Një shtatori do të shënonte fillimin e vitit të ri shkollor, por një gjë e tillë nuk ndodhi në vendin tonë.
Kjo sepse Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë (SBASHK), po kërkon nga 100 euro shtesa në pagat mujore të mësimdhënësve, deri në miratimin e Projektligjit për paga.
Ligji i Paga është në shqyrtim dhe javën tjetër do të dalë në diskutim publik.
Derisa, dje kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, është takuar me krerët e opozitës, Lumir Abdixhikun dhe Memli Krasniqin, kurse sot do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, për të gjetur një zgjidhje rreth kësaj.
Analisti Faton Mehmeti në një pronocim për “Bota sot” ka thënë se ky është një dështim i qeverisë, e cila e ka sjellë vendin deri këtu, por që edhe kjo sindikatë po i shërben opozitës.
“Për grevën, për mendimin tim s’mund të thuhet se fajtor është vetëm qeveria apo vetëm sindikata. Ligji pagave është premtuar që në mars, jemi në shtator dhe ende asgjë, në këtë kuptim ky është dështim i qeverisë që ka sjell revoltën e mësimdhënësve. Në anën tjetër, është po ashtu e vërtetë se sindikata po i shërben opozitës. Edhe opozita po e përdor sindiaktën për të sulmuar qeverinë, pra i shërbejnë njëra-tjetrës”, thotë ai.
Ai shpreson që kjo të përfundojë sa më shpejt dhe që kryeminsitri Kurti të takojë sindikatën, të gjejnë një zgjidhje sepse në fund nxënësit po pësojnë.
“Mirëpo, edhe Albin Kurti bashkë me qeverinë nuk janë treguar fleksibil për mos ta sjellur gjendjen këtu, për më tepër edhe injoron vazhdimisht përfaqësuesit e sindikatës. Me pak fjalë të dyja palët kanë fajet e tyre, në fund të fundit po pësojnë vetëm nxënësit. Me shpresën që kjo gjendje të përfundojë më shpejt, qeveria duhet të takojë sindikatën dhe këta të fundit duhet të kuptojnë situatën në të cilën ndodhet vendit”, përfundoi ai.