Javën që po lëmë pas, Prokurori amerikan Jack Smith, kryeprokuror i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë, me seli në Hagë, ka dhënë dorëheqje për shkak të se është emëruar prokuror i posaçëm, me detyrën e mbikëqyrjes së hetimeve për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në Mar-a-Lago, rezidencën në Florida nga ish-Presidenti Donald Trump, si dhe do të hetojë përpjekjet për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020 të fituara nga demokrati Joe Biden.
Gjykata Speciale ka njoftuar se në vend të prokurorit Smith, hetimet për ish-udhëheqësit e UÇK-së në Hagë tani do t’i vazhdojë Alex Whiting, i cili bëhet Ushtrues Detyre i Prokurorit të Specializuar në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
“Whiting do të ushtrojë funksionet e Ushtruesit të Detyrës të Prokurorit të Specializuar deri në emërimin e një Prokurori të Specializuar të ri. Ai ka saktësisht të njëjtat kompetenca me ato të një Prokurori të Specializuar dhe nuk do të ketë ndërprerje të punës së ZPS-së në asnjë aspekt”, njoftoi gjykata.
Prokurori Whiting, 58 vjeç, është prokuror me kombësi franko-amerikane me përvojë të gjerë në procedime penale në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Ka punuar në ZPS që nga qershori i vitit 2019, fillimisht si Udhëheqës i Hetimeve, dhe duke filluar nga muaji gusht 2020 si Zëvendësprokuror i Specializuar.
Kujtojmë që Prokurori Smith ishte emëruar Prokuror i Specializuar në maj të vitit 2018 dhe ka marrë funksionet e tij për të hetuar krimet e luftës në Kosovë, në shtator 2018.
Mirëpo sa do të ndikoj kjo në procesin e të akuzuarve në Hagë dhe si e shohin familjet e viktimave të vrasjeve politike, largimin e kryeprokurorit të Speciales Jack Smith?
Dajaku: Largimi e kryeprokurorit Jack Smith na ka befasuar dhe na ka shqetësuar tej mase

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet Xhevat Dajaku, vëllai i Besim Dajaku, ish truproje i presidentit Ibrahim Rugova, që u vra në një atentat më 19 tetor të vitit 2001.
Dajaku ka folur për largimin e Smithit, e që sipas tij ishte një befasi dhe njëkohësisht shqetësim për familjarët, pasi kishin besim më shumë se kurrë për drejtësi në Gjykatën Speciale.
Sipas Dajakut, Smith është një personalitet i pazëvendësueshëm me përgatitje të lartë dhe se ia ka dalë të kërkojë fakte me llupë për të zbuluar gjurmët e rrjeteve kriminale.
“Largimi i kryeprokurorit Jack Smith na ka befasuar dhe na ka shqetësuar tej mase. Kishim besim dhe bindje si asnjëherë në Gjykatën Speciale, por këtë bindje na e forcoi pikërisht personaliteti i Jak Smithit, ishte njohës i rrethanave, traditave dhe ishte në gjurmët e rrjetit kriminal që i ndiqte ato gjurmë e fakte nën llupen e një hetuesi të përgjegjshëm duke e respektuar detyrën dhe kodin etik te drejtësisë pa as një kompromis. Një personalitet i pa zëvendësueshëm me përgatitje të lartë, me një përvojë të pa krahasueshme, ku në paraqitjet e tij të lënte përshtypjen e një njohësi të përkryer të traditës, kulturës dhe zhvillimeve të vendit tonë si dhe zhvillimet e natyrës së krimit si pasojë e së cilës u vranë shumë figura të shquara të kombit tonë, e që u cilësuan nga shumë subjekte relevante si vrasje politike”, u shpreh ai.
Më tej, Dajaku thotë se drejtësia si dhe elementet e tjera relevante të Kosovës i harruan ato krime, i harruan familjet e viktimave.
Ai shpreh falënderim për punën e Smithit, ndërsa për u.d. thotë që për momentin nuk ka një mendim, por prapë shpresojnë se drejtësia të arrihet, të vihet në vend.
“Pra jemi shumë të shqetësuar, kuptohet për çështjen që është angazhuar tani, mund të thuhet se është çështje më delikate, çështje e përmasave globale, por ne, sidomos familjarët që po kërkojmë drejtësi në Kosovë, ndjehemi thellë të zhgënjyer. Sidoqoftë z. Smith ka bërë një punë heroike kundër ndërmarrjes kriminale, e falënderojmë për gjithë atë punë që e ka bërë. Drejtësia si dhe elementet tjera relevante të Kosovës i harruan ato krime, i harruan familjet e viktima nga ndërmarrja kriminale, ashtu edhe njerëzit e politikës, fesë, sporti, mediave,... më shumë iu gjendën afër ndërmarrjes kriminale sesa familjarëve të viktimave! Na kanë shokuar, me spote, reklama, vizita, thirrje kundër Gjykatës,.... d.m.th. e kemi ndier veten nën presion të vazhdueshëm të asaj klime që e formuan të gjithë ato elemente që i përmenda. Për Jack Smith i kam këto fjalë: z. Smith, ju jeni një hero mbi të keqen!... Ju ishit duke e bërë një punë të shkëlqyeshme, të jemi mirënjohës pa kufi. Zoti të bekoftë e të ndihmoftë në vendosjen e drejtësisë! Për u.d. s’kam për momentin një mendim, por prapë shpresojmë se drejtësia të arrijë në vendin e duhur, shpresë tjetër nuk kemi. Zoti vendostë që drejtësia të bjerë në vend të vet”, shpjegoi Dajaku për “Bota sot”.
Sipas mediave amerikane Smith ka pasur rezultate mbresëlënëse në SHBA, dhe para se të bëhej kryeprokuror për gjykatën speciale në Hagë për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë, në vitin 2015, qe bërë prokuror federal në Nashville dhe më vonë ishte drejtues në detyrë i kësaj zyre.
“Alan Tieger, një prokuror i krimeve të luftës që punoi me zotin Smith, e përshkruan atë si “një njeri të mbrujtur me ideale tradicionale, por që nuk dorëzohet, dhe që është i motivuar dhe i shkëlqyer”. Ai u ka thënë mediave se prokurori Smith “i mishëron të gjitha këto aftësi”.
Zogaj: Largimet e specialistëve të Gjykatës nuk janë shenja të mira, sidomos i kryeprokurorit Smith

Edhe analisti politik Skënder Zogaj, ish-veprimtar e udhëheqës i LDK-së, dhe bashkëpunëtor i kolonelit Ahmet Krasniqi të vrarë në atentat, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që çështja e Gjykatës Speciale ka filluar ters dhe se të gjitha ndodhitë tash e pas janë të pritshme.
Sipas Zogajt Kosova nuk është dashur të lejojë instalimin e strukturave të krimit dhe korrupsionit të organizuar, ku janë strehuar edhe kriminelët e kohës së luftës, që kanë bërë vrasje politike dhe banditeske, dhe që pas luftës e kanë kapur dhe e kanë ngulfatur shtetin.
“Çështja e Gjykatës Speciale është nisur ters dhe është krejtësisht e pritshme që të ketë papritshmëri të shumta deri në përfundimin e saj. Mirë e mbarë do të kishte qenë që nga dita e parë e lirisë, populli shqiptar i Kosovës të kishte qenë i vetëdijshëm që nga fatkeqësitë e përjetuara të nxirrte mësim për vlerën e lirisë dhe të ishte mobilizuar për ta krijuar shtetin e vërtetë ligjor, me institucione të mirëfillta të standardeve demokratike nga modeli i shteteve mik dhe të preferuar nga SHBA-ja. Sidomos Kosova nuk është dashur të lejojë instalimin e strukturave të krimit dhe korrupsionit të organizuar, ku janë strehuar edhe kriminelët e kohës së luftës, që kanë bërë vrasje politike dhe banditeske, dhe që pas luftës e kanë kapur dhe e kanë ngulfatur shtetin. Pra mosfunksionimi o drejtësisë së Kosovës e ka sjell Gjykatën Speciale, e cila duke qenë produkt i rrethanave të veçanta edhe rezultatin do ta ketë të veçantë. Kjo nuk ka dyshim, por çfarë do të jetë veçantia, mbetet të shihet”, tha analisti.
Më tej, ai thekson që Jak Smith, largimi i të cilit e prish kontinuitetin e punës së deritashme dhe kjo nuk ka dyshim ndikon në rezultatin e duhur të drejtësisë së vërtetë ligjore.
“Largimet e specialistëve të Gjykatës nuk janë shenja të mira, sidomos kur kemi të bëjmë me largimin e kryeprokurorit të Speciales, Jack Smith, largimi i të cilit e prish kontinuitetin e punës së deritashme dhe kjo nuk ka dyshim ndikon në rezultatin e duhur të drejtësisë së vërtetë ligjore”, shprehet Zogaj.
Në fund, analisti për zëvendësimin e Smith thotë që e lëndon rëndë procesin, sepse edhe në rastin më të mirë, lë hapësira të mëdha dyshimi në të gjitha planet.
“Zëvendësimi i Jak Smithit e lëndon rëndë procesin, sepse edhe në rastin më të mirë, lë hapësira të mëdha dyshimi në të gjitha planet. Cila do të jetë përmasa e efektivitetit tash nuk mund të prejudikohet, por kjo do pasqyrohet në vazhdimin e procesit dhe mënyrën e trajtimit të vrasjeve të pasluftës, që përbëjnë krimin kryesor që iu ka bërë Kosovës. Serioziteti i Speciales shihet dhe matet me mënyrën e trajtimit dhe të zbardhjes së vrasjeve të pasluftës”, përfundoi Zogaj për “Bota sot”.
Smith, i cili është i diplomuar në Universitetin e Harvardit, sipas një shkrimi të botuar nga Voa, e ngriti karrierën e tij profesionale në Nju Jork, me çështje si hetimi i oficerëve të policisë që u përfshinë në rrahjen e emigrantit haitian Abner Louima.
Prokurori Smith ka udhëhequr njësinë, e cila ia arriti që ta bind gjykatën që ta dënojë për korrupsion ligjvënësin republikan të Arizonës, Rick Renzi, vendim i cili u la në fuqi nga Gjykata e Lartë, por ish-Presidenti Trump e dekretoi faljen e ligjvënësit republikan përpara se të linte detyrën. Edhe ish-kreu i Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut, Sheldon Silver, u akuzua për korrupsion në vitin 2015 dhe në vazhdim vuajti dënimin me burg.