“Ditë të rënda për dialogun Kosovë-Serbi”?! / Kritikohet përfshirja e diplomatit francez – ja çfarë mund të ndodhë!

Politika

“Ditë të rënda për dialogun Kosovë-Serbi”?! / Kritikohet përfshirja e diplomatit francez – ja çfarë mund të ndodhë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 8 shtator 2022 Në ora: 22:04
Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz përshëndesin me dorë gazetarët përpara një takimi në Pallatin Elysee në Paris. Fotografi nga arkivi.

Dialogu Kosovë-Serbi po hyn në një fazë shumë të rëndësishme. Ndërkombëtarët janë më të fokusuar se kurrë për të arritur një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Lufta e Rusisë në Ukrainë, duket se e ka ndryshuar qasjen e disa vendeve europiane për Kosovën, duke e kuptuar rolin negativ të Serbisë, me qëndrimet proruse, dhe në kundërshtim jo vetëm me qasjen euro-atlantike, por dhe me detyrimet ndaj Bashkimit Europian, si vend që ka nënshkruar marrëveshjen e procesit të anëtarësimit.

Të nxitur nga kjo krizë e thellë lufte, me pasoja të shumëfishta, dy vendet kryesore të BE-së, Gjermania dhe Franca kanë vendosur t’i bashkohen SHBA-së dhe Britanisë, për të krijuar një ekip, që do të mund ta shtyjë përpara procesin e mosnjohjes së Kosovës nga Serbia, dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Hebestreit konfirmoi angazhimin e forcuar të Gjermanisë dhe Francës në normalizimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Të premten, më 9 shtator, ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të jetë sërish për bisedime në Prishtinë e Beograd, por këtë radhë i shoqëruar nga dy këshilltarët e jashtëm të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

Këtë e konfirmoi të hënën në Berlin, zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit. “Qëllimi i vizitës do të jetë për të parë se cilat janë opsionet e mundshme në përparimin e normalizimit të marrëdhënieve”, iu përgjigj Hebetreit pyetjes së DË.

"Siguria në Evropë, e këtu hyn dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, ka rëndësi shumë të madhe për kancelarin Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron. Kjo nënkupton edhe përforcimin e angazhimit për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Nisur nga tensionet e kohëve të fundit, që të dy kanë ngarkuar këshilltarët e jashtëm, Jens Plöttner, dhe Emmanuel Bone, që t'i mbështesin në mënyrë të drejtpërdrejtë përpjekjet e të ngarkuarit të BE-së, Miroslav Lajçak", sqaroi Hebestreit.

Analistët e komentuan këtë vizitë dhe treguan prapavijën dhe qëllimet e ardhjes së këshilltarëve të Macron dhe Scholz.

Qarri: Për Macron dhe Scholz, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor

Image
Gani Qarri

 

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot” e vlerëson pozitive vizitën në Kosovë, të planifikuar për të premten, të këshilltarëve të Scholz dhe Macron në Kosovë.

Ai thotë se kjo vizitë po vjen në një moment vendimtar, ku ka nevojë për një avancim të dialogut dhe arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me njohje reciproke.

Në këto momente vendimtare, ishte koha ideale, që përfundimisht të bëhej zëvendësimin i të dy ndërmjetësuesve të BE-së, Borell dhe Lajçak që vijnë nga dy vende mos njohëse të shtetit tonë dhe në dialogun Kosovë Serbi, mbajnë anën e Serbisë, në vend se ti shtohen edhe dy të dërguar të tjerë dialogut, pas të dërguarit të Britanisë së Madhe, Stuart Peach qysh në dhjetorin e vitit të kaluar. Kjo për vet faktin se në këtë mënyrë, po krijohet një lagje e tërë të dërguarish të posaçëm, të cilët për shkak të interesave kontradiktore të shteteve që përfaqësojnë, më shumë mund ta komplikojnë sesa të ndihmojnë avancimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellë.

