Në orët e fundit janë shtuar sulmet me bomba shokuese, provokimet, barrikadat dhe mënyrat e provokimeve nga grupet kriminale në veri, të pandëshkuara për më shumë se dy dekada.
Tashmë është e qartë se Serbia po përpiqet që mbylljen e rrugëve ta përdorë si armë presioni ndaj Kosovës, dhe që perëndimi t’i pranojë kërkesat e saj. Por, mbylljen e rrugëve gjermanët po e quajnë një akt të papranueshëm, duke kërkuar që gjërat të zgjidhen në tryezën e Brukselit, ku palët i pret modeli i mbiquajtur franko-gjerman.
Nuk dihet edhe sa kohë do t’i përdorin barrikadat për t’i maskuar kërkesat e vërteta politike, pakica prej më se 35 mijë vetash, që ëndërron për një republikë të tretë serbe, pas asaj në Bosnje.
Serbët e dirigjuar direkt nga Aleksandër Vuçiqi kanë vendosur barrikada të reja, të cilat bllokojnë lirinë e lëvizjes në veri. Kjo situatë e rënduar po vazhdon tashmë 12 ditë.
Lufta hibride ruse, e paralajmëruar një vit më parë tashmë po ndodhë.
Madje, edhe gazeta e njohur britanike, “The Guardian”, ka raportuar për akuzën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj Federatës Ruse, e cila, sipas tij, po i nxit tensionet mes vendit tonë dhe Serbisë për shkak të dështimit të luftës në Ukrainë.
“Shqetësimi ynë është që largimi i këtyre barrikadave nuk mund t’i përjashtojë pasojat dhe, për këtë arsye, ne duam që të jemi sa më të kujdesshëm që është e mundshme për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe që paqja relative e siguria të jenë të vendosura. Megjithatë, ne nuk mund ta lejojmë këtë shkelje të ligjshmërisë e të kushtetutshmërisë përgjithmonë, prandaj, po, kjo duhet të marrë fund, herët a vonë”, ka thënë Kurti për median britanike.
Por, kush do t’i heqë barrikadat në veri, KFOR-i, polica apo FSK-ja apo si do të ndodhë?
Shala: KFOR-i ka marrë nën kontroll gjithë situatën në veri
Për heqjen e barrikadave në veri, eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një përgjigje për “Bota sot” thotë se FSK-ja nuk do të marrë pjesë, e që sipas tij, KFOR-i ka marrë përsipër situatën në veri sa i përket edhe mandatit të rezolutës 1244.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/December/21/auto_auto_drizan_shala16029385311671607340.jpg)
“FSK-ja nuk do të marr pjesë në asnjë veprim operacional ushtarak që ka karakter civil brenda territorit të vendit.
KFOR-i ka paralajmëruar një ushtrim të tij që kontribuon në stabilitetin dhe garantimin e operacionalitetit të tij, në rast të kërkesës që mund t’i vijë nga niveli politik i Kosovës apo nga Eulex-i.
KFOR-i ka marr nën kontrollë gjithë situatën në veri sa i përket mandatit të tij në bazë të rezolutës 1244, për të garantuar siguri dhe si plan i tij është që nëpërmjet negociatave situata të vijë në sferën që KFOR-i mos ta përdor fare aparaturën e tij në terren”, thotë Shala.
Mehmeti: KFOR-i është përgjegjës për sigurinë ushtarake atje
Duke komentuar se cili institucion duhet të merret me heqjen e barrikadave në veri, Faton Mehmeti thotë se KFOR-i është përgjegjës për sigurinë ushtarake atje, kështu që ata duhet t’i heqin barrikadat, madje sipas tij, ato as që duhej lejuar që të vendoseshin njëherë.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/December/21/auto_161982809_255225126256663_8298222064963544233_n1671607345.jpg)
“Besoj se po, KFOR-i është përgjegjës për sigurinë ushtarake në veri dhe i takon t’i heqë barrikadat. Nëse nuk e bën, nuk është në krye të detyrës, për çka është autorizuar. Kështu që, nuk është dashur të lejohet as të ndodhin barrikadat, të hiqen një minutë e më parë”, thotë ai.
Derisa për FSK-në, Mehmeti thotë se ajo duhet të jetë në veri, të sigurojë shqiptarët atje, dhe të konfirmojë shtrirjen e sigurisë në gjithë vendin.
“E kam thënë edhe më parë se FSK-ja duhet të jetë në veri, jo vetëm për t'i hequr barrikadat, por edhe për t’i ofruar siguri për shqiptarët atje dhe për të konfirmuar shtrirjen e sigurisë në tërë territorin e vendit. Besoj se barrikadat do të hiqen shpejt, KFOR-i kurrë mos të lejojë më të ndodhë një gjë e tillë”, përfundon Mehmeti.