Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha e konsideron si të drejt vendimin e Qeverisë së Kosovës për mos-ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit grevistë.
Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, Basha ka thënë se, vendimi i qeverisë është i bazuar në ligjin për greva.
“Vendimi është i drejtë sepse është i bazuar e ligjin për greva. Çfarëdo veprimi ndryshe nga Ministria e Financave do t ‘ishte shkelje ligjore”, ka deklaruar Basha.
Mirëpo, ai ka theksuar se ndonëse është dëmtuar procesi, për këtë nuk do të duhej të ndëshkohej askush.
Propozimi i deputetit është zëvendësimi i orëve të humbura nga mësimdhënësit grevistë.
“E dyta, procesi është dëmtuar dhe për këtë nuk do duhej të ndëshkohet askush, por vetëm do duhej të zëvendësoheshin orët e humbura me pagën e humbur dhe gjithçka do zgjidhej!”, është shprehur Basha.
Ndryshe, sot pas një muaji grevë të mësimdhënësve, ka nisur mësimi i rregullt në shkollat fillore dhe të mesme në vendin tonë.
Qeveria e Kosovës ka vendosur që të mos i ekzekutojë pagat për grevistët.
Zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu, ka deklaurar se pagat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, ka deklaruar Kryeziu.