Krerët e komunave në veri të Kosovës janë dorëhequr dje, pas njoftimit të Listës Serbe për tërheqje nga institucionet e Kosovës.
Pas dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave veriore dhe asambleistëve, ligji e parasheh – mes tjerash – edhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Bazuar në Ligjin për Zgjedhjet Lokale, në nenin 4, pika 1, thuhet se kryetari i Kosovës cakton dhe shpall datën e zgjedhjeve lokale.
Sipas po të njëjtit ligj, bëhet e ditur se pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës ose shkarkimit të Kryetarit të Kuvendit, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga Presidenti i Kosovës.
Kësisoj, pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës zgjedhjet e parakohshme shpallen jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërbërjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30), ditë dhe jo më vonë se dyzet e pesë (45), ditë pas shpërbërjes.
“Zgjedhjet e parakohshme qeverisen përmes ligjeve të njëjta dhe rregullat e KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave”, thuhet ndër të tjera në nenin e katërt.
Zëdhëndësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë për “Bota sot”, se ata do t’i përmbushin detyrimet kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve, pasi të shpallen nga Presidentja.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrimet kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve pasi ato të shpallen nga Presidentja e Republikës së Kosovës. - KQZ-ja do të presë shpalljen e zgjedhjeve për të filluar me përgatitjet intensive të tyre. Si në çdo proces tjetër zgjedhor”, është shprehur Elezi.
Ai ka treguar hapat të cilët do t’i ndërmarrë KQZ-ja për organizimin e zgjedhjeve. Gjersa ka shtuar se KQZ nuk ka buxhet të planifikuar për këto zgjedhje, prandaj sipas Elezit, ata duhet të kërkojnë nga Qeveria për shumën.
“KQZ-ja fillimisht miraton planin operacional, në të cilin listohen të gjitha aktivitetet të cilat duhet të realizohen për organizimin e këtyre zgjedhjeve. - Këto janë zgjedhje të paplanifikuara, prandaj KQZ-ja nuk ka buxhet. Në raste të tilla, sikurse në të kaluarën, KQZ-ja përgatit kërkesën për Qeverinë e Kosovës me shumën e planifikuar”, ka shtuar Elezi.
Kosova në një situatë të njëjtë ishte gjendur edhe më parë. Kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit patën dhënë dorëheqje, duke kundërshtuar vendimin e asaj kohe të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, më 2019.
Rrjedhimisht, presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, kishte shpallur datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ishin mbajtur më 19 maj të 2019-s.
Ligji për vetëqeverisje lokale e bën të qartë se kur përfundon mandati i kryetarit të komunës.
I njëjti mandat kryhet kur kryetari jep dorëheqje apo nëse nuk paraqitet në punë për më shumë se një muaj pa arsye.
Në anën tjetër, ende nuk është bërë e qartë se si do të veprojë presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani.
Lidhur me këto zhvillime në veri të vendit, Osmani, i ka konsideruar dorëheqjet si veprime të Serbisë me qëllim të destabilizimit të veriut të Kosovës.
Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës dhe që të mos jenë pre “e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”.
Dorëheqje përveç kryetarëve të komunave veriore dhanë edhe asambleistët në këtë rajon.