Qeveria hodhi një hap, topi te SBASHK-u/ Analistët: Vazhdimi i grevës “orkestrim” nga opozita

Politika

Qeveria hodhi një hap, topi te SBASHK-u/ Analistët: Vazhdimi i grevës “orkestrim” nga opozita

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 6 shtator 2022 Në ora: 19:47
Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Financave dhe transfereve Hekuran Murati

Ka më shumë se një javë që Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, (SBASHK) ka filluar grevën në vendin tonë.

Kjo grevë u shoqërua me një mori ngjarjesh të tjera, të cilat nuk janë në favor të asnjërës palë e po ashtu shkojnë në dëm të nxënësve që do të duhej të nisnin mësimin me 1 shtator.

SBASHK po vazhdon të mbajë grevën, ani pse thirrjet për ta ndërprerë po janë në vazhdimësi prezente.

Kryetari i kësaj sindikate Rrahman Jasharaj nuk po ndërpret grevën, derisa gjatë ditës së djeshme në disa shkolla pati edhe eksese nga prindër e familjarë, të cilët i dërguan fëmijët në shkolla.

Madje, gjatë këtyre zhvillimeve u sulmua edhe vet Jasharaj. Ky rast është denoncuar në Prokurori.

Derisa Qeveria “ia ka mbyllur derën”, Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, së fundmi takoi edhe krerët e opozitës nga të cilët mori mbështetjen për kërkesat e mësimdhënësve.

Këto takime natyrisht që ngjallen reagime të mëdha tek opinoni publik, mirëpo Jasharaj u shpreh se përveç mbështetjes për situatën aktuale nuk kanë biseduar për ndonjë gjë tjetër.

Nga ana tjetër mbështetja me nga 50 euro në muaj si subvencionim i pagës nga qeveria, nuk iu ka mjaftuar mësimdhënësve që ta ndërpresin grevën.

Por a mund të pritet një takim i sindikatave me qeverinë? Shpresat janë të vogla, duke e parë hendekun e krijuar ndërmjet të dyja palëve.

Mehazi: Këtu hapur vërehet se krerët e Sindikatës së Arsimit luajnë rolin e opozitës e jo të mësimdhënësve

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Ai u shpreh se veprimet e Jashrajt nuk janë të duhurat pasi ai do të duhej të bisedonte me ata që vendosin për zgjidhjen e problemit dhe jo ata që ngatërrojnë edhe më shumë.

Nëse qeveria e Albin Kurtit dhe Ministria e Arsimit u pajtuan për rritjen e rrogave të mësimdhënësve për 50 euro, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, për hir të nxënësve do duhej të pajtohej përkohësisht që mësimdhënësit të fillojnë me punë me nxënësit, ai bëri të kundërtën shkon e bisedon me partitë opozitare dhe pastaj zotëriu i parë i sindikatës së arsimit, Jasharaj, deklarohet se nuk është nën ndikimet e partive opozitare, sidomos të PDK-së. Logjika vepruese e Rrahman Jasharajt, na jep të drejtë të themi se ai në vend që të shkonte e bisedonte për rrjedhat e mëtutjeshme të kërkesave me ata që vendosin për zgjidhjen e problemit të mësimdhënësve, me qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit, bëri të kundërtën shkoi e u takua me krerët e partive kundërshtare opozitare. Për të ngatërruar dhe më shumë marrëveshjen e Sindikatës së Arsimit me qeverinë e Kurtit, është normale se opozita është për të armiqësuar sa më shumë Sindikatën e Rrahman Jasharajt me qeverinë e Kurtit”, u shpreh ai.

Profesori më tej thotë që për shkak se Ministria e Arsimit i subvencionoi arsimtarët me 50 euro në muaj, pas rritjes së rrogave fjalën e fundit të kompromisit është dashur ta ketë Rrahman Jasharaj me një ndërprerje të përkohshme të grevës.

“Këtu hapur vërehet se krerët e Sindikatës së Arsimit luajnë rolin e opozitës e jo të mësimdhënësve, themi kështu për shkak se Ministria e Arsimit e bëri të veten dhe shpërbleu arsimtarët me 50 euro në muaj, pas rritjes së rrogave fjalën e fundit kompromisëse është dashur ta ketë Rrahman Jasharaj me një ndërprerje të përkohshme të grevës njësoj sikurse veproi sindikata e arsimit në RMV muaj më parë. Këtu më së shumti humbin nxënësit e askush tjetër, prandaj është e turpshme që këtë humbje të madhe të nxënësve ta shfrytëzojnë partitë politike opozitare. Nëse qëllimi i Sindikatës së Jasharajt ishte rritja e rrogës së arsimtarëve ky qëllim u mbërri, prandaj do të ishte e mirë, e logjikshme dhe e drejtë që përkohësisht Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të ndërpriste grevën për të kërkuar rritjen e rrogave të arsimtarëve dhe plus 50 euro. Nëse zotëri, Rrahman Jasharaj, nuk e ndërpret grevën e arsimtarëve për shkak inatit atëherë kërkesat dalin politike e jo sindikaliste, për inatet e Jasharajt humbin nxënësit e askush tjetër”, nënvizoi Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: Dy hapat e rëndësishme të Qeverisë për sindikatat e arsimit

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Qeveria ka bërë dy hapa të rëndësishëm për sindikatat, e para iu ofroi 50 euro për punëtorët dhe e dyta përfundoi të gjitha pagat.

Image
Faton Mehmeti

 

“Fillimisht kam mbështetur sindikatat si pjesë demokratike e shoqërisë dhe në parim jam pro sindikatave të lira e të pavarura që mbrojnë interesat e punëtorëve. Qeveria, fillimisht hezitonte, mirëpo pastaj bëri dy hapa: Së pari ofroj nga 50 euro për punëtorët dhe së dyti nuk pati ndalesa në paga”, thekson ai.

Analisti fton të ketë kompromis pasi nëse sindikatat vazhdojnë të refuzojnë zgjidhje atëherË kemi të bëjmë me elemente opozitare.

“Tani topi është te sindikata e cila duhet të veprojë e jo të betonizohet pas thënies “greva vazhdon”, kjo jep me kuptuar se pas saj mund të ketë elemente të opozitës. Kështu që, me këtë qasje aktuale sindikatat rrezikon edhe më tutje të komprometohen duke i bërë dëm të madh edhe punëtorit të ndershëm të vendit. Shpresoj që të ketë dialog mes qeverisë dhe sindikatave, çdo polarizim më i thellë vetëm sa rëndon klimën e rëndë në shoqërinë tonë, mbi të gjitha tek nxënësit”, nënvizoi Mehmeti për “Bota sot”.

Ndryshe, greva në arsim dhe administratë publike ka vazhduar edhe të martën, me kërkesat e sindikalistëve për dialog social me Qeverinë. Pavarësisht thirrjeve për zhbllokim të situatës, përfaqësuesit e sindikatave deklarojnë se do të vazhdojnë grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Nuk kemi ende ndonjë sinjal, nuk kemi ndonjë ftesë tani për tani për një gjë të tillë. Por, na mbetet të jemi optimistë, sepse edhe pala tjetër duhet të jetë bashkëpunuese si ne. Në bazë të komunikimit që kemi me kolegët tanë nëpër komuna, greva po vazhdon edhe në administratë publike dhe uniteti është i shkëlqyer”, ka thënë Jasharaj.

 

...

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat