Pasi kriminelët serbë kanë sulmuar me armë të gjata dhe me shok-bomba pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe ata të EULEX-it, ku si pasojë një polic i Kosovës mbeti i plagosur, në veri të vendit kanë filluar të shfaqen simbolet ruse “Z”, simbole këto që përdorën nga Rusia në luftën e Ukrainës me synimin për të pushtuar këtë vend.
E kjo nuk është hera e parë që simbolet ruse shfaqen në veri të Kosovës. Një gjë e tillë kishte ndodhur edhe në kohën kur nisi pushtimi rus në Ukrainë.
E pas shfaqjes së këtyre simboleve, analistët dhe ekspertët thonë se kjo tregon qartë synimin e Serbisë, e cila përmes ndihmës së Rusisë synon aneksimin e veriut të Kosovës.
Mercenarët rus në Veri
Sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, shfaqja e shenjave ruse tregon prezencën e mercenarëve rus në veri të Kosovës.
“Institucionet e shtetit të Serbisë janë të komprometuara nga ato ruse. Kjo është bërë e qartë kur e patëm aferën me blerjen e oficereve të lartë të ushtrisë së Serbisë nga ato strukturat e sigurisë së Rusisë. Në veri të vendit kemi individ që janë pjesë e strukturave paralele të Serbisë, dhe si pjesë e këtyre strukturave, potenciali është i lartë siç formacioni iWagner-it, ku dihet që pjesë e këtij formacioni ushtarak të Rusisë janë edhe qytetarët serbë, të cilët kanë shërbyer në luftërat e Ballkanit përgjatë viteve të ‘90-ta”, thotë Shala për “Bota sot”.
Sipas tij, Kosova ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që autorët e këtyre simboleve të dalin para drejtësisë.
“Nëse i referohemi situatës kur në fillim të ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë patëm disa afishe, të cilat u ndërlidhen me këtë luftë dhe shkronja e përdorur "Z", institucionet e sigurisë së Kosovës kanë ndërmarr të gjitha veprimet hetimore për situatën në fjalë, duke mbledhur informacione relevante për të identifikuar personin apo personat që qëndrojnë mbrapa tyre, por që deri më tani nuk e dimë se deri ku kanë mbërritur hetimet dhe a ka të dyshuar për rastin në fjalë”, deklaron Drizan Shala për “Bota sot”.
Celulat e “Z”-së ruse janë edhe në veri të Mitrovicës
Kurse profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, thotë se këto janë edhe një dëshmi se parapa bandave kriminale në veri, qëndron Serbia dhe Rusia.
“Është e padiskutueshme që ngjarjet në veri të Mitrovicës kanë regjisor Serbinë dhe Rusinë. Askush nuk mund ta kontestojë faktin se ato i drejton presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi, dhe i dërguari i Moskës në krye të BIA-s, Aleksandër Vulin. Vetëm kryeministri i Shqipërisë nuk do ta shohë e ta njohë këtë fakt, kur i bën thirrje Beogradit të ndikojë te serbët në veri që situate të qetësohet. Pra, vetëm ai dëshiron ta amnistojë këtë ndërhyrje të drejtpërdrejtë të vëllait të tij, Aleksandër Vuçiqit, në këto ngjarje. Sepse serbët e Kosovës nuk veprojnë vetë. Madje serbët e Kosovës janë lodhur dhe nuk janë në rrugë kundër institucioneve të shtetit të Prishtinës”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.
Sipas tij, ata që janë në rrugë e me maska, janë të dërguarit e Aleksandër Vulinit dhe të grupit Wagner në Kosovë.
“Që kur miku i Putinit, pra ky shefi i BIA-s u zgjodh në atë detyrë, dihej se gjithçka në Kosovë e në Ballkan do të bëhej sipas skenarit që e harton dhe e dërgon Moska në Beograd. Është shërbimi i fshehtë i Kremlinit, ai që gjendet prezent në ngjarje të tilla. Politikisht i menaxhon po ashtu miku i Putinit, presidenti i Serbisë, Vuçiq. Nuk ka asnjë akt që ndodhë, ku të mos jetë prezente Rusia. Jo rastësisht Grupi Wagner ka ngritur në Beograd një qendër “kulturore“! Se çfarë kulture realizojnë terroristët e këtij grupi, vetëm Vuçiqi dhe Vulini mund ta dinë. Në fakt ky grup transmeton kulturën e dhunës e të luftës, të urrejtjes dhe të hakmarrjes në rajonin tonë”, shprehet Bytyçi.
Mbishkrimet me simbolin rus “Z” janë shprehje e besnikërisë së serbëve ndaj autoritarit Putin.
