Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.
Ai takimin do ta nisë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin për ta vazhduar më pastaj me krerët opozitarë.
Por, se cilat janë temat e diskutimit ende nuk dihen.
Profesori Muhamet Klemendi në një pronocim për “Bota sot” ka thënë se vizita e Escobar mund të jetë për propozimin e planit francezo-gjerman.
Tutje, ai thotë se vizita e tij mund të lidhet edhe me çështjen e targave dhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
“SHBA po e paraqet nëpërmjet z. Eskobar qëndrimin mbi dialogun Kosovë-Serbi. Ende nuk ka ndonjë plan konkret mbi zgjidhjen e çështjes. Përveç planit francezo-gjerman nuk ka ndonjë plan tjetër. Kjo në aspektin publik. Ndoshta ka plan amerikan, po i pa bërë i qartë për publikun. Vetëm për politikanët. Z.Eskobar i ka dy çështje pse vjen në Kosovë.
1. Çështja e targave që ambasadori i SHBA-ve në Kosovë ka kërkuar që afati të shtyhet edhe për një kohë dhe
2. Vet çështja e zgjidhjes së çështjes Kosovë-Serbi.
Këtu ka dy mënyra:
a. Plani francezo gjerman dhe
b. Plani i veçantë amerikan”, deklaron ai.
Ai deklaron se ende nuk ka ndonjë qëndrim adekuat për këtë, duke mos hedhur poshtë temën e ndjeshme, asociacionin e komunave serbe në Kosovë.
“Ende nuk ka qëndrim adekuat amerikan mbi këto çështje.
Mendohet se amerikanët do të dalin me një plan konkret mbi raportet Kosove-Serbi. Si do të duket nuk kemi qartësi. Megjithatë, nga qëndrimet e kaluara, baza e zgjidhjes së çështjes është shteti sovran i Kosovës. Nuk mund të ketë qëndrim tjetër. Një çështje tjetër është edhe asociacioni i komunave serbe në Kosovë. Këtu kërkohet reciprocitet me Serbinë, sepse edhe Kosova e ka një minoritet në Luginën e Preshevës. Pa këtë zgjidhje reciproke nuk ka ardhmëri çështja.
Pra, dalin dy çështje:
1. Njohja reciproke e shtetit dhe
2. Reciprocitet në çështjen e zgjidhjes së të drejtave të miniriteteve.
Këtu nuk duhet të lëshon kurrsesi Kosova”, përfundon profesori.