Fjalimi i djeshëm (e mërkurë 12 tetor) i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Këshillin e Evropës, zgjoi reagime të shumta në opinion e veçanërisht në skenën politike vendore.
Një fjalim me ngjyrime patriotike e kombëtare, i cili në thelb kishte paraqitjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe demokratik para deputetëve evropianë.
Nga ky fjalim mbeti e tronditur edhe përfaqësuesja e Serbisë në Këshillin e Evropës, Elena Kovaq, e cila tronditjen e saj të thellë e tregoi hapur para të pranishmëve.
Përveç tjerash, znj. Kovaq mund të jetë tronditur nga thirrja e Ramës që evropianët, Kosovës t’i drejtohen si Kosova apo Republika e Kosovës, e jo si “Kosovo”, term me të cilin e quan Serbia.
“Nuk kam ardhur këtu të flas kryesisht për Shqipërinë, edhe pse tema e shqetësimit që dua të ndaj me ju lidhet me Shqipërinë si trupi me shpirtin. A nuk do të ishte mrekulli, në qoftë se ju këtu në këtë këshill të nderuar, të nisnit t`iu mësonit edhe të tjera organizmave institucionale të politikës ndërkombëtare ta shqiptojnë e ta shkruajnë Kosovën me emrin e vet e zyrtar Kosova, jo Kosovo, por republika e Kosovës”, tha Rama para anëtarëve të KE-së.
Në fakt, janë të rrallë politikanët shqiptarë që në përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës, nuk bien në “lajthitje” për t`iu drejtuar Kosovës me “Kosovo” e jo me emrin zyrtar Kosova.
Presidentja Vjosa Osmani, në të gjitha paraqitjet e saj ndërkombëtare, kur flet në anglisht, Kosovës i drejtohet me “Kosovo, Republic of Kosovo”; e jo Kosova apo Republic of Kosova siç do të duhej t`i drejtohej.
Mbase, një nga këshilltarët e presidentes me inicialet V.M. mund ta ketë këshilluar atë gabim, që për t`u dukur sa më “evropianë” të bëhet “më katolik se papa”!.
Ndryshe nga Osmani, Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, Kosovës i referohet si Kosova. Si bashkëthemeluese të partisë Guxo, mbase ministrja Gërvalla do të duhej ta këshillonte Osmanin që Kosovës t`i drejtohej në emrin e saj zyrtar, Kosova e jo “Kosovo”, siç e quajnë armiqtë tanë.
Osmani do të duhej të mësonte edhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili në paraqitjet e tij ndërkombëtare, qoftë takime, forume e intervista, shtetin tonë e quan ashtu siç duhet, pra Kosova e jo “Kosovo”!
Paraqitja për herë të parë e Kosovës para Këshillit të Evropës ishte mjaft emocionuese. Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, në prezantimin e saj të denjë foli për Kosovën demokratike si shtet evropian i pa-anëtarësuar në Evropë.
Bogujevci, nuk tha “We as Kosovo” (Ne si Kosovo), por tha We as Kosov-ë, (ne si Kosovë).
Është koha e fundit, që politikanët të zhvishen nga komplekset.
Shteti ynë, që u ndërtua me mund e sakrificë ndër breza, duhet të përfaqësohet denjësisht në arenën ndërkombëtare, fillimisht duke iu referuar në emrin e saj zyrtar, Kosova e jo “Kosovo”!