Për aq më tepër, duke e ditur se edhe në letrën e dërguar nga presidenti Macron dhe kancelari Scholz, nuk figuron fare njohja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, rritja e numrit të të dërguarve jo vetëm që nuk ndihmon gjë, por hap edhe orekset e Rusisë që edhe ajo ta imponojë të dërguarin e saj të posaçëm me pretendime edhe më të posaçme në dëm të Kosovës, pasi që nesër mund të emërojë të dërguar edhe Greqia, Italia e ndoshta edhe Spanja, si shtete të mëdha dhe anëtare të BE-së, me interesa të veçanta në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi analisti.

Sipas Qarrit, vizita e këshilltarëve të Scholz dhe Macron po lë të nënkuptohet se dialogu po hyn në një fazë edhe më të rëndësishme, ku nuk e përjashton faktin e afrimit të marrëveshjes përfundimtare.

Madje të premten, më 9 shtator, pritet që ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të vijë sërish për bisedime në Prishtinë e Beograd, i shoqëruar edhe nga dy këshilltarët e jashtëm të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, që lë të nënkuptohet se dialogu po hyn në një fazë edhe më të rëndësishme, seç ka qenë deri më tani, por që nuk prejudikon edhe afrimin e marrëveshjes përfundimtare, kur dihet se Serbia aktualisht nuk pranon as marrëveshjen për zëvendësimin e targave ilegale të Serbisë me ato legjitime të Republikës së Kosovës, nga pjesëtarët e pakicës serbe që jetojnë në veri të vendit tonë. Në fakt, presidenti Macron dhe kancelari Scholz, fillimisht do duhej ti bindnin 5 vendet e BE-së, apo të paktën katër nga to, si Spanja, Rumunia, Sllovakia dhe Greqia që ta pranonin pavarësinë e Kosovës dhe vet BE të ndryshojë qëndrimin neutral ndaj statusit të shtetit tonë, në mënyrë që ta kenë derën hapur për të emëruar të dërguar të posaçëm dhe të shkruajnë letra e të vijnë me propozime të reja, për përmbylljen e dialogut me njohje reciproke”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, analisti tha se është interesant fakti, se sa më shumë që po aktualizohet e ashtuquajtura "çështje" për "zajednicën", Vuçiq ashtu edhe Bërnabiq paralajmërojnë publikisht se do ta keqpërdorin edhe minoritetin serb në Kosovë.

“Përndryshe, përderisa edhe në letrën e fundit të tyre dërguar kryeministrit Kurti dhe Vuçiqit, nuk figuron njohja e ndërsjellë as si TERMË, nuk e di se çfarë efekti do të ketë vizita e Lajçakut me dy të dërguarit e ri të posaçëm, i cili bashkë me Borellin mbajnë hapur anën e Serbisë, përveç rritjes së presionit për formimin me imponim, të "asociacionit" kundër kushtetues një etnik serb, të cilin Kosovës i lanë "kopil" në derë, kuislingu Thaçi dhe renegati Isa Mustafa. Prandaj dhe është shumë interesant fakti, se sa më shumë që po aktualizohet e ashtuquajtura "çështje" për "zajednicën", që insistohet me këmbëngulje edhe nga Serbia, kjo të jetë, tema në vazhdimin e dialogut, për çka si Vuçiq ashtu edhe Bërnabiq paralajmërojnë publikisht se do ta keqpërdorin edhe minoritetin serb në Kosovë për tu rebeluar kundër institucioneve legale të shtetit të Kosovës, numri i të dërguarve të posaçëm, po vije duke u rritur gjithnjë e më tepër. E ky skenar i ri, po qe se Macron, Scholz dhe vet BE, vazhdojnë të mos ndërmarrin asgjë për parandalimin e retorikës luftënxitëse të kriminelit Vuçiq, i cili përmes bandave kriminale vijon ta mbajë një gjendje shumë kontradiktore dhe skajshmërisht të acaruar në veri të Kosovës, me gjithë ndryshimin e formës së veprimit, nuk premton asgjë të mirë, nëse vërtetë edhe nga Macron dhe Scholz mendohet seriozisht që dialogu Kosovë-Serbi të përmbyllet me njohje të ndërsjellë ndërmjet të dy vendeve”, nënvizoi Qarri.

