“S’ka dorëzim”/ Alarmon Bytyçi: Ka një koordinim Beograd, Tiranë dhe opozitës në Kosovë, për destabilizim të Qeverisë

Politika

“S’ka dorëzim”/ Alarmon Bytyçi: Ka një koordinim Beograd, Tiranë dhe opozitës në Kosovë, për destabilizim të Qeverisë

Nga: N. Sh. Më: 10 shtator 2022 Në ora: 17:29
Aleksandar Vuçiq, Albin Kurti dhe Edi Rama

Gjatë ditë së premte, në Kosovë e Serbi ishte i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën, Miroslav Lajçak bashkë me dy këshilltarët Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, të emëruar nga kancelari i Gjermanisë, Oalf Scholz dhe ai i Francës, Emmanuel Macron.

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, i dërguari i BE-së, Lajçak ishte i shkurtër për media.

“Mbajtëm një takim dy orësh me kryeministrin Albin Kurti, ku kemi folur rreth dialogut dhe dinamikës së re në mënyrë se si ta çojmë procesin përpara. Ishte një diskutim i thellë dhe i rëndësishëm dhe mund ta kuptoni se nuk mund të japim detaje sepse të njëjtat diskutime do të kemi sot vonë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kjo mund të them se është pjesa e parë e takimeve…”,  u shpreh Lajçak.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.

Gjatë takimit u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë akterët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor”, thuhej në njoftimin e lëshuar nga takimi.

Kurse, pas Kosovës, Lajçak, kishte vizituar Serbinë, ku përmes një postimi në Tëitter, ka thënë se takimet kishin për qëllim që të shikohen opsionet për progres në dialog.

“Sot, bashkë me këshilltarët e lartë për politikë të jashtme të presidentit francez dhe kancelarit gjerman, pata diskutime gjithëpërfshirëse, të rëndësishme me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq për të shikuar opsionet për progres në dialog. Procesi do të vazhdojë në ditët e ardhshme”, kishte shkruar Lajçak.

Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, përmes një postimi në Instagram tha se është i gatshëm për një zgjidhje kompromisi me Kosovën, në përputhje me Kushtetutën e Serbisë.

“Bashkëbisedim për të ardhmen e Serbisë dhe nuk do të ketë njohje të Kosovës!.. Gjithmonë i gatshëm për zgjidhje kompromisi, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. S’ka dorëzim. Rroftë Serbia!” ka thënë Vuçiq.

Në lidhje me këto vizia për gazetën “Bota sot”, flet prof. dr. Enver Bytyçi.

Ai thotë se, Franca dhe Gjermania për herë të parë në historinë e konfliktit gati tri dekadash të Kosovës me Serbinë kanë ngarkuar përfaqësuesit e tyre në zgjidhjen përfundimtare të këtij konflikti.

Image
Prof. dr. Enver Bytyçi

Sipas tij, kancelari Scholz dhe presidenti Macron kanë ngarkuar si përfaqësues të tyre përkatësisht zotin Jens Plettner dhe zotin Emmanuel Beaune, dy diplomat me përvojë në diplomacinë perendimore.

Ai shton se, këta, së bashku me ndërmjetësuesin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, udhëtuan në Prishtinë e në Beograd.

“Nga Prishtina nuk patëm shumë informacion në detaje për çfarë u tha dhe u bisedua midis tre përfaqësuesve europianë dhe kryeministrit Kurti. Por presidenti i Serbisë ka thënë diçka më shumë për vizitën dhe bisedën midis tyre. Nga ajo që thotë Aleksandër Vuçiq, nëse i besojmë deklaratave të tij, del se Bashkësia Perëndimore dëshiron t’i japë fund situatës së statukuosë dhe ta mbyllë përfundimisht konfliktin shqiptaro-serb në Kosovë e për Kosovën”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Profesori thekson se, presidenti serb njoftoi se të tre përfaqësuesit europianë kishin mirëkuptimin e tyre me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Turqinë, kur është fjala për opsionin e fundit të zgjidhjes së konfliktit.

