Kosova dhe Serbia ranë dakord që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve, duke zgjidhur mosmarrëveshjen mbi lëvizjen e qytetarëve.
Kjo marrëveshje erdhi pas një periudhe tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas vendimit të qeverisë së Kosovës që të zbatojë masat e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.
Marrëveshja u arrit gjatë takimeve në Bruksel ndërmjet përfaqësuesve ndërkombëtar, kryeministrti Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Po ashtu, enkas për të gjetur zgjidhje mbi këto marrëveshje, javën që shkoi në Kosovë qëndruan emisarët nga SHBA e BE, përkatësisht Gabriel Escobat e Miroslav Lajçak.
Mirëpo, pas kësaj marrëveshje vëmendja është përqëndruar te krijimi i Asociacionit.
Krijimi i kësaj marrëveshje po cilësohet si shumë sfidë e madhe për Qeverinë e Kosovës.
Njohësit e çështjeve politike për “Bota sot” analizuan mundësinë e krijimit të Asociacionit dhe vazhdimësisë së dialogut Kosovë-Serbi.
Elezaj: Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të vije eventualisht në shprehje për t’u formuar, vetëm pasi që regjimi fashist i Serbisë ta njeh pavarësinë e Kosovës
Lidhur me këtë çështje, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se kjo marrëveshje për lëvizjen e lirë erdhi si rezultat i ndërmjetësimit dhe presionit diplomatik të ndërmjetësuesit të SHBA-ve për Ballkanin perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi, z. Gabriel Escobar.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/September/03/auto_12_02_2020_9004420_12_02_2020_2171101_tttttt1662231041.jpg)
“Fillimi i zbatimit për lëvizjen e lirë të njerëzve vetëm me letërnjoftime midis Kosovës dhe Serbisë, erdhi ekskluzivisht si rezultat i ndërmjetësimit dhe presionit diplomatik të ndërmjetësuesit të SHBA-ve për Ballkanin perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi, z. Gabriel Escobar, ndërsa më pak nga ndërmjetësuesi i BE-së, z. M. Lajçak, gjatë qëndrimit të tyre treditor në Beograd (27-29 gusht), kur presidenti serb A. Vuçiq do e pranon (me zor, v.j.) marrëveshjen për lëvizje të lirë të qytetarëve vetëm me letërnjoftime si dhe pa ndonjë dokument tjetër përcjellës, siç kishte vepruar regjimi fashist serb për 11 vite ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës sa herë që kanë udhëtuar nëpër Serbi..!?” deklaroi ai.
Krahas kësaj, Elezaj përmendi veprimet që sollën deri te kjo marrëveshje, ku një nga kryesoret ishte vendimi i reciprocitetit, ku shkak i tij erdhën edhe tensionet e ashpra në veri.
“Kuptohet, për shkak të raporteve të acaruara midis Kosovës dhe Serbisë me 30 korrik si dhe incidenteve në veri të Kosovës, të shkaktuara nga grupe dhe banda kriminale serbe, e që gati sa nuk erdhi deri tek eskalimi i situatës në atë pjesë të vendit tonë, gjoja për shkak të vendosjes së masave të reciprocitetit nga qeveria e Kosovës të cilat duhej të fillonin të zbatoheshin nga 1 gushti në të gjitha vendkalimet kufitare ndaj Serbisë, gjë që gjoja për shkak të kësaj mase edhe zyrtarët shovinist të Serbisë filluan me kërcënime ndaj qeverisë së Kosovës, ku edhe do i vendosin 11 barrikada në veri, ku pa dyshim, kjo situatë e acaruar i shtyri dy emisarët special atë të BE-së, Lajçak, dhe të SHBA-ve, Escobar, që urgjentisht të udhëtojnë në Prishtinë dhe Beograd, ku falë angazhimit dhe mundit të tyre të jashtëzakonshëm do ia dolën që presidentin serb, A. Vuçiq, ta detyrojnë që ta pranoi marrëveshjen për lëvizje të lirë të qytetarëve midis Kosovës dhe Serbisë vetëm me letërnjoftime”, theksoi analisti.
Në vazhdim, ai tha se është shumë e paqartë se çfarë do të ndodhë me procesin e dialogut pas marrëveshjes së fundit të arritur.
Kjo për shkak se gjithëherë është pala serbe ajo e cila iu ka ikur bisedimeve duke e cenuar, fyer, kërcënuar si dhe duke e irrituar palën shqiptare.
“Se çfarë do të ndodhë në dialogun Kosovë-Serbi pas kësaj marrëveshjeje të arritur për letërnjoftimet, meqenëse ende nuk është arritur marrëveshja lidhur me targat e automjeteve, e cila pritej të arrihej deri në fund të muajit gusht, është mjaftë e paqartë se si do rrjedhin bisedimet në ditët dhe muajt e ardhshëm, ngase si gjithëherë është pala serbe ajo e cila iu ka ikur bisedimeve me palën kosovare, duke e cenuar, fyer, kërcënuar si dhe duke e irrituar palën shqiptare me metoda të ndryshme shantazhi, me qëllim që të fus sa më shumë huti dhe çorientim politik në vet rrjedhën e bisedimeve, sepse dihet se pala serbe po të kishte mundësi, pa asnjë hezitim do t’i ndërpriste bisedimet me Kosovën, e cila edhe 22 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, nuk e ka dhënë as më të voglin sinjal se një ditë do ta njoh pavarësinë e Kosovës, duke iu kërkuar paraprakisht falje publike 2 milionë shqiptarëve për krimet, dhunën dhe gjenocidin e bërë ndaj tyre në vitet 1990-99..”, nënvizoi Elezaj.
Kurse, sa i përket Asociacionit analisti u shpreh se sipas bindjes time të thellë, qeveria e Kosovës kurrë në historinë dhe veprimtarinë e saj nuk duhet ta pranojë formimin e një “Zajednice” (shtet në shtet).
“Prandaj, lidhur me formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, me kompetenca ekzekutive siç po kërkon Beogradi zyrtar, marrëveshje të cilën Kuvendi i Serbisë nuk e ka ratifikuar asnjëherë, e nënshkruar në Bruksel në vitin 2015 (për fat të keq Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar), sipas bindjes time të thellë, qeveria e Kosovës kurrë në historinë dhe veprimtarinë e saj nuk duhet ta pranojë formimin e një “Zajednice” (shtet në shtet), siç e ka thënë vetë z. Gabriel Escobar në njërën nga deklaratat e tij të fundit kur është pyetur nga gazetarët për asociacionin në fjalë.
Pra, asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të vije eventualisht në shprehje për t’u formuar, vetëm pasi që regjimi fashist i Serbisë ta njeh pavarësinë e Kosovës, përndryshe në çdo takim në Bruksel sa herë që të shtrohet në tavolinë të bisedimeve kjo çështje nga ana e delegacionit serb, formimi i tij palës serb duhet t’i kushtëzohet në mënyrë të prerë me njohje të pavarësisë, me kërkim-falje publike për gjenocidin e bërë në Kosovë, me kompensimin e dëmeve të luftës si dhe me gjetjen e të gjithë shqiptarëve të zhdukur dhe të varrosur në 16 varre masive në Serbi (1670), po qese dëshiron formimin e këtij asociacioni për serbët lokalë që jetojnë në Kosovë”, vlerësoi ai.
Në fund, ai tha se krijimi i Asociacionit do të ishte barazi me tradhti kombëtare, madje futje thikë pas shpine pavarësisë dhe shtet-ndërtimit të Kosovës
“Çdo lëshim pe para palës serbe kur fjala është për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ose çdo diskutim rreth kësaj teme pa i plotësuar pala serbe kërkesat e shtruara nga ana e qeverisë së Kosovës, do të ishte barazi me tradhti kombëtare, madje futje thikë pas shpine pavarësisë dhe shtet-ndërtimit të Kosovës, i cili ende nuk është përmbyllur ashtu siç na e kanë lënë amanet mbi 15 mijë dëshmorë, martirë, heronj si dhe mbi 20 mijë gra shqiptare të dhunuara nga kriminelët serb, hiç më larg se para 22 viteve..!?”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.
Zogaj: Palën kosovare marrëveshje për lëvizjen e lirë duhet ta motivojë për të shpejtuar edhe në zbatimin e marrëveshjeve të tjera!
Ndërsa, opinionisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” e cilësoi si një kthesë shumë të rëndësishme për Kosovën arritjen e marrëveshjes për dokumentet e indentifikimit me Serbinë.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/September/03/auto_auto_auto_skender-zogaj-645x420152480735415309064681662231059.jpg)
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të jetë e motivuar edhe më shumë pas kësaj marrëveshje, ndonëse paralajmëroi zvarritje të procesit nga pala serbe.
“Nisma konkrete për zbatimin e marrëveshjeve me insistimin më serioz të faktorit ndërkombëtar, është një kthesë e favorshme për Kosovën, së cilës vonesat e mëtutjeshme jo vetë që nuk i konvenojnë, por e dëmtojnë keq lirinë dhe pavarësinë e Kosovës! Palën kosovare marrëveshje për lëvizjen e lirë duhet ta motivojë për të shpejtuar edhe në zbatimin e marrëveshjeve të tjera! Rezultati i vazhdimit të bisedimeve nuk do të jetë i lehtë, sepse Serbia do t'i përdorë të gjitha mënyrat dhe mjetet, për ta zvarritur procesin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Zogaj tha se një na sfidat e radhës për qeverinë Kurti është krijimi i Asociacionit të komunave serbe.
“Sfida e radhës padyshim që është realizimi i marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave serbe, që është obligim i pashmangshëm!
Pra Kosova duhet ta realizojë, sa më herët aq më mirë! Marrëveshja për lëvizjen e lirë është kompromisi i Serbisë, që tash do të kërkohet që ta bëjë edhe Kosova me asociacionin! Unë nuk shoh ndonjë arsye që pala kosovare të refuzojë, sepse, është vlerësimi i Gjykatës Kushtetuse, e cila i ka theksuar shkeljet antikushtetuese, rreth kompetencave ekzekutive. Prandaj, çështja është e kryer!”, theksoi opinionisti.
Ndër të tjera, ai beson se qeveria jonë e ka të hartuar deri në detaje më të vogla gjithë elaboratin ligjor për asociacionit.
“Pala kosovare besoj se nuk ka ndejt duarkryq, e ka të hartuar deri në detaje më të vogla gjithë elaboratin ligjor për asociacionit! Unë do të preferoja që pala kosovare të informojë dhe sigurojë miratimin e ndërmjetësuesve ndërkombëtar, në mënyrë që, të eliminohen tentimet kalkuluese gjatë krijimit dhe funksionimit të asociacionit të komunave serbe”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.