Ndryshimi i partive në Kosovë mbetet në trend. Deputetja Doarsa Kica-Xhelili nuk do të jetë më pjesë e partisë “Guxo”, as e shumicës qeverisëse.
Ajo kaloi nga “Guxo” në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur edhe zyrtarisht kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se ardhja e saj në LDK është vlerë.
Nga LDK e lavdërojnë aderimin e saj, kurse nga tabori tjetër e kanë akuzuar për tradhti.
“Mirësevjen në LDK dhe grupin tonë parlamentar, Doarsë! Na priftë e mbara në rrugëtimin e të ardhmes së sigurt të Republikës!”, shkroi Gashi.
Por, cila mund të jetë dobia e ‘transferimeve’ të deputetëve nga një parti në tjetrën?
Mulliqi: Largimi i deputetes Kica Xhelili, edhe mund të prodhojë krizë
Analisti Skënder Mulliqi në një bashkëbisedim për “Bota sot”, thotë se kur u themelua partia “Guxo”, menjëherë iu bashkua LVV-së, për të fituar pushtetin.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/September/09/auto_mulliqi1662717433.jpeg)
Sipas tij, ishte Osmani ajo e cila ishte më e votuara edhe pse si parti vonoi shumë që të profilizohej.
“Tashmë dihet për të gjitha ndodhitë politike, të cilat ndikuar që Vjosa Osmani, me grupimin e saj politik, i ndanë rrugët më LDK-në, dikur partia numër një në Kosovë. Ky grupim politik, u quajt Lista Guxo, që edhe tash pas formimit si subjekt politik, quhet ashtu. Ishte kohë zgjedhjesh të reja të jashtëzakonshme nacionale dhe Vjosa Osmani, iu bashkangjitë LVV për t’i fituar zgjedhjet në mënyrë plebishitare. Vjosa e cila ishte shquar edhe kur ishte në LDK, me përqindje të lartë të votave të fituara, mori në këto zgjedhje numër rekord të votave në kuadër të LVV. Kjo edhe bëri që LVV të fiton me 50 për qind të votave. Në zgjedhjet e reja lokale dihet se LVV dhe Lista pësuan rënie në vota. Kjo më duket mua nuk është pa serioze edhe tash, sepse duket që një pjesë bukur e madhe të cilët ju bashkëngjiten Listës në zgjedhjet nacionale, janë kthyer në LDK, pasi që aty ndodhen disa ndryshime kadrovike. Erdh në krye të LDK-Lumir Abdixhiku. Çka i parapriu rënies së popullaritetit të Listës Guxo, në zgjedhjet lokale?
E para, është se Lista bukur shumë zgjati të kthehet në parti politike, të pa profilizuar mirë, dhe unë për vete nuk kam njohuri se ata kanë shpalosur ndonjë program konkret të tyre politik. Me rastin e zgjedhjeve nacionale u zgjodhën kandidatët për deputet në mënyrë jo shumë parimore, ku nuk pati përfaqësim të mirë të zonave të votuesve. Duket se qëllimi parësor atëherë ishte të fitohen poste pushtetare, pa marr obligime shumë për ata që iu dhanë votat”, thotë ai.
Ai për figurat brenda në “Guxo” thotë se nuk është se paraqesin autoritet të madh të skenës politike, prandaj edhe kjo parti do ta ketë të vështirë të grumbullojë vota në të ardhmen, madje shton se mund të mbetet si dikur LDD-ja e Nexhat Dacit, dhe më vonë partia e Fatmir Limajt.
“Vjosa Osmani u zgjodh presidente e vendit, dhe kjo për të ishte e mjaftueshme, Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme, dhe këtu sikur pushoi për një kohë aktiviteti i Listës. Donika jo që nuk ka autoritet, por vështirë është të jetë zëvendësim i denjë i Vjosës, kurse Peci nuk paraqet ndonjë autoritet të madh të kësaj skene politike. Prandaj edhe partia Lista Guxo, do ta këtë vështirë të grumbullojë shumë vota në të ardhmen. Ajo mund ta kalojë pragun zgjedhor, për të mos përfunduar me dështime në zgjedhje, si dikur LDD-ja e Nexhat Dacit, dhe më vonë partia e Fatmir Limajt. Nëse kanë formuar parti politike vetëm sa për ta shtuar numrin e tyre, edhe ashtu kemi tepër shumë subjekte politike në Kosovën e vogël. Nuk kemi nevojë për gjithë këto parti. Kemi nevojën për dy parti rivale të forta sikur ekzistojnë në shtetet me demokraci të avancuar në botë”, thekson Mulliqi.
Derisa, për largimin e deputetes Kica-Xhelili, thotë se mund të prodhojë krizë, por që nuk mund të përjashtohet asnjë solucion në largimin e saj.
“Largimi i deputetes Kica Xhelili, edhe mund të prodhojë krizë, kur dihet se kjo parti sapo është formuar, dhe çdo largim është i ndjeshëm. Nuk mund të them që në largimin e Xhelilit ka gisht ish SHIK-u, por që nuk mund të përjashtohet asnjë solucion në largimin e saj. Dihet se në çfarë deregje e sollën Kosovën dhe LDK-në koalicionet e tilla që i bëri ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa me PDK-në. Megjithatë partitë me përvojë politike, janë më ndryshe nga ato që formohen rishtazi. Qytetarët kanë nevojë për parti politike, të cilat krijojnë mirëqenie, e cila po ju mungon qe shumë vite, për shkak të keqpërdorimeve të cilat ndodhën. Besimi për të dalë në zgjedhje që nuk ishte i kënaqshëm deri më tash, duhet që LVV-ja, e cila është në pushtet me Listën Guxo, të punojë shumë, edhe pse nuk e ka lehtë se, opozita e sotme ka lënë mbrapa një mal problemesh të grumbulluara. Mendoj, megjithatë, se edhe suksesi eventual i partisë së Listës Guxo, shumë do të varet, se si do të qeveriset me vendin, në ditët dhe vitet në vazhdim”, përfundon analisti.
Duhanaj: Për lëvizjen e deputetes Kica nuk duhet të fajësohen partitë opozitare
![Image](/media/botasot.info/images/2022/September/09/auto_leoni1662717455.jpg)
Analisti Leon Duhanaj deklaron se në këtë çështje nuk ka gisht SHIK-u.
“Për sa iu përket transfereve në skenën politike kosovare kjo nuk është gjë e re, e panjohur. Për mendimin tim këto zhvillime ndodhin si pasojë e mungesës së emancipimit politik e ideologjik të shoqërisë. Nuk mendoj që për lëvizjen e fundit të deputetes Doarsa Kica Xhelili, duhet të fajësohen partitë opozitare, përkatësisht LDK-ja, e aq më pak mendoj që ka vend pyetja se mos është "vepër e SHIK-ut".
“Për mendimin tim, SHIK e ka përfunduar punën që mori dhe gjithçka që ndërlidhet tani me veprimtarinë e tij. Nëse ka SHIK aktiv, ai duhet të kërkohet në VV. Për ndryshe, mendoj që kontrabandimi i deputetes së PDK-së nga VV-ja znj. Grainca ka qenë pikërisht rast ku ka mund të dyshohet për të gjitha. Sepse aty u ndërlidh fati i themelimit të Qeverisë Kurti, përkatësisht zgjedhjes së Presidentes Osmani”, thotë ai.
Sipas tij, nëse këtu ka pasur gisht SHIK-u, atëherë i bie që të ketë gisht edhe në rastin e deputetes Adelina Grainca në VV.
“Pra, nëse ka pas dorë ndonjë organizatë e nëntokës, atëherë ka ndodhur në rastin Grainca, ku ka qenë edhe rrethana për pazare të mëdha. Tani, kemi një akt ku një deputete merr guximin të mbrojë dinjitetin e saj personal e intelektual dhe asgjë me shumë. Nuk besoj që në një demokraci të mirëfilltë do të mund të ndodhte ajo çfarë ndodhë brenda grupit parlamentar të VV-së, ku asnjë deputet nuk guxon të mbrojë mendim autonom, madje as ta shprehë. Mendoj që nëse do të bëhej një anketë 100% konfidenciale, ku do të mund të lejohej ndjenja emocionale e deputetëve, jam i bindur se në kuadër të grupit të VV -së do të filtroheshin edhe shumë emra të tjerë, të cilët nuk ndjehen mirë në lëkurën e tyre si deputet të kësaj mazhorance”, përfundoi ai.