Pas shumë tensionesh, më 1 shtator Kosova dhe Serbia kanë nisur zbatimin e marrëveshjes për eliminimin e dokumenteve shtesë të kërkuara për hyrje/dalje për qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë. Kjo u arrit pasi të dy vendet u dakorduan në Bruksel, ani pse Serbia refuzon ende ta njoh pavarësinë e Kosovës.
E këtë marrëveshje, e ka mirëpritur Bashkimi Evropian.
“Ky është hap pozitiv, i cili do të lehtësojë lirinë e lëvizjes dhe një zgjidhje evropiane”, është thënë mes tjerash në reagimin e bllokut evropian.
Por sipas analistit politik, Gani Qarri, Serbia vazhdon të jetë e përkëdhelur nga ana e Joseph Borellit dhe Mirsolav Lajçakut.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/September/02/auto_auto_gani15689058031662148843.jpg)
“Tanimë kanë kaluar mbi 11 vite prej se ka filluar dialogu Kosovë-Serbi dhe gati tri sosh, qysh kur u emërua Mirosllav Lajçaksi ndërmjetësues special për dialog, i cili në fillim deklaronte se marrëveshja gjithëpërfshirëse do “të arrihet brenda disa muajsh", përderisa shumë nga marrëveshjet e nënshkruara, para më tepër se një dekade, pothuajse janë harruar dhe figurojnë vetëm në letër, pasi që deri më tani, nuk janë lejuar të gjejnë zbatim asnjëherë, nga Serbia fashiste, për shkak të tekeve të kriminelit Vuçiq, dhe përkëdheljeve të vazhdueshme që i bëhen atij nga ana e ndërmjetësuesve Borell e Lajçak”, thotë Qarri.
Sipas tij, Kosova duhet të ketë shumë kujdes nga qasja e Serbisë për vazhdimin e dialogut me arritjen e marrëveshjeve të pjesshme.
“Ngase siç po shihet edhe me marrëveshjen e nënshkruar qysh para 11 vitesh për targat, Serbia më shumë po krijon probleme sesa po zgjidhë ato, duke ngritur tensione të reja të panevojshme, të cilat vetëm ndërmjetësimi i SHBA-ve, arrin ti kthej në binarë dhe detyroj dakordimin e Serbisë, si ndodhi me letërnjoftimet. Realisht, bisedimet dolën nga binarët me ndërmjetësuesen Mogherini, kur në vend të marrëveshjes për njohje reciproke filloi të flitet për ndarje dhe ri-copëtimin e Kosovës, kurse me ardhjen e Borellit dhe Lajçakut, dialogu duket se ka devijuar tërësisht, nga forma dhe qëllimi final, ndaj tani ridiskutohet serish për marrëveshjet e arritura pjesë-pjesë para më tepër se një dekade, në vend të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellë”, shprehet Qarri për “Bota sot”.
Më tej, ai thotë se përmes grupeve kriminale, Serbia synon ta mbajë situatën e tensionuar në Kosovë.
“Për aq më tepër Serbia u lejua qëllimisht, që në veri, të grumbullojë kolonistët kriminelë serb të sjellë nga Bosnja e Kroacia, ngriti grupe vendore kriminelësh me në krye Milan Radojçiqin e Zvonko Veselinoviqin si dhe ka vendosur atje edhe autorët e vrasjeve dhe masakrave anë e mbanë Kosovës, në mënyrë që ta mbaj situatën gjithmonë të nderë dhe jashtë kontrollit të ligjeve të Kosovës. Kështu që edhe dakordimi i fundit për qarkullimin e lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është arritur vetëm falë z. Gabriel Eskobar dhe SHBA-ve, përndryshe, edhe me 1 shtator do ta kishim të njëjtën situatë, si me 30-31 korrik të këtij viti”, shpjegon Qarri.
“Ndaj nëse nga BE veprohet me një qasje të tillë ndaj Serbisë dhe në vijimësi kërkohen koncesione të vazhdueshme nga Kosova, do të kalojnë kush e di edhe sa vite deri te arritja e një marrëveshje të ashtuquajtur gjithëpërfshirëse dhe obliguese me njohje të ndërsjellë, ndërmjet të dy vendeve, por sigurisht, ndoshta vetëm pas ikjes së kriminelit Vuçiq nga pushteti”.
Siç thotë Qarri, Qeveria e Kosovës nuk duhet të ndalet derisa ta shtrijë autoritetin e saj në gjithë pjesën veriore të Kosovës.
“Ndërsa sa i takon shtrirjes së rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, fatmirësisht zhvillimet e fundit, dëshmojnë se në koordinim me faktorët ndërkombëtar kjo është e arritshme, pasi që problemi i vërtetë në veri, nuk janë pjesëtarët e thjeshtë të pakicës serbe, por vet Serbia fashiste. Serbia është ajo, e cila përmes bandave kriminale serbe të sponsorizuara nga Vuçiqi, gjithmonë është përpjekur, ta kthej veriun në "bombë të kurdisur", por emisari Eskobar dhe SHBA dëshmuan edhe njëherë, se barutin e saj dinë më së miri, ta pjerrin ku duhet, edhe sot!”, deklaron analisti Qarri.
Sipas Qarrit, Serbia nuk e ka prioritet njohjen e Kosovës, përkundrazi, synon ngritjen e tensioneve dhe dhunës në veri të Kosovës.
“E përderisa shihet se bisedimet me ndërmjetësimin evropian, kanë devijuar tërësisht nga qëllimi final dhe se Serbia nuk e ka prioritet njohjen as marrëveshjen përfundimtare, por ngritjen e tensioneve dhe shpërthimin e dhunës në veri, për gllabërimin me forcë të kësaj pjese të territorit tonë”.
Ai shton se kushti i Kosovës që të vazhdojë dialogu, duhet të jetë përfshirja e SHBA-së në bisedime.
“Kosova duhet të vej kusht përfshirjen e drejtpërdrejt të SHBA-ve në bisedime, për ta përmbyllur dialogun me ndihmën e emisarëve amerikan, dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellë ndërmjet të dy vendeve pa ndryshime kufijsh, bosnjëzim as ricopëtim dhe as vënie në pikëpyetje të vazhdimësisë së shtetit të Kosovës! Përndryshe përderisa Serbia hegjemoniste nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vazhdon ta shoh Kosovën, jo si shtet fqinj, por si koloni, shpreh hapur pretendimet territoriale ndaj veriut dhe pjesëve më vitale me resurse të veçanta ujore e minerare të vendit tonë dhe ndërmjetësuesit e BE-së, përveç qëndrimit neutral ndaj statusit, mbështesin edhe tabela "neutrale" për serbët në veri, si dhe favorizojnë edhe pretendimet territoriale të Serbisë, duke kërkuar që Kosova të bëjë koncesione me tokat e veta, në favor të Serbisë”, thekson Qarri.
“Shteti ynë i brishtë, nuk ka rrugëdalje tjetër, përveçse të kërkojë involvimin e drejtpërdrejtë të SHBA-ve në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, në mënyrë që ta shpëtojë vendin nga ndarja, bosnjëzimi dhe ricopëtimi, të cilat Kosovës, ia lanë kopil në derë, kuislingu Hashim Thaçi dhe renegati Isa Mustafa, si dhe hapën dyert hap-e krah, pretendimeve të Serbisë, jo vetëm duke nënshkruar dy herë por edhe duke e miratuar në kuvend marrëveshjen kundër-kushtetuese, për "zajednicën" serbe”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.