Përpiqen t’i implementojnë interesat strategjike e politiko-ekonomike të vendeve të veta

Tutje, ai u shpreh se fakti se kancelari gjerman dhe presidenti francez kanë emëruar kuadrot më të përgatitur për politikë të jashtme dhe çështje të sigurisë, Jens Plötner dhe Emmanuel Beaune, për këtë çështje.

“Në kushte të tilla, nuk mund të zhvillohen as bisedime në një atmosferë të qetë e normale, përderisa Serbia nuk respekton marrëveshjet e nënshkruara mbi një dekadë më parë dhe përdor hapur çdo mjet e mënyrë për të nxitur tensione të reja, duke shpreh publikisht edhe pretendimet territoriale ndaj tokave më vitale të Republikës së Kosovës, e në gjendjen e krijuar, arritjen e marrëveshjes përfundimtare, pavarësisht nga numri i tyre, nuk mund ta ndihmojnë të dërguarit evropian, të cilët kanë pikëpamje të ndryshme jo unike e parciale dhe përpiqen t’i implementojnë interesat strategjike e politiko-ekonomike të vendeve të veta, në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.

Kështu që siç dëshmoi edhe rasti i dakordimit për qarkullim të lirë, vetëm ndërmjetësimi i diplomatëve të lartë amerikan, mund ta shtensionojë situatën dhe ndihmojë të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përndryshe vet fakti se kancelari gjerman dhe presidenti francez, hiq më pak se këshilltarët e vet personal, si kuadrot më të përgatitur për politikë të jashtme dhe çështje të sigurisë, Jens Plötner dhe Emmanuel Beaune, i kanë emëruar të dërguar të posaçëm, dëshmon se krejt kjo bëhet, për të mbrojtur në mënyrë sa më efikase, interesat e shteteve të tyre, në këtë pjesë të Evropës, dhe jo vetëm për të ndihmuar dialogun i cili, vijon të ndërmjetësohet nga Josep Borell dhe Miroslav Lajçak, ani pse të dy vijnë nga dy shtete mos njohëse të pavarësisë së Kosovës dhe mbajnë hapur anën e Serbisë”, potencoi ai.

Ndër të tjera, analisti tha se është e vështirë për qytetarët e Kosovës, të kuptohet se si do ta ndihmojnë dhe avancojnë ata dialogun, përveç rritjes së presionit për formimin e "zajednicës".

“Parë më konkretisht, deklarata e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor, nuk mund të ketë kuptim plotësisht real, përderisa vet BE mban qëndrim neutral ndaj statusit të vendit tonë, toleron 5 vendet anëtare të saj, që edhe mbi 23 vite pas çlirimit, 14 nga shpallja e mëvetësisë dhe më tepër se 12 vite nga vulosja e pavarësisë së vendit tonë nga GJND, të mos e njohin shtetin e Kosovës, ndaj megjithëse të dërguarit e tyre së bashku me Miroslav Lajçak-un, me 9 shtator, pritet ta vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, është e vështirë për qytetarët e Kosovës, të kuptohet se si do ta ndihmojnë dhe avancojnë ata dialogun, përveç rritjes së presionit për formimin e "zajednicës", pasi që edhe në letrën drejtuar Kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, nuk është cekur askund, se njohja e ndërsjellë do të jetë në qendër të marrëveshjes, të cilën e kërkon Qeveria jonë dhe miku më i madh i vendit, SHBA-të, për Kosovën”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Kelmendi: Qendër e dialogut për Republikën mbetet shteti sovran dhe i pavarur i Kosovës

Image
Muhamet Kelmendi

 

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi tha se Bashkimi Evropian është treguar jo frytdhënëse në dialog .

Sipas tij, Serbia nuk ka hequr ende dorë nga Kosova dhe ndarja e saj.

“Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka rënë në një gjendje të vendnumërimit. Pala serbe kurrsesi të "kupton" se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Në këtë drejtim janë keqësuar edhe më shumë raportet ndërshtetërore. Serbia synon ndarjen e Kosovës ose krijimin e një shteti serb me Asociacionin serb, që përmban pushtet ekzekutiv. Kosova mbështetet në parimin e të drejtës ndërkombëtare të reciprocitetit dhe të njohjes reciproke të shtetit. Këtu është mbetur gjendja, BE është treguar jo frytdhënëse në dialog”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, profesori u shpreh skeptik, duke thënë se përfaqësuesit e Francës dhe Gjermanisë vijnë nga pozitat jo të qarta politike.

“Përfaqësuesit e UE për dialog vijnë nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Mbi këtë nuk e ndërtuar një politike për zgjidhjen e çështjes. Ata u mbështeten gjoja në dialog, por ruajtjen çdo herë pozitën e Serbisë, duke lejuar veprime luftënxitëse të shtetit serb.

Edhe përfaqësuesit e Francës dhe të Gjermanisë, z Emanuel Bonne dhe z.Jens Plötner, të caktuar për të ndihmuar dialogun, vijnë nga pozitat jo të qarta politike.

Asnjëri nuk e mbështet dialogun nëpërmjet të cilës në qendër është njohja reciproke e shtetit. Tjetër është përfaqësuesi anglez dhe ai amerikan, të cilët e përkrahin dialogun, por në qendër e kanë njohjen reciproke.

Inkuadrimi në dialog i të dy përfaqësuesve tregon një gjendje të paqartë në përfundim të dialogut. Tash i kemi të inkuadruar shtetet kryesore të perëndimit në dialog”, nënvizoi Kelmendi.

Madje, ai e vlerësoi si të dëmshme përfshirjen e palës franceze, ku parashikoi edhe hapjen e portës që Rusia të kërkon të marrë pjesë në dialog me përfaqësuesin e vetë.

“Kjo pjesëmarrje është e dëmshme. Sidomos, ajo franceze. Ndërsa, te Gjermania, edhe pse Berlini tregon dëshirë për njohje reciproke, ky përfaqësues, z.Plötner, nuk është për njohje reciproke. Me këtë u hap porta që edhe Rusia të kërkon të marrë pjesë në dialog me përfaqësuesin e vetë. Kjo është e dëmshme.

Përfaqësuesi i Francës e kundërshton njohjen. Më i qartë nuk është as ai gjerman. Të dy këta përfaqësues janë në pozitë të spanjollit, z Borell dhe të sllovakut, z.Lajçak. Kështu u keqësua dialogu”, potencoi profesori.

Në fund, ai paralajmëroi se ditë të rënda po vijnë për Kosovën dhe dialogun me Serbinë.

Nisur nga kjo, Kelmendi kërkoi që vendi ynë të mbështetet vetëm në Amerikën, pasi ata kanë qëndrim më të qartë.

“Për Kosovën po vijnë ditët më të rënda. Nuk u ndihmua kështu dialogu me këta dy përfaqësues. Ata e ndërlikuan edhe më shumë dialogun. Me këta përfaqësues u bë më realitet ndërtimi i asociacionit serb në Kosovë, e që edhe kompetencat do të zgjerohen. Kështu iu dha Serbisë mundësua të kërkon që edhe shteti rus të caktojë një përfaqësues në dialog. Natyrisht se Kosova nuk mund t’i caktojë përfaqësuesit e UE dhe të shteteve vendimmarrëse në union.

Kosova kërkohet të mbështetet kryesisht te Uashingtoni. Nga atje kemi qëndrim të qartë. Dialog pa njohje të shtetit nuk duhet të ketë. Qendra e tërë dialogut kërkohet të mbetet njohja reciproke. Kosova nuk ka të drejtë të diskutoj me shtetin serb organizimin e brendshëm të shtetit të Kosovës. Kjo është e drejtë e vetë shtetit të Kosovës. Kurrsesi pa njohje reciproke nuk ka dialog”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat