Bisedimet Kosovë-Serbi janë në një fazë shumë të rëndësishme, sa së fundmi edhe Scholz dhe Macron angazhuan këshilltarët e tyre që të merren me këtë çështje.
Megjithatë, është presidenti serb, Aleksandar Vuçiq që po provokon dhe kërcënon në vazhdimësi Kosovën.
Madje, ai deklaroi sërish se nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës.
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi.
Fillimisht, ai kërkoi nga Bashkimi Evropian të ndërrmarrë hapa lidhur me kërcënimet e vazhdueshme që po iu bëhen Kosovës nga Vuçiqi.

“Deklaratat dhe kërcënimet e Vuçiqit ndaj Kosovës, duhet t’i trajtojë seriozisht BE-ja, nuk duhet të bëhen asgjë sepse këto produkte të këtij lloji luftënxitës, do të rrisin urrejtjen dhe mund të përshkallëzojnë marrëdhëniet në mes shqiptarëve dhe serbëve, në momentin kur mendojmë se janë afruar të realizohen rrugëdaljet dhe zgjidhjet e mospajtimeve në mes palëve.
Nuk ia vlenë që të merremi tërë kohën me deklaratat dhe pallavrat që i fabrikon Vuçiqi, por disa të tilla, të cilat ia drejton popullit serb të Kosovës, të cilët i trimëron me fjalë dhe paragjykime, se Kosova është serbe, duke i nxitë në vazhdimësi që të pengojnë punën e Institucioneve të këtij vendi përmes barikadimit të rrugëve dhe formave kërcënuese ndaj policëve të Kosovës”, deklaroi opinionisti.
Sipas Preqit, Serbia me sjelljet e fundit po paraqitet si një kryeneçe, ku përmes “Ballkanit të Hapur” po tenton ta krijojë “Botën serbe”.
"Ministria e Jashtme e këtij shteti është gjithnjë aktive në lobimet e saj në vende të ndryshme të botës kundër shtetit të Kosovës dhe ato vende që e kanë njohur, t’i tërheqin njohjet e tyre , në fakt vërejmë se makineria serbe në forma të ndryshme nuk po ndalet me arrogancën politike të saj ndaj Kosovës, dhe deri në ç’pikë mund të arrihet një qëllim i tillë në sytë e Evropës dhe botës.
Ajo që po ndodh sot me sjelljet e Serbisë, me mohimin e saj të çdo norme që qëndron mbi shtetin dhe pavarësinë e Kosovës, ndërsa në anën tjetër po paraqitet edhe si një kryeneçe, duke mos e sanksionuar Rusinë, në luftën pushtuese ndaj Ukrainës, dhe përmes nismës së «Ballkanit të Hapur», sikur frenjët e saj tani më janë aq të shfrenuara, që ta fusë nën kontrollë tërë Ballkanin perëndimor dhe më gjerë, për të krijuar «Serbinë e madhe»”, theksoi ai.
Në vazhdim, opinionisti insistoi se shteti serb me veprimet e saj po vë në rrezik mundësinë e një zgjidhje pozitive me Kosovën.
Duke parë këto zhvillime, ai vlerëson se Scholz dhe Macron u detyruan t’i angazhojnë këshilltarët e tyre.
“Serbia me këto sjellje po e vë në rrezik çdo zgjidhje pozitive me Kosovën, sepse nuk merr parasysh atë që ka vlerë për një zgjidhje paqësore, duke e njohur njëra-tjetren, por me një kokëfortësi dhe dhunë po pretendon t’i zgjedh problemet me shqiptarët dhe Ballkanin perëndimor, e cila mbase ilustrohet dhe përkdhelet me Evropën, në anën tjetër i mbanë lidhjet dhe marrëdhëniet e ngushta me Rusinë.
Lufta aktuale në Ukrainë, të cilën Rusia, pretendon pushtimin e saj, duhet të jetë një test dhe mësim për BE-në, që të inkurajojë udhëheqësit e perëndimor që të mos flijnë në gjumë, sepse Rusia dhe Putini, kanë qëllime të errëta edhe ndaj vendeve tjera, në veçanti ndaj Ballkanit Perëndimor, në gjirin e së cilës shpeshherë shënjestrohet Kosova.
Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presodenti i Francës, Emanuel Macron, i kanë angazhuar edhe dy këshilltarë të tyre për Politikë të Jashtme dhe Siguri, për t’i ofruar mbështetje përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Llajçak, sikur duket se Evropa, tani e ka kuptuar se negociatave në mes Kosovës dhe Serbisë, i duhet edhe një shtysë shtesë që ta ndihmojnë çështjen në fjalë”, nënvizoi ai.
Më tej, Preqi sqaroi paralajmërimet se “do vijnë vendime të vështira”.
Sipas tij, pas kësaj mund të fshihet shkëmbimi i territoreve apo edhe formimi i Asociacionit.
“Mirëpo, çfarë duan të thonë udhëheqësit evropian me fjalët, do vijnë « vendime të vështira », a pak po u duket se si e kanë kufizuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës, apo ndoshta e kanë fjalën për shkëmbim teritoresh, apo për formimin e Asosiacionit një etnik të komunave serbe në veri të këtij vendi.
Çfarë janë synimet e Evropës, ndaj çështjeve të ndieshme të Kosovës, sikur që flitet për shkëmbim të teritoreve në mes këtyre dy vendeve, apo formimi i Asosacionit të komunave serbe në veri të Kosovës, të cilat njëra dhe tjetra janë jo vetëm në favor të Serbisë, por realizimi i dy opsioneve të tilla, nuk do të ishte zgjidhje e problemit por thellim i krizës, sepse këtu është qëllimi i Serbisë, për ta kthyer Kosovën edhe njëherë nën juridiksionin e vet serb”, potencoi opinionisti.
Në fund, ai u befasua me kërkesën e ambasadorit të SHBA në Beograd, Hill për anëtarësimin e Kosovës në “Ballkan të Hapur”.
Po ashtu, Preqi tha se Serbia po luan me Evropën.
“Është pak e çuditshme, kur ditëve të fundit edhe ambasadori i SHBA-ve, Kristopher Hill, në Beograd, në fjalimet e tij deklarohet, që edhe Kosova, të bëhet anëtare e nismës së « Ballkanit të Hapur », përshkak se marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, janë shumë të mira, a thua se ambasadori Hill, e sheh nismën e Vuçiqit, si një nismë të mirëfilltë dhe pozitive për Kosovën, dhe do të pajtohet në një mënyrë me vartësin e Millosheviqit, apo kasapin e Ballkanit.
Dhe nga ana tjetër, Serbia, sikur po luan me Evropën, sepse sipas saj, kjo është e bindur se nëse i ngushtohet rrethi dhe detyrohet që t’a njoh pavarësinë e shtetit të Kosovës, përulësia e saj do të shpërblehet në këmbim të anëtarisë së saj në Bashkimin Evropian”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.