“Ndërkaq simboli rus „Z“ që shihet gjithandej te grupet kriminale që sillen rrugëve të Mitrovicës së Veriut dhe komunave tjera aty, është shenjë besnikërie ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, është shprehje e mbështetjes që Serbia i jep agresionit rus në Ukrainë, është mohim i sovranitetin shtetëror të Ukrainës, madje është hakmarrje për gjoja atë që ka ndodhur me Kosovën. E ka thënë hapur Aleksandër Vuçiqi këtë. Ai ka pohuar se Ukraina duhet ta dijë se Serbisë i është cenuar gjithashtu sovraniteti”, shpjegon më tej profesor Bytyçi.
Më tej, ai thotë se për dallim nga Ukraina, Serbia në Kosovë ka ushtruar gjenocid ndaj një etnie tjetër, pra serbët ndaj shqiptarëve, atëherë ekziston e drejta e shkëputjes.
“Por, me Kosovën është krejt ndryshe. Në Kosovë Serbia ushtroi dhunë e gjenocid. Është i njohur fakti që kur një shtet ushtron gjenocid ndaj qytetarëve të tij për shkak të etnisë ndryshe, siç bëri Milosheviçi me shqiptarët e Kosovës, atëherë njihet e drejta e shkëputjes, pra e pavarësisë, por jo edhe e drejta e bashkimit të këtij territori me një shtet tjetër. Kështu që pavarësia e Kosovës është pasojë e gjenocidit serb. Për pasojë është e bazuar në të drejtën ndërkombëtare, siç e ka njohur edhe GJND-ja në Hagë. Vuçiqi sillet sikur në Kosovë nuk ka ndodhur asgjë. Dhe kjo është arsyeja pse ai nuk kërkon ndjesë për krimet gjenocidale ndaj Kosovës. Nëse kërkon ndjesë humbet të drejtën të luftojë kundër saj”, deklaron Bytyçi.
Sipas tij, Vuçiqi e dëshiron fitoren e Rusisë në Ukrainë, në mënyrë që një të tillë pastaj ta arrijë edhe në Ballkan nëpërmjet Serbisë.
“Ukraina nuk ka ushtruar dhunë etnike kundër asnjë pakice, e as kundër rusëve. Por, Vuçiqi spekulon me Ukrainën. Në thelb e dëshiron fitoren e Rusisë në këtë luftë. Sepse fitorja e Rusisë e bën Serbinë faktor në Ballkan. Një Serbi nën ombrellën e një vendi fuqi e madhe si Rusia, gjithmonë ka qenë faktor dominimi e njëkohësisht destabiliteti në rajonin tonë. Vuçiqi e dëshiron përsëri këtë pozitë të vendit të tij. Pa Rusinë as që bëhet fjalë që të realizohet kjo. Edhe pse presidenti i Serbisë ka në krah të tij kryeministrin e Shqipërisë dhe mbështetjen e pakufi të tij, përsëri nuk mund ta bëjë vendin e tij hegjemon në Ballkan përmes Open Ballkanit”, shprehet Bytyçi.
Është turp, nëse edhe një shqiptar i Kosovës në këto kushte i bashkohet korit të korbave anti-shqiptarë të serbëve
Profesor Bytyçi thotë se celulat e “Z”-së ruse janë edhe në veri të Mitrovicës.
“Për këto arsye bashkëpunon me Kremlinin, pranon që Grupi terrorist rus Wagner të stacionohet në Beograd. Prej gati një dekade ka pranuar dhe vazhdon të shumëfishohet prezenca e qendrës ruse të spiunazhit në Nish. Ajo tashmë ka ngritur dhjetëra celula në të gjithë Serbinë dhe në vende të tjera të rajonit. Celulat e “Z”-së ruse janë edhe në veri të Mitrovicës. Portreti i Vladimir Putinit gjendet në zyrat e bandave dhe politikanëve të veriut. Madje aty janë edhe fotot e Milosheviçit, Mlladiçit e Karaxhiçit. Po ashtu të ish-shefit të presidentit të sotëm, Sheshelit”, thekson Bytyçi.
Sipas profesorit institucionet e Kosovës tashmë duhet të përballen edhe me praninë ruse, përveç asaj të Serbisë, të cilat po merren me kryerjen e skenarëve tashmë të njohura.
“Shqiptarët në Kosovë nuk përballen vetëm me Serbinë dhe presidentin e saj apo shefin e BIA-s. Ata përballen edhe me praninë ruse në Serbi e në veri të Mitrovicës. Këtë fakt e njohin, por nuk e kritikojnë dhe qortojnë perëndimorët, evropianët. Ndërsa, Tirana zyrtare as që ka ndërmend të intervenojë, as nga pikëpamja diplomatike për këtë gjë. Edhe opozita e Kosovës pak e trajton një temë të tillë, sepse është fokusuar te lufta kundër qeverisë Kurti, me shpresën se bie diçka nga ato të dashit! Është turp, nëse edhe një shqiptar i Kosovës në këto kushte i bashkohet korit të korbave anti-shqiptarë të serbëve, vetëm e vetëm për të përfituar politikisht e rrëzuar qeverinë legjitime të zotit Kurti”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.