Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti befasoi të gjithë kur u shfaq nga Tirana, ku zhvilloi një takim të papritur me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili së fundi kaloi mbi tre ditë në Beograd me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në kuadër të një sesioni të “Ballkanit të Hapur”.
E kryeministri Kurti tha se temë diskutimi të takimit kanë qenë sulmet kibernetike dhe energjia.
“Takimi i djeshëm ka qenë drekë pune dhe shumë i mirë dhe i nevojshëm për shkak të temës. E para ka qenë siguria kibernetike dhe isha i interesuar që të marrë informata sidomos me veprimet e fundit atje. E dyta ka qenë sfidat e energjisë në muajt në vijim, ku e dini se KEK dhe KESh komunikojnë shumë mirë dhe e dini se gjatë verës kemi dhënë rrymë”, u shpreh kryeministri Kurti.
Por analisti dhe publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu, thotë se Rama mund të ia ketë përcjellë ndonjë mesazh Kurtit.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/September/14/auto_auto_rexhep-shehuu15450764731663186519.jpg)
“Takimi gjoja i fshehtë e paksa misterioz i Albin Kurtit dhe Edi Rames tek Vila 31 në Tiranë, i mbajtur në fshehtësi e i shitur qëllimshëm, sikur u takuan presidenti i Kinës me atë të Amerikës, mendoj se nuk prodhon ndonjë surprizë. E shumta, me shkon mendja se Rama është në këtë rast në rolin e ndonjë korrieri për të dërguar ndonjë mesazh tek Albini”, thotë Shahu për “Bota sot”.
“Ndoshta ndonjë mesazh nga Vuçiqi, ndoshta nga vendet mike e aleate që u soset durimi dhe nervat me udhëheqësit shqiptarë që u duket vetja se janë udhëheqës perandorish, udhëheqës të botes dhe nuk kthjellen të shohin se janë pothuaj të panjohur në planet. Gjithsesi nuk mendoj se ka pritshmëri, se ka mistere, thjeshtë do të jetë si rasti kur mbarset mali e pjell një mi”, përfundon për “Bota sot”, publicisti Rexhep Shahu.