“Kjo do të thotë se për herë të parë janë bërë bashkë aktorët kryesorë të interesuar për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Kur bëhen ato bashkë, atëherë kuptohet se presioni rritet për palët në dialog. Sidomos për palën serbe. Por presion ka e do të ketë edhe për palën e Kosovës”, shton ai.

Së dyti, Bytyçi pohon se, presidenti i Serbisë njoftoi atë që dihej, se Perendimi dëshiron ta zgjidhë konfliktin shqiptaro-serb me qëllim që t’i japë një mesazh Vladimir Putin, për t’i thënë atij se nuk mund ta përdorë Kosovën si precedent të aksionit të tij ushtarak në Ukrainë.

“Pra, përpjekja bëhet me qëllim që të ndalohet propaganda ruse e përdorimit të rastit të Kosovës si arsye e sulmeve të Kremlinit kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të pavarur, Ukrainës. Nëse duhet ta besojmë këtë arsyetim e logjikë të Vuçiq, atëherë kjo duhet të merret seriozisht. Sepse në këtë rast mund të synohet të arrihet një synim pa zgjedhur si duhet mjetet”, thotë ai.

Bytyçi beson se, SHBA dhe Europa nuk kanë asnjë interes që zgjidhja të realizohet përmes ndarjes së Kosovës ose përmes krijimit të një minishteti serb brenda territorit të saj.

“Kjo do të ishte një precedent tjetër për Moskën, që ajo të kërkonte më pas ndarjen e Krimesë dhe Donbasit nga territori i Ukrainës. Po ashtu për të legalizuar ndarjen e Abkhazisë dhe të Osetisë së Jugut. Por ne nuk e dimë, nëse është opsion i Perëndimit ky version ose opsion, për t’i dhënë fund konfliktit e luftës në Ukrainë. Nëse BE e SHBA kanë planifikuar të kënaqin Rusinë me territoret lindore të Ukrainës dhe gadishullin e Krimesë, atëherë ato mund të përkrahin edhe ndarjen e Kosovës, ose së paku krijimin e një asosacioni me kompetenca ekzekutive. Nëse e duan Ukrainën të pandarë dhe unike, atëherë ata nuk do të lejojnë as ndarje, as shtet serb brenda Kosovës”, potencon ai.

Ai shton tutje se, Qeveria e Kosovës e di më mirë këtë, sepse ka biseduar drejtpërdrejt me përfaqësuesit europianë që e vizituan Prishtinën para pak ditësh.

Mbi bazën e kësaj logjike, ai thotë se, qeveria Kurti duhet të ndërtojë platformën e dialogut bazuar në interesat e vendit. 

“Këtë e bën të domsodoshëm edhe fakti se Kosova e Serbia gjenden tashmë në fund të procesit të dialogut. Presidenti i Serbisë po përpiqet ta shtyjë në kohë marrëveshjen përfundimtare. Për mendimin tim ai llogarit që të largohet me metoda puçiste të brendshme qeveria e zotit Kurti. E më pas të arrijë një marrëveshje të favorshme për Serbinë me ish-bashkdialoguesit e para Kurtit. Disa ngjarje që po ndodhin në zhvillimet e brendshme në Kosovë më çojnë te logjika, sipas së cilës ka një koordinim midis Beogradit, Tiranës zyrtare dhe disa eksponentëve të politikës opozitare në Kosovë për të destabilizuar qeverisjen në Kosovë. Serbisë i mjafton ky destabilizim për të forcuar pozitën e saj në dialog me Kosovën”, përfundon prof. dr. Enver Bytyçi.

Ndryshe, më 4 shtator, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, emëruan këshilltarët që të ndihmojnë në dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit, Macron dhe Scholz thanë se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.

Macron dhe Scholz, po ashtu, u bënë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të ndërmarrë vendime të vështira, të cilat, siç thanë ata, çojnë drejt përparimit të dialogut.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat