dëshmoi se kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Serbisë janë si mishi me thoin mes vetit.

“Nga pikëpamja e jashtme kjo nuk ka asgjë të keqe. Madje shumë mendje të sëmura do ta quajnë këtë si "emancipim" të politikës shqiptare e serbe. Si "përpjekje për të parë nga e ardhmja"! E ndërkohë kasapi i shqiptarëve, sot president i Serbisë, shijon në shoqërinë e Edi Ramës kënaqësinë e "izolimit" të Kosovës”, ka shtuar Profesori.

Ai më tej ka ritheksuar se “Open Balkans” u shpik për ta izoluar shtetin ende të panjohur plotësisht, Republikën e Kosovës.

“Ndryshe do të mund të arriheshin të gjitha këto përmes Procesit të Berlinit. Por Procesi i Berlinit e trajtonte Kosovën si shtet, prandaj ishte i padëshiruar në Beograd. Duhej një proces tjetër, në të cilin nëse Kosova merr pjesë do duhej të poshtërohej. Ose nëse nuk merr pjesë do duhej të izolohej. Qeveria, presidentja Osmani dhe institucionet e Kosovës zgjodhën të mos poshtërohen. Prandaj e refuzuan Open Balkans, të quajtur më parë si Minishengeni ballkanik”, ka theksuar ai.

Sipas tij, mospjesëmarrja e Kosovës në Open Balkans e për pasojë edhe në panairin e verës në Beograd në fakt është goditje për vetë këtë iniciativë.

“Nuk ka e nuk do të ketë Open Balkans pa pjesëmarrjen e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Prej tri vitesh po përpiqen Rama dhe Vuçiq të tërheqin Kosovën. Malin e Zi dhe BH në këtë iniciativë të një Jugosllavie të Re dhe nuk po munden ta bëjnë këtë. Rekrutuan në BH Dodikun, po kjo ishte e ditur. Megjithatë ai nuk mund të përfaqësojë shtetin e BH. Rekrutuan në Mal të Zi Dritan Abazoviç, por edhe ky shkoi për lesh. Tani ishte përsëri në Beograd si "Muça pas daive"! Po nuk vlen asnjë grosh prezenca e tij.

Vuçiq dhe Rama tërhoqën mbështetjen publike të SHBA-ve për Open Balkans, por nuk mundën të sigurojnë mbështetjen e Evropës, para së gjithash Gjermanisë, e cila ishte krijuese e Procesit të Berlinit. SHBA-të në fakt nuk kanë ndonjë interes për Open Balkans, por ato i bënë një lëshim kërkesës së presidentit serb, sepse duke lëshuar në këtë pikë, përfitojnë në ofrimin e zgjidhjeve tjera pro-perëndimore. Jam I bindur se Uashingtoni do ta ndihmojë Vuçiq që ta shesë Open Balkanin si fitoren më të madhe të ndonjë lideri serb pas Titos, me qëllim që t’i marrin atij njohjen e Kosovës”, ka nënvizuar Bytyçi.

Por, ai është shprehur se “Open Balkan” do të shuhet menjëherë pas kësaj, nëse ritmet e integrimit evropian do të përshpejtohen.

“Të gjitha ato që ofron “Open Balkan” i ofron edhe Procesi i Berlinit e sidomos integrimi në BE. Për pasojë Open Balkans nuk do të ketë më asnjë vlerë. Në këtë pikë, edhe pjesëmarrja e ministrave të Jashtëm të Turqisë dhe Hungarisë ishte një përpjekje për presion dhe "izolim" të Kosovës. Për t’i thënë asaj, "E shikoni, ne kemi mbështetje edhe jashtë iniciativës tonë"!

Ndërkaq afërsia e Ramës dhe Vuçiq është një karakteristikë nëntë vjeçare, sa kohë Edi është kryeministër i Shqipërisë. Kjo afërsi Rama-Vuçiq gati sa nuk e ndau Kosovën midis Serbisë dhe Shqipërisë. Kjo afërsi është nxitje për presidentin serb që të kërkojë asociacionin me kompetenca ekzekutive. Kjo afërsi midis dy "vëllezërve" ka bërë që të përçahet skena politike shqiptare, pra ka realizuar pikërisht atë që akademikët, kisha, shtabi I Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe, shteti serb ka projektuar historikisht: - përçarjen e faktorit shqiptar!”, ka potencuar ii.

Bytyçi u shpreh se Edi Rama po vepron si një kryeministër i rekrutuar nga presidenti i Serbisë, duke përmbushur misionin e përçarjes së faktorit shqiptar.

“Para shqiptarëve dhe para Kosovës Edi Rama do të marrë këtë përgjegjësi të jashtëzakonshme. Madje ai po vepron si një kryeministër i rekrutuar nga presidenti i Serbisë. Sepse përçarjen e faktorit shqiptar nuk e ka kufizuar vetëm te debati për Open Balkans. Përçarjen ai e nxit jo vetëm te politika, jo vetëm midis Shqipërisë e Kosovës, por edhe te politikat e brendshme, në diskriminimin e qëllimshëm krahinor, social dhe politik të shqiptarëve. Gjithçka është skenar! Çdo fjalë e Edi Ramës në parlament apo si cicërimë përmban helmin e përçarjes, sepse aty nuk gjen mesazhe tjera. Fyerjet, sharjet, shpifjet, akuzat në rolin e prokurorit që ai bën për kundërshtarët, janë mjete përçarëse, të cilat ai i përdor 24 orë në 24”, ka përfunduar profesori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat