Serbia po ndjek strategjinë kërcënuese të Rusisë / Pa Rusinë serbët nuk kanë forcë për sulm

Politika

Serbia po ndjek strategjinë kërcënuese të Rusisë / Pa Rusinë serbët nuk kanë forcë për sulm

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 21 nëntor 2022 Në ora: 21:28
Ilustrim

Bisedimet e sotshme në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE-së nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Nuk është arritur marrëveshje as për targat, pasi Borelli ka refuzuar ta mbajë premtimin për të vazhduar bisedimet për marrëveshje përfundimtare deri në mars të vitit 2023.

Mos arritja e marrëveshjes ka trazuar diplomacinë nga frika e rritjes së pasigurisë në veri të Kosovës, ku  Serbia ka armatosur shumë grupet kriminale.

Por, nga ana tjetër Kosovës, nuk i ndalen kërcënimet nga Serbia. Kërcënimet vijnë që nga vendosja e vendimit për targa në veri.

Është Ministri i Mbrojtjes së Serbisë ai i cili ka thënë sot sërish se “Serbia e aftë dhe e gatshme t’u përgjigjet të gjitha sfidave, duke i mbrojtur serbët në Kosovë”.

Ndërkohë pas dështimit për një marrëveshje që do të shtensiononte situatën, ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka shprehur zhgënjimin e tij për mosarritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave ilegale serbe, por është zotuar se NATO-ja nuk do të lejojë rastësi.

“Tani është koha për përgjegjësi dhe zgjidhje pragmatike. Përshkallëzimi duhet të shmanget”, ka thënë Stoltenberg përmes një postimi në Twitter, pas bisedës që ka zhvilluar me kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borell.

Nga nesër (e martë, 22 nëntor) do të nisë shqiptimi i gjobave, kështu kanë deklaruar nga Policia e Kosovës.

Shala: Serbia sa herë ka deklaruar në këtë formë gjithmonë mbrapa të saj ka qëndruar situata që ata kanë pranuar marrëveshje në Bruksel

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një përgjigje për “Bota sot” thotë se deklarimet që vijnë nga Serbia duhet të analizohen mirë.

Sipas tij, deklarimi i fundit i ministrit të mbrojtjes së Serbisë, duhet analizuar në dy formate.

“Deklarimet nga eksponentët e qeverisë së Serbisë për një "mbrojtje, kërcënim" në rast se populli serb do të jetë në një situatë të jashtëzakonshme nga Qeveria e Kosovës.

Mbrapa këtyre deklarimeve duhet të analizohen në dy formate:

- Serbia sa herë ka deklaruar në këtë formë gjithmonë mbrapa saj ka qëndruar situata që ata kanë pranuar marrëveshje në Bruksel.

- Formati tjetër, institucionet e sigurisë duhet të ndërmarrin veprime në terren duke mbuluar mirë hapësirat ku planifikohet të këtë zhvillime të aktivitete të presupozuara që mund të cenohet siguria nacionale e vendit”, deklaron Shala.

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

Halimi: Kërcënimet e Serbisë duhet të merren seriozisht

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, thotë se Serbia me kërcënimet e saj po bën taktik që njihet si diplomaci imponuese, por që Kosova nuk ka arsye të frikësohet, gjersa NATO-ja e garanton sigurinë e saj.

“Serbia po tenton të ndjek strategjinë kërcënuese të Rusisë. Nëse kërcënimi mbetet vetëm në lëvizje të forcave ushtarake, në marrëdhënie ndërkombëtare njihet si diplomaci imponuese, e cila praktikohet si mjet kërcënues që pala kundërshtare t'i bindet vullnetit apo qëllimit palës tjetër.

Ndaj kësaj taktike të Serbisë, Kosova nuk ka arsye të ndihet e kërcënuar gjersa sigurinë e saj e garanton fuqia më e madhe ushtarake në botë, siç është NATO-ja”, thotë ai.

Image
Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS

Derisa, për kërcënimet që po i bëhen Kosovës, Halimi thotë se duhet të merren seriozisht.

“Këto kërcënime do të duhej trajtuar me seriozitet sikur zhvillimet ndërkombëtare aktuale të ishin ndryshe, por gjersa aleati kryesor i Serbisë, Rusia gjendet në pozicion sfidues për sigurinë e vet nga bota bashkëkohore si rezultat i agresionit të saj në Ukrainë, Serbia e di mirë se nuk mund të llogarisë në të, e që në forca të saj vetanake as me Kosovën nuk do ta kishte të lehtë, lëre më me NATO-n.

Por, është interesant fakti si perëndimi i lejon pushtet akoma një shërbëtori të Millosheviçit, siç është Vuçiqi, duke i dhënë hapësirë politikave të tyre agresive”, përfudnon Halimi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat