Ishte prokurori Elez Balakaj i cili nisi një hetim për listat e veteranëve të rrejshëm, mirëpo, ky hetim ende nuk ka përfunduar, pasi që, Blakaj ishte kërcënuar dhe pastaj iku për në Amerikë.
Ndërsa, numri i madh i veteranëve ende gëzojnë benificionet nga shteti, edhe pse me ngulm po kërkohet nga Qeveria e Kosovës, që këto lista të pastrohen.
Dyshohet për një numër të madh të qytetarëve të cilët bëjnë pjesë në këto lista.
Se ka shumë veteranë të rrejshëm e thotë edhe ish-zv ministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava.
Ai thotë se, në këto lista padyshim që ka edhe gabime të rënda që janë bërë ndaj disa veteranëve, se me kohë nuk janë verifikuar, dhe nuk është zhvilluar asnjë bisedë me ta, por, sipas tij, ato dyshime për veteran të rrejshëm ishte dashur që vetë prokurori t’i konkretizoj dhe ta argumentoj se në çfarë mënyre i ka shpallë si të rrejshëm veteranët, e që tani e tërë lista e veteranëve po konsiderohet si e dyshimtë.
“Tani shpjegimet rreth pjesëmarrjes në luftë për vendin tonë mund të llogariten edhe ata njerëz të mobilizuar dhe të stërvitur e që megjithatë në ato rajone nuk ka pasur luftë përmanente apo edhe në ato vende ku është luftuar disa kanë pasur role tjera që dihet se të gjithë ushtarët nuk janë të radhitur në vijën e parë të luftës, sepse luftërat mund të zhvillohen edhe në territore më të gjëra në tjera vende, prandaj ka të tillë që kanë qenë të ristrukturuar në ato vende që s’janë të përfshirë në luftë aktive të drejtpërdrejtë”, shprehet Tërnava.

Sipas tij, si ushtarë edhe pjesë përbërëse janë edhe ata që kanë marrë pjesë si ushtarë të logjistikës, prandaj shton se, shpjegimi i prokurorit Elezi nuk ka qenë i shpjeguar dhe i arsyetuar si duhet, dhe me të gjithë ata që gjenden në ato lista, nuk ka biseduar që ta kuptoj shpjegimin e atyre që janë të shpallur si të tillë në ato lista të rrejshme.
“Një komandant disa ditë më parë foli në një TV për veti që kishte poste të larta si pjesëmarrës në luftë në ato treva e që ishte në poste të larta të asaj ushtrie, dhe i njëjti ishte shpallur si ushtar i rrejshëm, kurse mu ai komandanti vet iu kishte qëndruar pranë dhe nënshkruar veteranëve certifikatat e veteranëve si pjesëmarrës në ato lufta, kurse ai vet konsiderohet si veteran i rrejshëm. Prandaj u diskutua edhe për një numër të madh të formacioneve të ndryshme në të gjitha territoret që janë bërë luftërat që nuk është bërë unifikimi i të gjithë ushtarëve si pjesëmarrës në luftë prandaj numri që sillet rreth 20,000 nuk është i saktë por supozohet që është shumë më i lartë”, thotë ai.
Tërnava thekson se, këto lista gjithsesi duhet të verifikohen, por jo të stërzgjaten këto verifikime pakufi.
“Hetimi i fundit i listave të veteranëve do të jetë një goditje serioze e kupolës së krimit të organizuar në maje të piramidës kriminale, në strukturat e instaluar nga ish qeverisja e kaluar e klanit Pronto, pikërisht në mesin e anëtarëve të Komisionit qeveritar për pranim dhe verifikim të aplikacioneve për veteranët e luftës. Është e kuptueshme se edhe vetëm një person nëse del si veteran i rrejshëm qeveritarët e mëhershëm do të vazhdojnë të shqetësohen dhe ta kundërshtojnë tani këtë insistim këmbëngulës të Qeverisë, opozitarët e bashkuar me shoqatat e dala nga lufta të cilët organizatën OVL e kanë instrumentalizuar, e kanë nxjerr në rrugë për të protestuar dhe kundërshtuar hetimin, korrigjimin dhe pastrimin e listave të korruptuara të veteranëve të pesëfishuar në numër nga numri real dhe zyrtar i njohur edhe nga organizatat që kanë mbikëqyr regjistrimin por edhe transformimin e mëvonshëm si proces nga UÇK-në TMK e më vonë deri në FSK”, shton ai.
Ai thotë se, ministri i Financave Hekuran Murati më të drejtë ka thënë se krejt ngatërresën lidhur me çështjen e veteranëve e kanë trashëguar nga mandatet e kaluara të Qeverisjes, sepse veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë diskriminuar në vitin 2017 kur ka hyrë në fuqi Ligji i Pagave dhe jo tash në projektligjin e ri për rritjen e pagës minimale.
Murati ka thënë se, në kohën kur ka hyrë në fuqi Ligji i Pagave është bërë qëllimisht fshirja e nenit 18, i cili u ka mundësuar veteranëve përfshirjen në rritjen e pagës minimale edhe tash me ligjin e ri.
Sipas tij, zgjidhja për të pasur trajtim meritor me pensione ndaj veteranëve është çelësi i pastrimit të listave nga ngarkesa me veteran të rrejshëm.
“Duhet të bëhet një pastrim i listave, fillimisht për shkak të historisë sonë për t’i trajtuar drejtë ata që njëmend kanë luftuar dhe kanë qenë të përfshirë si ushtar të UÇK-së, duhet të bëhet diferencimi, sepse shteti pakoja buxhetore për veteranët gjatë një viti kalendarik i kushton hiç më pak se 80 milionë euro, e shumica e këtij buxheti shkon si përfitim jo meritor për veteranët e rrejshëm dhe jo për rata që e meritojnë këtë statut”, pohon ai.
Ai shton se, veteranëve iu kanë hy në hise disa të tjerë që nuk janë veteranë.
“Përbërja e tanishme e KPK-së dhe Prokurorisë Speciale që seriozisht duhen të ballafaqohen me krimin dhe ta fillojnë në detaje hetimin dhe hulumtimin dhe verifikimin për pastrim të listave të veteranëve, në mënyrë që trajtimi i tyre të jetë meritor për ata që janë veteran të vërtetë dhe e meritojnë përkujdesjen e shtetit, por jo edhe ata që i kanë blerë certifikatat me para të pista, ose në shkëmbim të votave të premtuara e të kontraktuara për këtë apo atë parti politike, qofshin ato zgjedhjet parlamentare apo edhe ato lokale, duke bërë që edhe zgjedhjet ti fitojnë me pazare kriminale”, thotë Tërnava.
Ai thotë se, detyrë e të gjithëve që i udhëheqin ato verifikime ndaj veteranëve të dyshimtë duhet që të jetë verifikimi në detaje dhe të ofrojnë fakte dhe argumente për ata veteranë të dyshuar, se ku kanë qenë të angazhuar, kënd e kanë pasur eprorë në mënyrë hierarkike, ku kanë qenë të vendosur, ku kanë marrë pjesë nëpër stërvitje, ku janë ushqye, sa kohë kanë qëndrua në njësi nga fillimi i luftës e deri në mbarim.
“Duhet të ketë dëshmitarë që e dëshmojnë këtë të thënë të e tyre. Nëse verifikimi vazhdohet në këtë mënyrë besoj se shumë shpejtë do të zbardhen dyshimet rreth listave ekzistuese të veteranëve”, përfundon Hajrullah Tërnava.