Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje dy ditë më parë.
Marrëveshja e targave e nënshkruar në Bruksel është një marrëveshje e përkohshme.
Kështu thotë profesor dr. Enver Bytyçi, duke shtuar se, megjithatë ajo po trajtohet si një marrëveshje finale.
“Ata që kërkuan të nënshkruhej kjo marrëveshje, ata që thirrën fort se “Kurti është anti-amerikan” pse nuk pranon të shtyjë zbatimin e vendimit për targa, tani ironizojnë me fjalët “sovranitet”, “integritet” etj. Ne po dëshmojmë se jemi shoqëri e papjekur për të kuptuar se çfarë është dinjiteti, integriteti, sovraniteti, demokracia, liria!”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.
Profesori kritikon një analistë që sipas tij, po përçon idetë e Beogradit.
“Imagjinoni: Një analist që mbahet “i civilizuar” dhe “modern” të thotë se “Pavarësia e Kosovës është e cunguar”! Në emër të së drejtës për të folur e thotë këtë! Ky lloj analisti thjesht përçon idetë dhe synimet e Beogradit në opinion. Sepse është Beogradi që çdo ditë thotë se “Pavarësia e Kosovës është e pakryer”, madje se ajo është “në kundërshtim me rezolutën 1244”! Këtë e tha edhe sot kryeministrja Brnabiq”, shprehet ai.
Profesori pohon se, Rezoluta 1244 parashikon statusin e Kosovës në pajtim, duke përjashtuar bashkimin e saj me një shtet tjetër dhe një status më të ulët sesa autonomia e vitit 1974, kur Kosova quhej krahinë, por ishte njësi konstituive e Federatës Jugosllave!
“Në rezolutë thuhet se statusi mund të jetë në kuadër të Federatës Jugosllave, e cila ekzistonte në vitin 1999 në variantin Serbi-Mali i Zi! Me shpërbërjen e federatës në vitin 2006 mbetej pavarësia si opsion i vetëm. Ndërkohë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në vendimin e saj të 22 korrikut 2010 thotë shprehimisht se “Pavarësia e Kosovës është e bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në rezolutën 1244”!”, shprehet ai.
Bytyçi pohon se, alibitë serbe nuk ndalen.
“Nuk ndalen as analistët dhe politikanët pro-serbë në Kosovë në aksionin e tyre për ta zhvleftësuar pavarësinë, tërësinë territoriale dhe konstituimin institucional të Kosovës! Ndërkohë kryeministri dhe presidentja e Kosovës kërkojnë jo marrëveshje parciale, të veçanta, por marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse. Ata duan të mënjanojnë pikërisht ata që pranuan obsionet serbe të diskutimit të marrëveshjeve të veçanta për të anashkaluar marrëveshjen përfundimtare”, thotë profesori.
Ai shton se, edhe në Bruksel të hënën e shkuar Albin Kurti kërkoi që me çdo kusht të vihet në rend të ditës vazhdimi i dialogut si kusht për një marrëveshje për targat.
“Kur kjo u pranua të mërkurën, atëherë u pranua propozimi për targat. Tani çfarë do të ndodhë? Me siguri që do të fillojnë bisedimet për projektin e ashtuquajtur franko-gjerman. Por nuk besoj se do të përfundojë në marsin e 2023-shit, siç thotë Kurti. Serbia do ta bllokojë procesin e dialogut. Borrelli ka deklaruar se nëse njëra palë e bllokon këtë proces ai largohet si ndërmjetës. Jam i sigurt se ai ka në mendje kryeministrin e Kosovës. Dhe të dy palët, Borrell e Vuçiq do të bëjnë intriga të shumta që dialogu të bllokohet e për këtë të akuzohet Kosova”, thotë profesori i cili shton se, duhet shumë kujdes.
“Kosova nuk ka pengesë tjetër, përveç asociacionit. Në këtë pikë Kurti duhet t’u kërkojë partnerëve ndërkombëtarë, sidomos SHBA-ve, që të mbajnë premtimin se “nuk do të lejohet një republikë tjetër Srpska në Kosovë”! Kjo është shumë e rëndësishme. Një asociacion në formën e një OJQ-je, sido që do të jetë mollë sherri, nuk do të mundë të bllokojë jetën institucionale të vendit. Ata që e sollën Kosovën në këtë ditë halli, pra ata që sollën asociacionin dhe i dhanë Malit të Zi 8000 hektarë tokë të Kosovës, do ta akuzojnë Kurtin dhe Osmanin për gjithçka! Do të bëjnë zhurmë, sepse do të duan të fshijnë gjurmët e tradhtisë së tyre kundër Kosovës, veçmas për pjesëmarrje në projektin e ndarjes së Kosovës”, thekson Bytyçi.
Por, sipas tij, nuk ka shans që Serbia të pranojë një zgjidhje, e cila e largon ndikimin dhe mundësinë për presion e diversion në Kosovë!
“Vesi del me shpirtin! Që në Beograd thuren lloj-lloj planesh si ta shkatërrojnë Kosovën, kjo është e ditur. Për këtë financohen bandit në veri, në Serbi, në Kosovë e në Shqipëri. Paguhen para pa fund për të korruptuar e rekrutuar politikanë, gazetarë, analistë dhe njerëz me influencë në Kosovë e në Shqipëri! Financohen struktura paralele sidomos në veri të vendit! Asgjësohen e do të asgjësohen ato autoritete serbe që shfaqen objektivë dhe kërkojnë paqe e marrëdhënie normale midis Kosovës e Serbisë! Pra mëkatarët shqip-folës që bashkëpunuan me Serbinë në marrëveshjet e shkuara dhe liderët e strukturat e Serbisë do të bashkëpunojnë kundër atyre që mbrojnë shtetin, territorin, sovranitetin e Kosovës. Prandaj Serbia ka interes ta zgjasë sa më shumë dialogun! Duke pritur se një ditë “Drini do të nxjerrë peshk”!, përfundon profesori Enver Bytyçi.