Qytetarët e Kosovës do të duhet të presin deri më 1 nëntor të vitit 2023, që të mund të marrin vendimin për lëvizje të lirë.
Vendet anëtare të BE-së në takimin e grupit punues për vizat, kanë përafruar sot qëndrimet rreth një kompromisi, që vendimi të merret atëherë kur edhe do të nisë zbatimi i sistemit evropian të informimit dhe autorizmit të udhëtimit (ETIAS).
Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Ai është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.
Këtë vendim e kanë quajtur të pakuptimtë e zhgënjyes opozita LDK e PDK.
Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bënë ndërlidhjen e targave dhe vendimit të vizave.
Deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, ka thënë për “Bota sot”, se me këtë vendim Evropa vazhdon të jetë e padrejtë me Kosovën.
Sipas tij, Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe sistemi ETIAS është një arsyetim që qytetarët të ngujohen.
“Me vendimin e sotëm të vendeve anëtare të BE-së që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të hyjë në fuqi më 1 nëntor 2023, u kuptua se Evropa vazhdon të jetë e padrejtë me Kosovën. Ne jemi dëshmitarë që Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim dhe sistemi ETIAS është veç një arsyetim që qytetarët tanë të ngujohen edhe 1 vit pa lëvizje të lirë”, ka deklaruar Lekaj.
I pyetur rreth arsyeve dhe shkaqeve të këtij vendimi të vendeve anëtare, Lekaj thotë se mund të ketë gisht qëndrimi i Kurtit për mos shtyrjen e afatit për targat.
“Arsyet apo shkaqet e këtij vendimi nuk mund të i di me prapavijë, por mund të ketë gisht edhe qëndrimi i Kryeministrit Kurti që të mos shtyjë afatin e targave ilegale. Prandaj, i them Kurtit të mos na i prish raportet me ndërkombëtarët, të mos rrinë qytetarët pa viza dhe të shqetësuar se vendi i tyre mund t’ua kthejë shpinën atyre që na ndihmuan që të jemi këtu ku jemi”, ka theksuar Lekaj.
Kujtojmë se diskutimi i pare për viza ishte zhvilluar më 13 tetor dhe atëherë shumica e madhe e vendeve e kishin mbështetur liberalizimin e vizave, asnjë nuk ishte shprehur kundër, por Franca kishte kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS.
Ndërsa, në ditën e sotme, presidenti i Francës ka pritur në takime të veçanta fillimisht kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe pastaj kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Krerët e shtetit pas takimit kanë deklaruar se në takimin me presidentin francez, Emmanuel Macron, kanë biseduar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes dy shteteve, dialogun për marrëveshje Kosovë- Serbi dhe zhvillimet e fundit.
E i pyetur rreth takimit të Kurtit dhe Osmanit me ambsadorin frances, deputeti Lekaj është shprehur se ka qenë i vonshëm.
“Menjëherë pas diskutimit të parë, kur Franca ka kërkuar që sistemi ETIAS të jetë kusht për liberalizimin e vizave, ata është dashur të udhëtojnë, të kenë takime, ta bindin Macronin. Sidoqoftë, veprimet e fundit të Kryeministrit mund të kenë ndikuar te vizat e kosovarëve”, ka përfunduar Lekaj.